Basha: Zgjidhje e drejtë për miradministrimin e të ardhurave

Bashkia e Tiranës, pro mbledhjes së taksës së biznesit të vogël nga administrata tatimore
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë Lulzim Basha vlerëson mbështetjen që Ministria e Financave i dha dje propozimit për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël nga administrata qendrore tatimore.
Në vijim të prononcimeve të mëparshme publike, Basha thekson se mbledhja e taksës së biznesit të vogël, nga administrata qendrore tatimore si dhe përcaktimi i një formule të re të shpërndarjes së të ardhurave për pushtetin vendor, përbëjnë një zgjidhje më të drejtë dhe efiçente për mirë-administrimin e mbledhjes së të ardhurave, luftën kundër informalitetit dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend.
Mbledhja e taksës së biznesit të vogël nga administrata qendrore tatimore, i jep fund dublimit të detyrave mes dy administratave dhe sjell një prani më të reduktuar të tatimorëve pranë biznesit të vogël dhe të mesëm. Kjo reformë u mundëson gjithashtu tatimorëve vendorë të fokusohen në prioritetet e qeverisjes vendore, të tilla si evidentimi dhe mbledhja e taksës së pronës dhe reklamave si dhe bashkërendimin e mbështetjen për organet qendrore tatimore për një vjelje sa më të drejtë të tatimit mbi të ardhurat personale, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi vlerën e shtuar etj. Kjo reformë duhet të ketë si bashkudhëtare edhe përcaktimin e një formule të re të bashkë-ndarjes së të ardhurave mes pushtetit qendror dhe vendor, e cila ndihmon në një ndarje më të drejtë të ardhurave midis njësive vendore, si dhe do të përbënte një garanci për ruajtjen dhe çuarjen përpara të nivelit të decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor në Shqipëri, veçanërisht në fushën e financave.
Propozimi i Ministrisë së Financave/Ministria e Financave propozon që taksa e biznesit të vogël të mblidhet nga administrate tatimore, duke e lehtësuar kështu pushtetin vendor nga procesi i mbledhjes së kësaj takse.
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj njoftoi në lidhje me këtë fakt në mbledhjen e këshillit konsultativ të biznesit. Rushaj bëri me dije se përfaqësuesit e bizneseve, se subjektet që kanë paguat taksës do të pajisen me një pullë specifike.
Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit u prezantua edhe drafti që çon në heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara, të cilat destinohen për investime prej 50 milionë lekësh. Sipas Rushajt, nga zhveshja e kësaj takse, bizneseve u lihen 60 milion dollarë. Të tjera ndryshime që u propozuan në këshillin konsultativ të bizneseve ishte edhe shumëfishimi i gjobave për sipërmarrësit që nuk sigurojnë punonjësit e tyre. Ndërkaq, ministria e Financave ka propozuar te hiqet e tarifa doganore për importin e kafes së papërpunuar.