E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu, "presion" armatës së 800 nëpunësve për të plotësuar përgjigjet

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka mbledhur dje "armatën" e njerëzve që do të punojnë për të zbërthyer të gjithë pyetësorin e Komisionit Europian në kohë rekord. Sipas ministres, zyrtarët e Brukselit duhet t‘i marrin përgjigjet e qeverisë së Shqipërisë para kohës së planifikuar prej një viti i gjysmë për të paraqitur para Këshillit të Ministrave të BE-së, raportin për statusin e vendit kandidat. Por nuk ka qenë ditë shumë fatlume për Bregun, pasi ditën e djeshme faqja zyrtare e internetit të Ministrisë së Integrimit është klasifikuar si faqe tërësisht e brishtë që mund të përdoret për sulme përmes kompjuterëve. Bregu ka deklaruar se sipas urdhrit të Kryeministrit janë vënë në punë 800 nëpunës të administratës dhe 58 përkthyer për ta zbërthyer pyetësorin dhe për t‘iu përgjigjur sa më mirë të gjitha kërkesave të Komisionit Europian. Bregu, duke bërë të ditur punën që është zhvilluar deri më tani tha se "më datë 11 dhjetor 2009, ka hyrë në fuqi Urdhri i Kryeministrit mbi ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës, ka hyrë në fuqi projektvendimi i Këshillit të Ministrave mbi organizimin e procesit të përkthimit, si dhe krijimi i strukturave administrative". Në këtë proces janë përfshirë 45 dikastere dhe institucione qendrore ose të pavarura, të cilat kanë përcaktuar listën e nëpunësve civilë që do të marrin pjesë në hartimin e përgjigjeve. Janë përcaktuar deri në këtë moment rreth 600?(Kryeministri 800) nëpunës civilë, të cilët do të marrin pjesë në këtë proces, dhe Ministria e Integrimit pret që ky numër të rritet edhe më tej. Është përcaktuar nga një nëpunës civil brenda Ministrisë së Integrimit, Ministrisë së Financave dhe INSTAT, i cili do të marrë pjesë në grupet ndërinstitucionale si ndërlidhës/koordinues. Ndërkaq, në lidhje me përgatitjen e dokumenteve strategjike është finalizuar metodologjia e cila do të përcaktojë procedurën e hartimit të përgjigjeve dhe rregullat e formulimit të përgjigjeve. Ministria e Integrimit është angazhuar në një fushatë intensive informimi mbi procesin e pyetësorit. Bregu deklaroi se janë trajnuar nëpunësit civilë që do të marrin pjesë në proces nga 22 ekspertë ndërkombëtarë të fushës. Duke iu referuar numrit më të madh të pyetjeve që ka dokumenti për Shqipërinë, krahasuar me Malin e Zi, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se "Pyetësori përmban pyetje, përgjigjet e të cilave ndihmojnë Komisionin Europian për të kuptuar dhe vlerësuar situatën aktuale në vend për sa i përket përmbushjes së detyrimeve në fusha të caktuara dhe perspektivën e vendit në plotësimin e standardeve për anëtarësim. Si rrjedhojë, pyetjet e pyetësorit variojnë nga vendi në vend. Duhet theksuar se Shqipëria ndryshe nga Mali i Zi është anëtare e Organizatës Botërorë të Tregtisë dhe NATO-s dhe ka pyetje edhe për këto fusha, për këtë arsye numri i pyetjeve nuk është i njëjtë me atë të Malit të Zi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›