Përgjimet, kompanitë private që cënojnë privatësinë e punonjësve
Ervin KOÇI
Jo vetëm personat e inkriminuar ose ata që kanë probleme me ligjin, por edhe qytetarët e thjeshtë janë gjithë kohës nën rrezikun e cenimit të privatësisë. Në Shqipëri ku ka një vakum të madh ligjor porsa i përket çështjes së ruajtjes së sekretit dhe të dhënave personale, qytetarët janë të ekspozuar ndaj këtij fenomeni. Por disa nga njohësit më të mirë të këtij sektori kanë thënë për gazetën “Albania” se nuk janë të pakta institucionet private, të cilat cenojnë privatësinë e punonjësve të tyre nëpërmjet metodave të ndryshme përgjuese. Që dalë nga dalë jeta po kthehet si në një realit-show ku çdo gjë survejohet, kjo ka nisur të kuptohet nga shumë individë. Por fakti që ata mund të përgjohen pa dijeninë e tyre, kjo do të bënte cilin do nervoz dhe do ta revoltonte. Por ekspertët të cilët nuk kanë dashur të identifikohen kanë thënë se, “në shumë raste institucione të ndryshme dhe kompani private, si banka, kompani biznesi, apo edhe zyra, janë kthyer në objekte përgjimi nga ana e pronarëve të cilët kanë të instaluara pa dijeninë e punonjësve të tyre kamera, mikrokamera dhe mikrofon të fshehur ku dëgjojnë të gjitha bisedat dhe kontrollojnë të gjitha lëvizjet, madje deri në tualete”. Ekspertët shkojnë edhe më tej në pohimet e tyre duke thënë se, “janë disa kompani private të fuqishme, të cilat shpesh bëjnë edhe sigurimin e tablateve telefonike të celularëve të punonjësve të tyre, në një kohë që telefonat fiks, si dhe rrjetin elektronik të postës elektronike e kontrollojnë prej kohësh”.
Abuzimi
Kontrolli i telefonave, tablateve telefonike celulare, i postës, postës elektronike, i rrjeteve sociale, si dhe llogarive bankare personale, përbën një shkelje të hapur të të drejtave të njeriut dhe cenon privatësinë e individit. Sipas Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun në Komisionin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Igli Pira, cenimi i këtyre të drejtave, si dhe moslajmërimi i individëve për hapësirat e survejuara, përbën një vepër të rëndë penale. “Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale merret direkt me verifikimin dhe zbulimin e rasteve kur cenohet privatësia dhe të dhënat personale. Kur këto raste denoncohen dhe vijnë pranë këtij Komisioni, atëherë ai merret dhe shqyrton rastet përkatëse duke i ndjekur ato”,- tha për “Albania”-n, drejtori Pira. Sipas tij, deri tani nuk pasur raste të denoncimit të cenimit të të dhënave personale nga asnjë subjekt apo individ. “Për këtë vit nuk ka pasur asnjë denoncim konkret për raste të tilla të cenimit të privatësisë, por nëse verifikohen raste të tilla fillimisht Komisioni procedon me gjoba, e më pas edhe me sanksione më të rënda ndaj subjektit. Çdo hapësirë e survejuar me kamera dhe mikrofona në cilindo institucion, duhet të njoftohet nga tabela të posaçme me shkrim dhe shenja konvencionale”,- tha drejtori Pira.
Regjistrimet
Periudha e mbajtjes së regjistrimit duhet të jetë e përcaktuar. Periudha e mbajtjes së
të dhënave nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të lejuar të kohës, për përmbushjen e qëllimit të video-survejimit. Të dhënat duhet të ruhen brenda një harku kohor, për shembull njëzet e katër orë, nëse një pronë ruhet vazhdimisht, ose për një periudhë më të gjatë por jo më tepër se 7(shtatë) ditë dhe pas kalimit të kësaj periudhe duhet ti fshijnë të dhënat (këto periudha kohore justifikohen të shtuara vetëm me përfshirjen në to të ditëve të pushimit dhe festave). Kjo nuk vlen për regjistrimet e bëra nga policia në përputhje me një ligj të veçantë. Vetëm në rastin e ekzistencës së një aksidenti sigurie të dhënat duhet t’u jepen autoriteteve ekzekutive, gjykatave ose institucioneve të tjera të ngjashme. Është e rëndësishme që të dhënat personale të mbahen të sigurta dhe që të mos keqpërdoren apo korruptohen në ndonjë mënyrë. Siguria nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e masave fizike, megjithëse këto janë shumë të rëndësishme. Siguria gjithashtu ka të bëjë me organizimin e punës në një mënyrë të tillë që risku të minimizohet, për shembull duke e siguruar që personeli të mund ti shohë të dhënat vetëm kur kjo është e nevojshme që ata të kryejnë punën e tyre në mënyrën e duhur dhe duke e trajnuar personelin në lidhje me çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë.
