Breivik planifikonte sulme më të mëdha në Oslo

Anders Behring Breivik, që ka pranuar se ka vrarë 77 persona, i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për të katërtën ditë me radhë.
Militanti 33 vjeçar anti-islamist, ka thënë se në korrik të vitit të kaluar, fillimisht kishte planifikuar të shpërthente tre bomba që do të kishin në shënjestër ndërtesat e qeverisë dhe zyrat e Partisë së Punës, ose të pallatit mbretëror.
Ai nuk ka përmendur nëse do ta lëndonte familjen mbretërore, meqë mbështet monarkinë.
Breivik ka thënë se ka kaluar “kohë të gjatë” duke luajtur video-lojëra online si atë Modern Warfare për “qëllime trajnimi”.
Në vitin 2006 dhe 2007 ai ka thënë se ka luajtur për një vit të tërë lojën World of Warcraft, shpesh herë 16 orë në ditë.
Breivik ka vrarë 77 persona në shpërthimin në Oslo dhe nga të shtënat me armë në ishullin Utoja të Norvegjisë në korrik të vitit 2011.
Ai i ka përshkruajtur sulmet si “vetëmbrojte” kundër politikave multikulturaliste të qeverisë.
Breivik ka thënë se qëllimi i sulmit në ishull ka qenë “që të vriten të gjithë të pranishmit në kamp dhe jo vetëm 69.”