E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti Ambasadorin e SHBA John L. Withers II, me rastin e përfundimit të mandatit të tij

Kryeministri Sali Berisha, priti sot në një takim ambasadorin e SHBA në Tiranë John L. Withers II, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si ambasador i SHBA në Shqipëri.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe i uroi ambasadorit gjithë të mirat në projektin e tij për të ardhmen, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA, mikut, aleatit dhe partnerit strategjik të shqiptarëve, të Qeverisë Amerikane, por dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë.

Ambasadori Withers pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen, theksoi se largohet nga Shqipëria i lumtur, që Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë.

Ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon.

Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve, për të konsoliduar edhe më tej lidhjet dhe miqësinë e ngushtë midis dy vendeve dhe popujve, si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.


02/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›