“Brenda 4 vjeçarit të ardhshëm shndërrojmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar”

Ministri Arben Imami merr pjesë në çeljen e fushatës së PLL në Elbasan
Kryesuesi i listës së PD për qarkun e Elbasanit, ministri Arben Imami ka marrë pjesë në çeljen e fushatës së PLL në Elbasan, duke shprehur bindjen se koalicioni i PD do të fitojë këto zgjedhje për ta çuar vendin në katër vjeçarin e ardhëm në një vend në zhvillim në të gjitha fushat. Pasi ka uruar PLL dhe kandidatët e saj për një fitore sa më të madhe në qarkun e Elbasanit Imami ka deklaruar se “Legaliteti është një nga partitë më të mëdha në Shqipëri, është një parti që ka patur fatin tragjik duhet ta pranojmë, është persekutuar me dhjetëra vjet, edhe figura modeli Mbreti Zog i Parë u sulmua, u poshtërua me dhjetëra vjet. Por figurat e mëdha të Shqipërisë, sado që shkelen, sado që përbuzen, e çajnë vetë rrugën e Pavarësisë. 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, i formimit të shtetit shqiptar, nuk mund të linte jashtë harresës jashtë vëmendjes, si qytetar, si shqiptar, figurën e lartë të Mbretit Zog. Nëse flasim për shtet të strukturuar shqiptar, ne mund të flasim vetëm për atë krijesë e cila u bë në vite të vështira mbas Luftës së Parë Botërore, ku të gjithë fqinjët tanë luftonin ta copëtonin Shqipërinë, dhe kur klasa drejtuese shqiptare i gjithë populli shqiptar bëri përpjekjet më të mëdhaja për ruajtjen e mëvetësisë dhe integritetit territorial. Këtu do të shënojmë një ngjarje të madhe të historisë sonë kombëtare që ende nuk ka marrë vendin që i takon që është Kongresi i Lushnjes, dhe mandej me të gjithë hapat që u ndërmorën pas saj me qeverinë e Tiranës, me luftën e Vlorës dhe ku padyshim si një yll në ringjitje shkëlqeu Ahmet Zogu. Ahmet Zogu dhe PLL janë pjesë e pandarë e traditës sonë shtetformuese, dhe jam plotësisht dakord me sloganin “ Ti kthehemi traditës”. Uroj që me këtë slogan PLL të çajë si një nga aletatet më besnike dhe më të qëndrueshme të PD. Në vijim të fjalimit të tij Imami ka uruar kreun e PLL Ekrem Spahiu suksese në këto zgjedhje, duke shtuar se “roli i kreut të PLL ka pasur një rol të pazëvendësueshëm në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë demontimit të municioneve”. Duke u ndalur tek zgjedhjet Imami tha se “ këto zgjedhje e forcojë dhe do ta forcojnë këtë lidhje midis PD dhe PLL, në këto zgjedhje ky koalicion dhe kjo aleancë dhjetëra vjeçare është konsoliduar edhe më fort me paraqitjen e përbashkët tonën jo vetëm si koalicion por edhe në listat e PD, ky ka qenë një vendim shumë i mençur i kryetarit të Partisë sonë kryeministrit Sali Berisha. Jemi të sigurte se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të mira të mbara, zgjedhje të drejta dhe të lira, dhe kjo do të ishte fitorja më e madhe në këto zgjedhje. Ne jemi të bindur se populli shqiptar do të votojë partitë e koalicionit, sepse ne, partitë e koalicionit këto tetë vjet ia kemi ndërruar faqen këtij vendi dhe do të vazhdojmë ta ndërrojmë dhe brenda këtij katër vjeçarit të ardhshëm do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Kjo ka qenë ëndrra e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë atyre burrave që vunë themelet e këtij shteti, dhe kemi si detyrim që këtë ëndërr të tyre këtë projekt të tyre do ta realizojmë. Në fund të fjalës së tij Imami shprehu bindjen se së bashku me koalicionin do të arrijmë një fitore dhe një surprizë në Elbasan, dhe këtë surprizë nuk do ta bëjmë vetëm, por me të gjithë koalicionin, të gjithë bashkë, sepse do të hapet rruga, ne do ta bëjmë këtë surprizë sepse ne kemi investuar në bujqësi, në arsim, në shëndetësi, kemi investuar për tregun për pronarin, për fermerin për këto vajza për djem, dhe kemi investuar atë që është më e rëndësishmja, shpirtin tonë për të ardhmen e këtij vendi.