E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda dy ditëve pritet kompensimi për 700 ish-pronarë

Shaban Memia, drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t: “4 mijë objekte janë gati për legalizim”

Anilejda Shëmbitraku

“ALUIZNI po punon me ritme të larta për të arritur objektivat që i ka vënë vetes”. Kështu ka deklaruar në një prononcim të dhënë për gazetën “Albania” Shaban Memia, drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t. “Po punojmë me ritme shumë të larta për të arritur qëllimet që i kemi vënë vetes dhe për t’u dhënë qytetarëve ligjshmërinë e pronave të tyre. Çdo muaj specialistët tanë përfundojnë dokumentacionin tekniko-ligjor për 2000 deri në 5000 objekte informale”, - ka deklaruar Memia.

Kompensimi
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t pritet që brenda këtyre dy ditëve të përfundojnë procedurat për legalizimin e 4 mijë objekteve informale. “Ne kemi përfunduar të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor për legalizimin e 4 mijë objekteve informale dhe për kompensimin e 700 ish-pronarëve. Ashtu siç kemi theksuar vazhdimisht, por mbi të gjitha ashtu siç është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj, procesi i legalizimeve shkon paralelisht me procesin e kompensimit të ish-pronarëve”, - ka deklaruar Shaban Memia në një prononcim të dhënë për gazetën. Çdo qytetar fiton të drejtën të marrë tapinë e shtëpisë së tij pasi ka shlyer detyrimet ndaj shtetit. Procedura ka nisur me matjet dhe verifikimet e bëra nga ALUIZNI dhe përgatitja e një dosjeje të plotë për çdo qytetar. Më pas, me ligjin e ri për pagesën me bono privatizimi, kësaj dosjeje i shtohet dhe kërkesa e bërë nga vetë qytetarët për mënyrën se si duan të bëjnë pagesë.

Pagesa
Kompensimi financiar i pronarëve do të bëhet për të gjithë sipërfaqen e tokës së shpronësuar, por pagesa e të gjithë shumës së parave do të bëhet me këste. Qeveria ka zgjedhur të përdorë edhe për ish-pronarët të njëjtën skemë që do të zbatohet për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, duke e bërë kompensimin e parave me këste. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve, si dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit përdoret për kompensimin e subjekteve të shpronësuara në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave që gjenden në fondin e kompensimit të pronave. Kjo skemë do t’i japë mundësi qeverisë që të përcaktojë një afat konkret për përmbylljen e këtij procesi, si dhe do t’u japë mundësi ish-pronarëve të marrin të gjithë shumën për pronën e tyre, pasi deri vitin e kaluar kompensimi bëhej për sipërfaqe deri në 200 metra katrorë.
Kërkesa
Shtyrja e afatit për shlyerjen e faturës financiare

Zyra qendrore e ALUIZNI-t ka të drejtë të miratojë zgjatjen e afatit të pagesës së detyrimit për subjektin individual, i cili nuk ka likuiduar këstin sipas kontratës. Afati maksimal për përmbushjen e këtij detyrimi është jo më shumë se 3 vjet të tjerë. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në varësi të rasteve të deklaruara për paaftësi paguese, të përcaktojë mënyrat dhe procedurat alternative për shlyerjen e detyrimit. Likuidimi i çmimit të kontratës së shitjes kryhet në numrin e llogarisë bankare të çelur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Pagesa mund të bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi dhe me bono privatizimi. Për sipërfaqet jashtëligjore (këtu kemi parasysh sipërfaqet mbi 500 metra katrorë), pagesa parashikohet me vlerën e tregut. “Në qoftë se një personi i takon të legalizojë banesën dhe 300 metra katrorë në përputhje me ligjin, ai, 80 për qind do t’i paguajë me letra me vlerë, pra ashtu siç janë përcaktimet ligjore. Sipërfaqja ekstra, që është jashtë parashikimit ligjor të procesit të legalizimit dhe që është parashikuar të paguhet me vlerën e tregut, do të jetë 50% me letra me vlerë dhe 50% me lekë”, – theksojnë specialistët e ALUIZNI-t.

Mënyrat
Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi; me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të ligjit. Bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.

Kostoja
1- Tarifa e shërbimit nga ALUIZNI (për çdo kat të ndërtimit informal): 4 mijë lekë
2- Taksa e ndikimit në infrastrukturë: 2% e kostos së ndërtimit
3- Gjoba për sipërfaqet pa leje për individët: 4% e çmimit fiskal
4- Gjoba për sipërfaqet pa leje për ndërtuesit: 10% e çmimit fiskal
5- Gjoba për ndryshimin e destinacionit nga ndërtuesit: 20% e çmimit fiskal

Skema
1- Parcelë ndërtimore që përdoret për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë
2- Parcelë ndërtimore që përdoret për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë
3- Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë
4- Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë
5- Shtesat në pallatet e reja shlyhen vetëm me para kesh dhe nuk përfshihen në skemë

20 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›