E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Vlerësoj seriozitetin e Komisionit të Integrimit në përpilimin e rekomandimeve

23-04-2011 / Gazeta 55

Zhvillohet takimi konsultativ me shoqërinë civile rreth planit të veprimit për plotësimin e 12 prioriteteve të KE-së

Ministria e integrimit Majlinda Bregu e ka cilësuar si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin e opozitës në plotësimin e 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Duke theksuar se 5 rekomandimet e para të BE-së janë të karakterit politik ministria Bregu theksoi se opozita ka përgjegjësinë e madhe për të votuar ligjet që kërkojnë 3/5 duke mos u bërë kështu edhe pengesë për procesin e integrimit. “Axhenda partiake të mos prevalojnë më axhendën e integrimit”- theksoi Bregu duke shtuar se bashkëpunimi i opozitës është i rëndësishëm për procesin e integrimit. “Ky takim është hallka e fundit për të mbërritur në variantin përfundimtar të Planit të veprimit. Pjesëmarrja sot ka qenë mjaft e madhe, më shumë nga ç‘prisnim dhe nga të gjithë pjesëmarrësit do të marrim të gjitha rekomandimet, të cilat më pas do të analizohen. Natyrisht nuk do të përfshihen të gjitha rekomandimet, për të mos pasur mbivendosje”- tha ministrja duke shtuar se brenda muajit prill do të përfundojë dhe do të dorëzohet Plani i veprimit i konsoliduar me kontributin e të gjithë aktorëve. 
E pyetur nga mediat për rolin e opozitës në këtë proces, Ministrja vlerësoi seriozitetin me të cilin opozita në Komisionin Parlamentar të Integrimit ka paraqitur rekomandimet e saj, me shpjegime, data dhe afate konkrete.
“5 rekomandimet e para kanë të bëjnë me kriterin politik, në 3 prej tyre rekomandohet votimi në Parlament i ligjeve me 3/5, çka e bën automatikisht opozitën që jo vetëm të jetë pjesëmarrëse, por të luajë rolin kryesor në proces. Kemi marrë inputin e Komisionit Parlamentar të Integrimit, i cili ka kontributin e të gjitha forcave politike, të drejtuara nga opozita. Është pozitiv fakti që në propozimet e opozitës të bie në sy prirja për të mos vënë në plan të parë axhendën partiake. Shpresoj që ky bashkëpunim të vijojë më tej”- tha ministrja Bregu.
E pyetur më tej, nëse faktori ndërkombëtar ka propozuar ndonjë zgjidhje alternative lidhur me 12 rekomandimet, nëse nuk votohen ligjet me 3/5, ministrja tha se votimi nga parlamenti i këtyre ligjeve dhe zbatimi i tyre, është zgjidhja e vetme drejt të cilës duhet të shkohet. “Përsa i përket plotësimit të 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, Ministria e Integrimit ngriti një grup të posaçëm pune i cili: Hartoi një metodologji të veçantë për hartimin e Planit të Veprimit; Kreu analizën e parë të prioriteteve kyçe; Përcaktoi institucionet koordinuese dhe pjesëmarrëse në plotësimin e çdo prioriteti; Organizoi në nivel qendror punën për hartimin dhe bashkërendimin e Planit të Veprimit. Ky grup pune më vonë vazhdoi punën për monitorimin dhe raportimin në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit” - u shpreh më tej ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu. 
Ambasadori i BE, Etore Sequi: Integrimi, kërkon angazhim konkret dhe gjithë përfshirje/Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi kërkoi dje veprime konkrete nga Shqipëria në lidhje me plotësimin e 12 rekomandimeve të Brukselit për integrimin e vendit. Në një konferencë të organizuar nga Ministria e Integrimit për përmbushjen e kritereve ambasadori Sequi vlerësoi rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit duke shtuar se ky proces kërkon bashkëpunim dhe përfshirje të të gjitha palëve. “BE e konsideron pjesëmarrjen e shoqërisë civile si një gjë shumë të rëndësishme. Besojmë se procesi integrimi është një përpjekje e gjithë shoqërisë dhe gjithë elementëve të saj”- tha përfaqësuesi i BE në Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›