Manjani: Fatkeqësisht PS është kthyer në OJQ
Anëtari i Asamblesë Kombëtare të socialistëve, Ylli Manjani, pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, ishte i vetmi zë që theu unanimitetin e mbledhjes së radhës së kësaj strukture. Në një komunikim me mediat, jashtë sallës ku vazhdonte të zhvillohej diskutimi, Manjani tha se parashikimi i tij i bërë në mbledhjen paraardhëse, se PS është kthyer në një OJF u vërtetua. "Më duhet të pranoj që jam absolutisht shumë i palumtur që parashikimi që kisha bërë në mbledhjen e fundit të Asamblesë që PS është kthyer në OJQ, u vërtetua sot. U vërtetua sot me diskutimet të mërzitshme dhe të tejzgjatshme, të tipit OJQ të modelit të vjetër, ku nuk u tha asgjë e re në thelb, nuk u dha asnjë zgjidhje nga shqiptarët", theksoi ai. Ndërkohë, vijoi Manjani, sot nga Partia Socialiste të paktën unë prisja se çfarë do të bëjmë për të pastruar politikën, në mënyrë të veçantë PS, nga biznesmenët dhe për t‘ia kthyer partinë elektoratit. Manjani shprehu zhgënjimin që në mbledhje nuk u diskutua për bashkimin e së majtës, apo një opsion se si do vihet në pushtet. "Për fatin e keq, as sot nuk u dha një opsion, as nuk ka ndërmend kush të japë një opsion se si do të vihet në pushtet, kërkohen zgjedhje të parakohshme, por askush nuk e di se si do të bëhen zgjedhjet e parakohshme. Kërkohet të rrëzohet qeveria, por askush nuk thotë se si do të bjerë qeveria. Kutitë u harruan, nuk e di për çfarë arsye. Kështu që, tani nuk merret vesh më ku është fillimi dhe ku është fundi i kësaj historie. Nga kjo pikëpamja them që edhe kjo mbledhje vërtetoi zhgënjimin tim", tha Manjani.
A.Th.
A.Th.