E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu takohet me Brok: Marrja e statusit varet nga rezultatet e Shqipërisë

Elmar Brok

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka zhvilluar një takim me kreun e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, Elmar Brok.

Eurodeputeti gjerman është shprehur me nisjen e dialogut dhe bashkëpunimit mazhorancë-opozitës, Shqipëria ka plotësuar një prej kushteve për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

Mendoj që ai ishte problemi më i madh; ne nuk besonim se në Shqipëri do të vendosej një dialog midis forcave politike si ai i një demokracie klasike. Dialogu po funksionon dhe kjo përbën plotësimin e një kushti për të ecur përpara, është shprehur Brok.

Ai ka nënvizuar që PE pret që deri në fund të muajit maj të mbyllen reformat parlamentare dhe zgjedhore, të nisura me konsensusin PD-PS.

Ne presim si Parlament që në fund të majit të kemi rezultate për përfundimin e reformave, çka do të ketë një ndikim të madh për konstituimin e statusit të kandidatit për Shqipërinë, ka nënvizuar kreu i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ndërsa lidhur me faktin nëse Shqipëria do të marrë mbështetjen e PE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat, Brok u përgjigj prerë se kjo varet nga rezultatet e Shqipërisë.

Do të shohim rezultatet e Shqipërisë në të gjitha fushat në progres-raportin e Komisionit Evropian, por duke qenë, se vitin e shkuar pengesa kryesore ka qenë pikërisht dialogu politik, ka një arsye të fortë për marrjen e statusit të kandidatit këtë vit, është shprehur eurodeputeti gjerman. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›