Përdorimi i video-survejimit
Instalimi dhe përdorimi i sistemit të video-survejimit të bëhet në atë formë që
përpunimi i të dhënave të kryhet në përputhje me të drejtat themelore të njeriut, të drejtën për privatësi dhe të drejtën për jetë private dhe familjare. Këto të drejta janë të mbrojtura nga neni 12 i Kartës së të Drejtave dhe Lirive Themelore dhe nga neni 8 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Një sistem video-survejimi dhe lidhja me ndërhyrjen në jetën private mund të konsiderohet i arsyeshëm ose i përshtatshëm për të arritur objektivat e Kontrolluesit, por gjithmonë pa cenuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve.
Kush mund të video-survejohet dhe si
a) Godinat zyrtare ose të biznesit
Që të dy, si sektori publik dhe ai privat mund të vendosin video survejime në hyrje të
godinës zyrtare ose të biznesit nëse kjo është e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe të
pronës, për të siguruar dhe mbikëqyrur hyrjet dhe daljet në ndërtesë, ose nëse nga natyra e punës ka një kërcënim potencial për punëdhënësit. Vendimi mund të merret nga organi
kompetent zyrtar, drejtuesi i zyrës ose nga individë të tjerë kompetentë. Vendimi i shkruar duhet të shpjegojë arsyet pse do të futet në përdorim video survejimi. Video survejimi mund të vendoset edhe nga rregullimet e ligjit ose akteve të tjera. Të gjithë punonjësit që punojnë nën vëzhgimin e kamerave duhet të njoftohen nga punëdhënësi me shkrim. Sistemi i të dhënave të vëzhgimit/survejimit duhet të përmbajë regjistrime të individëve (imazhin, zërin), datën dhe kohën e hyrjeve dhe daljeve nga ndërtesa, gjithashtu edhe emrin e mbiemrin e personit, adresën e rezidencës së përhershme ose të përkohshme, punësimin, numrin dhe tipin e dokumentit personal (të identifikimit) dhe arsyet e hyrjes.
b) Godinat e banimit
Në ditët e sotme shumica e njerëzve që jetojnë në godina me apartamente mund të
vendosin të pajisen me kamera sigurie. Për të vendosur këto kamera sigurie duhet që të jepet konsensusi/pëlqimi i shkruar i më shumë se 70% e pronarëve të apartamenteve të ndërtesës. Kamerat e sigurisë (video survejimet) në godinat e banimit (pallatet) vendosen vetëm për të mbrojtur sigurinë e njerëzve dhe të pronës, prandaj është i lejuar vetëm monitorimi i hyrjeve, daljeve dhe hapësirave të zakonshme. Është e ndaluar të vëzhgosh me kamera sigurie banorët e apartamenteve, veprimtarinë/aktivitetin e pronarëve të apartamenteve, ose hyrjen në apartamente të veçanta. Është gjithashtu e ndaluar të mundësosh kontrollimin e regjistrimeve nëpërmjet televizorëve të brendshëm (individual), televizioneve publike, internetit, ose me mënyra të tjera të telekomunikimit të afta për të transmetuar këto regjistrime.
c) Ambientet e punës
Kamerat e sigurisë mund të vendosen në ambientet e punës vetëm nën kushtet dhe
mënyrën e parashikuar nga ligji. Ato mund të vendosen vetëm në raste të veçanta, kur
nevojitet për sigurinë e njerëzve dhe pronës, për të mbrojtur të dhënat sekrete ose sekretet
tregtare dhe kur ky qëllim nuk mund të arrihet me mënyra të tjera më të arsyeshme. Për këtë arsye, kamerat e sigurisë mund të vendosen vetëm në ambientet e punës që duhen vëzhguar për arsye sigurie. Është e ndaluar të monitorohen në ambientet punës, veçanërisht dollapët, sirtarët, ashensori dhe ambientet sanitare. Paraprakisht, në lidhje me video regjistrimet, punëdhënësit si të sektorit publik edhe të sektorit privat duhet të konsultohen me përfaqësuesin e sindikatës së punëtorëve si dhe duhet të njoftohen punonjësit që ambientet survejohen me kamera.
20 Janar 2011