E Shtunë, 31 Tetor 2026

Budapesti, votë “pro” statusit kandidat të Shqipërisë

27-10-2012 / Gazeta 55

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edit’h Harxhi zhvilloi një vizitë dy ditore në Hungari
 
Në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hungaria do të përfaqësohet me Kryeministrin Viktor Orban. Ndërsa në ceremoninë e rivarrosjes së Familjes Mbretërore shqiptare, Hungaria do të përfaqësohet në nivelet më të larta, pasi e konsideruar si një aset me vlerë figurën e Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Xheraldina, pasardhëse e familjes hungareze Aponyi
 
Zv/Ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Edit’h Harxhi zhvilloi një vizitë pune në Budapest në datat 10-12 tetor 2012, me ftesë të homologut hungarez, Sekretarit të Shtetit në MPJ-në e Hungarisë, z. Zsolt Nemeth. Gjatë kësaj vizite znj. Harxhi zhvilloi takime me Sekretarin e Shtetit në MPJ-në hungareze, Zsolt Nemeth, Zv/Sekretaren e Shtetit për Minoritetet, Zhurzhana Repash, Zv/Sekretarin e Shtetit për Politikat, Peter Sztaray, dhe Zv/Sekretarin e Shtetit për Marrëdhëniet me BE-në, Balint Odor.
Në takimet e zhvilluara u diskutua mbi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe perspektivën e zhvillimit të tyre. Gjithashtu u përshëndet progres raporti i Komisionit Evropian, i cili rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke u cilësuar si një arritje historike për popullin shqiptar, pas angazhimit dhe një pune intensive të qeverisë dhe institucioneve shqiptare për plotësimin e 12 prioriteteve, të mbështetur nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë.
Harxhi falënderoi bashkëbiseduesit për ndihmën e çmuar që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, duke nënvizuar se mirëpritet kontributi i Hungarisë në procesin e integrimit të vendit në BE. Një vend të rëndësishëm gjatë bisedimeve zuri edhe thellimi i marrëdhënieve ekonomike në fusha me interes të përbashkët dhe rritjen e investimeve.
Në këtë kuadër, palët u angazhuan për përshpejtimin e punës për mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ekonomik.
Sekretar i Shtetit, Zsolt Nemeth, nga ana e tij, garantoi për mbështetjen e plotë që Hungaria do t’i japë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në vijim, ai informoi Harxhi se në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hungaria do të përfaqësohet me Kryeministrin Viktor Orban dhe në ceremoninë e rivarrosjes së Familjes Mbretërore shqiptare, Hungaria do të përfaqësohet në nivelet më të larta, pasi e konsideruar si një aset me vlerë figurën e Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Xheraldina, pasardhëse e familjes hungareze Aponyi. Vizita e Harxhit në Budapest pati vëmendjen e shtypit dhe medias hungareze. Harxhi dha një intervistë në Televizionin Duna TV, mbi integrimin evropian të Shqipërisë dhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›