Ndryshon programi arsimor për shkollat 9-vjeçare
Nga klasa e parë deri në të nëntën do të ketë një ndryshim të kurrikulave, ndërsa përsa u përket shkollave të mesme, ato nuk do të kenë ndryshim të tyre. Kështu ka deklaruar drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit, e cila thotë se edhe vlerësimet e ndërkombëtarëve, nga studimet që kanë bërë, rezultojnë se ndryshimet duhet të fillojnë në arsimin bazë. “Kurrikula e arsimit bazë ka nevojë për rishikime, për integrim ndërlëndor dhe ka nevojë për ndryshime qoftë në planin mësimor, qoftë në standarde", - deklaron Tidita Abdurrahmani, drejtoreshë e Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Por, ndryshimi i programeve mësimore nuk do të jetë gati në fillim të vitit të ri shkollor, ndërkohë që më kurrikulat e reja do të ketë edhe një ndryshim në shpërndarjen e orëve mësimore, si dhe më shumë kritere në kualifikimin e arsimtarëve. “Me rishikimin e programeve dhe rihartimin e programeve të reja vazhdon hartimi i teksteve përkatëse dhe për këtë cikli i plotë i zbatimit të një kurrikule të re do një periudhë kohe”, - është shprehur ajo. Një nga rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë që janë marrë me monitorimin e kurrikulave në arsimin parauniversitar thotë se për standarde më të mira duhet që të ndryshojë dhe ngarkesa mësimore, pasi nxënësit, në veçanti ata të klasave të gjashta dhe të nënta, bëjnë shumë orë mësimi në javë.
20 Janar 2011