E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi, sekretariati i PD, në dorë të Berishës

Emrat fitues të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike priten të bëhen publike vetëm paraditen e të premtes. Burimet në PD, bëjnë të ditur se ndonëse procesi i numërimit po ecën me intensitet të plotë, volumi i punës është i madh dhe për pasojë 100 emrat fitues do të jenë gati vetëm ditën e premte. Po kështu, këto burime saktësojnë se pasditen e djeshme, u kalua nga nëntë anëtarët e komisionit të numërimit gjysma e fletëve të votimit, pra rreth 600 prej tyre. Volumi i madh i punës lidhet edhe me faktin se në Kuvendin e Partisë Demokratike të mbajtur tri ditë më parë morën pjesë 1267 delegatë nga të gjitha degët e PD-së. Ky numër delegatësh ka shqyrtuar për çdo fletë votimi nga 400 emra kandidaturash për Këshillin Kombëtar, ku mes tyre ka zgjedhur 50 deri në 100 kandidatët e tij të preferuar. Fleta e votimit të secilit kandidat ka qenë e përbërë nga 10 faqe dhe për pasojë, volumi i punës për komisionerët demokrat është i madh. Procesi i numërimit i cili po kryhet prej tri ditëve në selinë e demokratëve ka qenë intensiv dhe i pandërprerë. Ashtu si një proces numërimi edhe në PD, janë marrë masa që ky numërim të mos ketë shkëputje dhe komisionerët të kenë të drejtën e shkëputjes vetëm në oraret e caktuara për të ngrënë dhe jo për të pushuar gjatë. Por komisionerët demokratë arritën të përfundonin brenda pak orëve procesin e numrit për kryetarin e PD-së. Kjo nisur edhe nga fakti se Kryeministri Berisha, nuk kishte rival në garën e tij brenda PD-së dhe ishte e vetmja kandidaturë në fletën e votimit. Po kështu, përgjatë punimeve të kuvendit të demokratëve, u deshën vetëm pak sekonda për të miratuar edhe ndryshimet e bëra në statutin e PD-së. Votimi për këtë dokument të rëndësishëm të demokratëve u bë në mënyrë të hapur, ku personat të cilët ishin pro ndryshimeve, ngritën mandatin e tyre për të aprovuar statutin e ri. Me përzgjedhjen e 100 fituesve të Këshillit Kombëtar dhe më pas me shtimin e emrave të cilët në bazë të statutit futen automatikisht në Këshill Kombëtar, kryetari i PD-së, konstituon forumin e lartë drejtues demokrat. Por është pikërisht kryetari i PD-së, njëkohësisht Kryeministri Berisha, personi i vetëm i cili vendos edhe kohën kur anëtarët e këshillit të ri do të mblidhen për të zgjedhur sipas statutit emrat e nënkryetarëve të partisë, sekretarit të përgjithshëm edhe pjesës tjetër të sekretariatit të PD-së. Ende nuk dihet nëse kjo datë nga Kryeministri Berisha do të vendoset brenda këtij muaji apo në janarin e vitit të ardhshëm.

F.Mejdini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›