E Diel, 1 Nëntor 2026

Injoruan ceremoninë

Në ceremoninë e djeshme në Vërmicë me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, zyrtarë të lartë dhe deputetë, por nuk ishin përfaqësuesit e opozitës së Kosovës, përveç kreut të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.

Në këtë ceremoni, e cila është konsideruar e rëndësisë së veçantë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ishte as kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, apo zyrtarë tjerë të kësaj partie, as kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, apo zyrtarët e lartë të AKR-së.

Këshilltari i kreut të AAK-së, Haradinaj, Avni Arifi thekson se nuk kanë marrë ftesë nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit për të marrë pjesë në këtë ceremoni.

Megjithatë ai përmend edhe faktin që AAK-ja konsideron se ky projekt po përvetësohet nga PDK-ja.

“Ky projekt nacional po bëhet me qëllim përvetësimi politik nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës dhe meqenëse po duan ta përvetësojnë, hallall u qoftë, le ta marrin”, ka thënë Arifi për Kosovapress.

Me gjithë përvetësimin nga ana e PDK-së, që përmend Arifi, ai pranon se është projekt i Kosovës, megjithatë thotë se në këtë projekt nuk është ftuar AAK-ja dhe kjo sipas tij, dëshmon se qeveritarët e Kosovës, po përpiqen të përvetësojnë madhështinë e këtij projekti.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli thekson se kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli nuk është në Kosovë dhe vetë gjithashtu ka qenë jashtë vendit dhe është kthyer dje në mëngjes në Kosovë, dhe në këtë mënyrë nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në këtë ceremoni.

Megjithëse jo i sigurt, Makolli beson që AKR-në në këtë ceremoni e ka përfaqësuar nënkryetari tjetër, Ibrahim Gashi, por sidoqoftë, ai thotë se ka parë shumë anëtarë të AKR-së nga qendra dhe nga dega e Prizrenit të ishin prezentë në këtë manifestim të rëndësishëm.

“Më duket se zoti Gashi ka qenë, sepse ai ka qenë në Kosovë. Nuk jam i sigurt, por po them se kryetari ka qenë jashtë vendit, unë jam kthyer dje prej udhëtimit dhe nuk kam mundur të marr pjesë, përkundër dëshirës që të jem atje, në një ngjarje shumë të rëndësishme për vendin. Absolutisht ne e kemi vlerësuar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme për vendin, pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Makolli për Kosovapress.

Por Ibrahim Gashi në anën tjetër mohon të ketë qenë, duke thënë se fizikisht nuk ka mundur të jetë në Vërmicë, për shkak të obligimeve familjare.

“Jo, jo s’kam qenë. Unë nuk kam pas fizikisht mundësi të jem atje, sepse kam pasur disa obligime familjare, ndërkaq të tjerët nuk i pash as unë, por nuk i di arsyet. Kanë shkuar sigurisht, po mendoj anëtarët tanë kanë qenë atje, por jo strukturat e partisë, pasi që nuk ka qenë presidenti këtu. Unë s’kam mundur, zoti Makolli më duket ka qenë jashtë”, ka thënë Gashi.

Sido që të jetë zyrtarët e AKR-së, për dallim prej atyre të AAK-së, thonë se kanë marrë ftesë zyrtare për të qenë pjesë e kësaj ceremonie, ndërkaq një gjë të tillë e pohojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Zëdhënësi i MTPT-së, Xhevdet Pozhari ka thënë për Kosovapress, se ftesa u është bërë të gjithë zyrtarëve shtetëror, partive politike dhe institucioneve tjera, pa asnjë përjashtim.

“Unë mund të konfirmoj veçanërisht, se të gjitha institucionet, jo vetëm partitë politike, janë ftuar në këtë ceremoni. Njëkohësisht janë ftuar edhe partitë opozitare dhe partitë tjera. Të gjithë janë ftuar për të marrë pjesë. Të tjerët çka thonë unë nuk e di, por ajo që unë mund t’ju konfirmoj kjo është e sakt”, ka thënë Pozhari.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, ishin të pranishëm presidenti Sejdiu, kryeparlamentari Krasniqi, kryeministri Thaçi dhe kabineti i tij, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq i pranishëm ishte gjithashtu edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, por nuk ishin përfaqësuesit tjerë të opozitës së Kosovës, të cilët e kanë kritikuar vazhdimisht Qeverinë e Kosovës për mungesë të transparencës në procesin e realizimit të këtij procesi. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›