E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu, janë 170 pyetje të reja, do dorëzohen më 10 qershor

19/05/2010 Pyetësori i KE-së

Komisioni Europian është interesuar për të ditur më shumë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare në Shqipëri. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka bërë të ditur dje se KE-ja i ka dërguar 170 pyetje të tjera, të cilat plotësojnë pyetësorin. Sipas saj, një ndër këto pyetje ka të bëjë pikërisht me gjykimin që Kushtetuesja ka bërë mbi komisionet hetimore parlamentare, duke u nisur nga situata konfliktuale politike në Shqipëri mes mazhorancës dhe opozitës. “Ka pyetje të cilën e kemi numëruar si të re, që u përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Sigurisht që debatet politike gjatë këtyre muajve kanë bërë që Komisioni të kërkojë edhe këtë lloj informacioni”, - ka thënë ministrja Bregu. Ngërçi disamujor politik në vendin tonë është reflektuar në prononcime të ndryshme që kanë bërë zyrtarë të lartë europiane, të cilët kanë kërkuar zgjidhjen përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, vendimit të gjykatave të vendit si dhe transparencës. Por KE-ja kërkon të shohë më qartë dhe në këtë mënyrë të vlerësojë pretendimet e opozitës, që kërkon hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, si dhe të mazhorancës, e cila thekson se transparenca arrihet vetëm përmes respektimit të ligjit. Në pyetësorin që u dorëzua zyrtarisht më 14 prill nga kryeministri Sali Berisha, nuk kishte asnjë pyetje që lidhej me ngërçin politik në vendin tonë. Ministrja Bregu, duke u ndalur në pyetjet që kanë mbërritur nga Brukseli, thekson se përveç 170 pyetjeve të reja KE-ja ka dërguar edhe 700 kërkesa, të cilat lidhen me statistikat apo ligjet shqiptare të përkthyera në anglisht. Bregu tha se përgjigjet për pyetjet shtesë do të jepen brenda datës 10 qershor, që përbën një kohë të shkurtër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›