E Diel, 1 Nëntor 2026

"Hap kutitë ose largohu!" ndalet sot në Elbasan

Partia Socialiste do të protestojë sot në qytetin e Elbasanit për krizën ekonomike dhe kërkesën e saj të hershme për hapjen e kutive. Pas ndalesës në qytetin e Durrësit dhe të Beratit, PS do të organizojë tubimin në Elbasan, për të vijuar në Korçë e më pas Fier, Vlorë, Shkodër e Lezhë, duke e mbyllur këtë javë protestash në Tiranë. Deputetja e selisë rozë, Shega Ligori, tha dje se për qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, është koha të protestojnë, më fort se kurrë kundër këtij pushteti që ka vjedhur votat e i mban ato të mbyllura në kuti dhe bashkë me to edhe shpresat dhe ëndrrat tona, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. "Të protestojmë kundër njeriut i cili mban peng Shqipërinë Europiane, njeriut që ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë shtetin e së drejtës, njeriut i cili kërkon të jetë Zoti ynë, gjykatësi ynë, prokurori ynë, polici ynë. Sali Berisha nuk e njeh e nuk do ta njohë varfërinë e qytetit tim dhe të gjithë Shqipërisë, nuk di se ka njerëz në këtë vend që nuk ngopin as barkun me bukë, sepse ai nuk sheh tej oborrit të familjes së tij, nuk e njeh jetën e tyre të vërtetë, ngaqë edhe votën e ka të gënjeshtërt", vijoi Ligori. Sipas saj, Sali Berisha nuk e di se janë qindra mijëra qytetarët e këtij vendi që nuk përballojnë dot faturat e energjisë elektrike, sepse ai është autor i errësirës që ka pllakosur këtë vend, ndërkohë që i ka borxh vetëm biznesit të Elbasanit miliona lekë për investimet e bëra në shkolla, rrugë dhe që janë të palikuiduara vetëm sepse ato nuk janë biznese të familjes së tij apo të fazlliçëve të tij. Dy ditë më parë, gjatë protestës së Beratit, kreu socialist vuri theksin te

problemet sociale dhe kriza ekonomike që ka kapur vendin. "Nuk ka festë për familjet shqiptare që presin një faturë të re. Çmimi i energjisë bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kjo do të sjellë rritje të pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur vendin ligjëron një Parlament pa legjitimitet. Ky pushtet i grabitur do t‘i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit, ky pushtet agresiv do të bëjë çmos për ta kthyer qeverisjen në një regjim për familjen e Sali Berishës", theksoi Rama. Ndërsa deputeti socialist, Erion Braçe, e konsideroi Kryeministrin Berisha rrezik popullor që ka rritur papunësinë. "Motoja korruptive e tij është: shfrytëzo një milion familje për një familje të vetme. Pra, për familjen e tij, për këtë është rrezik popullor. Sot çmimi i energjisë u rrit me 10% për të gjithë të varfrit, për gjithë të tjerët me 13% dhe që nga 1 janari për çdo familje u rrit me 13.5%", sqaroi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›