E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu, në Kosovë: Liberalizimi do të ndodhë në qershor

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, deklaroi se viti 2010 do të jetë viti i lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë. Ministrja shqiptare komentoi raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili ka vënë në dyshim mundësinë e liberalizimit të vizave këtë verë për Shqipërinë dhe Bosnjën, për shkak të mospërmbushjes së të gjitha kritereve. Ne presim shumë shpejt vlerësimin në qershor dhe unë besoj se marrja e vendimit pozitiv është lajmi i parë kryesor i mirë. Data e fillimit të lëvizjes sigurisht që besoj se ka më pak rëndësi sesa marrja e vendimit pozitiv, - deklaroi Bregu pas takimit me homologun kosovar, Besim Beqaj. E pyetur nga gazetarët për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, ministrja shqiptare e Integrimit tha se Kosova ka të drejtën e saj legjitime që të jetë pjesë e konferencave rajonale si shtet i pavarur. Duke iu referuar Serbisë, e cila vazhdimisht kundërshton pjesëmarrjen e Kosovës si shtet në takimet rajonale, Bregu tha se të humbur janë ata që nuk e pranojnë realitetin. Dy ditë më parë, ministrja Bregu është takuar dhe me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi. Në takimin me Sejdiun ajo ka shprehur bindjen se Kosova do të jetë shumë shpejt një përfituese pas liberalizimit të vizave në Shqipëri. Bregu i garantoi Presidentit mbështetjen e saj personale, të ministrisë që ajo drejton dhe të qeverisë shqiptare për të ndarë eksperiencën e proceseve të integrimit evropian me qeverinë kosovare, duke e asistuar atë hap pas hapi në procesin e integrimit. Duke folur për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimet rajonale, Presidenti Sejdiu theksoi se kjo pjesëmarrje do të jetë vetëm në nivel të shtetit të Kosovës. Nga ana e saj, ministrja Majlinda Bregu theksoi se institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe ato të Republikës së Kosovës do të zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat. Ndërsa, Thaçi theksoi se midis Shqipërisë dhe Kosovës ka pasur dhe do të ketë një bashkëpunim të shkëlqyer. Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova është në pritje të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe është duke bërë përpjekjet maksimale për krijimin e regjistrit civil dhe prodhimin e pasaportave biometrike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›