E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, fushatë vetëm për karrigen e tij - mëkatet s’ia lan dot as lumi

23-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton në Ishëm, Mamurras dhe Krujë kandidatët për kryetarë bashkish të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”

Kryeministri Sali Berisha vijon turin elektoral të prezantimit të kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin” në Mamurras dhe Ishëm. Berisha u ndal dje paradite në komunën e Ishmit ku prezantoi dhe i shprehu mbështetje kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për këtë komunë, zotit Gëzim Ylli. Në Mamurras Berisha prezantoi kandidatin, Ilir Pjetri. 
Duke i shprehur mirënjohje për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike në vite, Kryeministri Berisha i ftoi banorët që më 8 maj të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Gëzim Yllin, pasi vota për të do të shndërrohet në sukses për të gjithë qytetarët e Ishmit. Kryeministri u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt në infrastrukturë për shndërrimin e Ishmit në një nga polet më të fuqishme turistike të vendit. “Vij sot këtu për t’ju garantuar ju se ndryshimet e mëdha të komunës, për të cilat ju jeni vetë dëshmitarë, gjatë katër viteve që vijnë do të jenë disa herë më të mëdha. Në këto katër vite, ne kemi ndërtuar 36 kilometra rrugë në komunën tuaj, kemi ndërtuar 3 shkolla, 3 qendra shëndetësore, 5 ujësjellës që i sigurojnë ujë 98 përqind të banorëve të komunës. Në ndërtim e sipër është rruga Shetaj - Kepi Rodonit, është tenderuar rruga Fushë Gjyricë – Likmetaj. Brenda katër viteve do të ndërtohet impianti i pastrimit të ujërave të Ishmit, është në ndërtim rruga Lalz – Raksh me gjatësi 7 kilometra, rruga Shkafanë – Lalz me 6 kilometra, do të ndërtojmë shkolla të reja në Shetaj, Alsufaj, Shën Pjetër, do të ndërtojmë të gjitha shkollat, qendrat shëndetësore, ujësjellësit, kanalizimet, do të asfaltohen të gjitha rrugët e Ishmit. Ishmi ka potenciale të mëdha. Ishmi është komunë që me këtë infrastrukturë të re bëhet ndër të paktat – afër detit, afër Mbretit. Me rrugën që ndërtuam dhe inauguruam para pak javësh ju u bëtë komunë afër Mbretit. Me rrugën që po ndërtojmë drejt Kepit të Rodonit ju bëheni afër detit”- tha Berisha, ndërsa premtoi se shumë shpejt Ishmi do të jetë një nga zonat më të preferuara turistike të Shqipërisë. “Unë ju garantoj ju se shumë shpejt ju do të jeni një nga zonat më të preferuara turistike të Shqipërisë dhe më gjerë. Ju do të shndërroheni në një ndër polet më të fuqishme turistike të vendit. Në një farë mënyre, në një farë lloji, Ishmi është Llogoraja e Jonit. Nuk ka turist që vjen në Gjirin e Lalzit dhe nuk dëshiron që vijë pasdite të vizitojë Ishmin, të çlodhet, të pijë kafe e të darkojë këtu. Ishmi ka një potencial të madh e të jashtëzakonshëm në frutikulturë. Unë ju garantoj juve dhe kryetarin e komunës së do të financojë çdo rrënjë ulliri apo druri frutor që ju do të mbillni në këtë komunë. Ftoj fermerët e Ishmit të bëjnë gjithçka për të krijuar në Ishëm bahçet dhe kopshtet më të mëdha e më të mira të të gjithë rajonit”- deklaroi Berisha. Në morinë e alternativave dhe projekteve të “Aleancës për Qytetarin”, Berisha iu referua edhe alternativës së “rrugës së vetme”. Berisha tha se alternativa e Edi Ramës është karrigia e tij. “Krahas kësaj alternative është alternativa e rrugës së vetme. Të dashur banorë të Ishmit, cila ishte alternativa e rrugës së vetme këto vite? Kjo alternativë ishte alternativa e përpjekjeve të gjithanshme për të bllokuar anëtarësimin në NATO, alternativa e përpjekjeve të gjithanshme për të futur vizat në kuti. Rruga e vetme ishte rruga që shpalli vepër kriminale rritjen dhe dyfishimin e pensioneve tuaj, rritjen e rrogave. Rruga e vetme ishte rruga e bllokimit me çdo kusht të çdo progresi të këtij vendi, por bllokimit të dështuar. Ne le t’ia lëmë këtë rrugë zotit Edi Rama, i cili e ka kryekëput për karrigen e tij. Le të ecim ne së bashku, të ecim së bashku në rrugën e NATO-s, në rrugën e turizmit, të rritjes së rrogave dhe pensioneve, në rrugën e heqjes së vizave për ju, në rrugën e integrimit, në rrugën e kthimit të ëndrrave tona në realitet” - theksoi më tej kryeministri Berisha.
Në Krujë, investime për të zhvilluar turizmin dhe zonën/Kryeministri Sali Berisha ka qenë në qytetin e Krujës ku ka prezantuar kandidatin e mazhorancës për këtë qytet, Shkëlzen Hoxhën. Kreu i qeverisë, përpara elektoratit ka premtuar projekte ambicioze të cilat në qendër kanë patur zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Kjo është alternativa jonë u shpreh, kryeministri Berisha, ndërkohë që lideri i opozitës po ndjek rrugën e vetmisë. “Kruja turistike, do të mbetet kreu i të gjitha përpjekjeve tona. Së shpejti përfundon rruga për në Sarisalltik. Kruja evropiane meriton edhe teleferikun, së bashku ne do të bëjmë që turistë nga mbarë bota me teleferik  të ngjiten ne Sarisalltik. Pyeteni veten pse shoku Edi ka zgjedhur këtë rrugë, rruga e vetme.  Ka zgjedhur këtë rrugë jo vetëm për shkak të trashëgimisë së tij, por sepse ai  është i vetmi politikan që kërkon të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie edhe kryetar partie dhe çdo funksion tjetër”- tha kryeministri Berisha.
Kryeministri ka premtuar një zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës  rrugore për këtë zonë, ndërkohë që një premtim tjetër ka qenë dhe mbështetja e të gjithë fermerëve që do të mbështesin projektin për shtimin e vreshtave të ullinjve. “Do të asfaltojmë rrugën e Qafë-Shtamës, një nga zonat më të bukura malore të Shqipërisë. Së bashku do të ndërtojmë rrugën Krujë-Tiranë. Do të përfundojë autostrada Fushë-Krujë-Thumanë”- tha Berisha. Vetëm gjatë katër viteve të kaluara për zonën e Krujës janë ndërtuar rreth 121 km rrugë, 11 ujësjellësa, 13 shkolla dhe 21 qendra shëndetësore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›