Brenda gjashtëmujorit të parë të 2010, shqiptarët, pa viza në BE
Komisionerët Olli Rehn dhe Jacques Barrot konfirmuan dje sigurinë se shqiptarët do të lëvizin pa viza për në vendet e hapësirës “Shengen”, brenda gjashtëmujorit të parë të 2010-s, sapo të verifikohet suksesi i pajisjes së qytetarëve me pasaportat e reja biometrike.
TIRANE - Propozimi për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është çështje muajsh. Lajmi është konfirmuar nga vetë komisionerët evropianw Olli Rehn dhe Jacques Barrot, gjatë një konferencë për shtyp ku u tha se, nëse Shqipëria vazhdon me këtë rrugë të ndjekur deri tani, në plotësimin e standardeve ajo do të përfshihet në këtë regjim në mesin e 2010-s.
Gjatë kësaj konference, Rehn dhe Barrot bënë të ditur edhe propozimin e Komisionit Evropian për lehtësimin e regjimit të vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm nuk do të ketë më viza për shtetasit e këtyre vendeve që udhëtojnë në hapësirën e BE-së. Propozimi i Komisionit Evropian duhet të miratohet nga Këshilli, pasi ky i fundit të jetë këshilluar me Parlamentin Evropian.
Komisioneri Rehn tha se përfshirja e dy vendeve, Bosnjes dhe Shqipërisë është objektivi kryesor i Komisionit.
Nëse progresi i tyre vazhdon me këtë ritëm besoj se të dy vendet do të arrijnë vendet e tyre fqinje shumë shpejt, nëse kushtet plotësohen Komisioni Evropian do të përpilojë propozim të ri që do t’i përfshinte ato në mesin e 2010-s. “Është synimi si edhe bindja jonë e plotë se Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina do të vazhdojnë të njëjtën rrugë. Udhërrëfyesi është ende i vlefshëm dhe tërësisht i arritshëm nëse autoritetet e këtyre vendeve përkushtohen tanimë plotësisht drejt standardeve të duhura. Nëse ato vazhdojnë të përparojnë me këtë ritëm, besoj se të dyja vendet do t’i bashkëngjiten fqinjëve të tyre. Nëse përmbushen të gjitha kushtet, Komisioni do të mund të mendojë përpilimin e një propozimi të ri që do t’i përfshinte edhe këto dy vende nga mesi i vitit 2010”, u shpreh dje komisioneri Rehn.
Dy diplomatët Olli Rehn dhe Jacques Barrot, deklaruan se Shqipëria nuk u përfshi në këtë proces për shkak se nuk ka futur ende në një proces masiv pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. Komisionerët Rehn dhe Barrot shprehën besimin se gjatë tyre pak muajve Shqipëria do të kapërceje problemet teknike dhe do të jetë gati për të përfituar këtë regjim. Komisionieri Barrot theksoi se nuk do t’i lerë qytetarët e Shqipërisë që të presin gjatë, duke deklaruar se do të nxisë qeveritë e dy vendeve që të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet në mënyrë që deri në qershor të vitit të ardhshëm të vijë një propozim edhe për këto dy vende.
Ndërsa për sa i përket Bosnjes, Komisioni Evropian vendosi për kushtet që ajo nuk ka plotësuar për të përfituar këtë regjim janë shkaktuar nga tensionet etnike në vend. Komisioneri i drejtësisë Jacques Barrot mohoi se këto dy vende Shqipëria dhe Bosnja kanë ngelur në klasë dhe theksoi se futja e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë regjim nuk do të thotë aspak se ato po dënohen, por ato po mbarojnë progresin e tyre në plotësimin e standardeve që në pak muaj do ti çojë në listën e “Shengenit”.
Një gjë të tillë e konfirmoi dje edhe Delegacioni Komisioni Evropian në Tiranë, i cili bëri të ditur dje zyrtarisht se, “do të ruajë përkushtimin e vet për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Shqipërisë, dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Megjithatë, këto shtete ende nuk i kanë përmbushur kushtet që duheshin për të qenë pjesë e propozimit të sotshëm. Nëse vazhdon ritmi i reformave dhe kushtet plotësohen, Komisioni do të mund të përpilonte një propozim të ri që do t’i përfshinte këto vende nga mesi i vitit 2010”.
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, komenton për vlerësimet e KE-së: “Qeveria brenda vitit plotëson kushtin e vetëm, pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike”
TIRANE - Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha përshëndeti qëndrimin e drejtuesve më të lartë të Komisionit Evropian Olli Rehn dhe Jacques Barrot për sa i përket propozimeve të tyre për procesin e liberalizimit të vizave.
Deklarata e Ministrit të jashtëm të Shqiëprisë, Lulzim Basha, u bë dje, pas vendimit të Komisionit Evropian që propozon liberalizim të vizave me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Basha e sheh këtë vendim si dritë jeshile dhe garanci të plotë edhe për Shqipërinë.
Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, kushti i vetëm që tashme duhet të plotësoje vendi ynë për të përfituar nga ky proces është pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike. “Dëshiroj të përshëndes propozimin e bërë nga Komisioni Evropian në konferencën për shtyp të Jacques Barrot dhe Olli Rehn, për liberalizimin e vizave. Ky vlerësim është një tregues i qartë për procesin e liberalizimin e vizave është një proces i besueshëm. Në veçanti dëshiroj të përshëndet angazhimit e komisionit Evropian për të vazhduar brenda një kohe sa më të shkurtë propozimin për Shqipërinë dhe të sigurojë në të njëjtën kohë se Shqipëria është në përfundim të procesit të realizimit të gjithë kushtet dhe kriteret për të përfituar e procesit e heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Kjo ka të bëjë me pajisjen e pasaportave biometrike, që tani po përparon me parametra më të larta për përkushtimin para komisionit Evropian”, u shpreh dje për mediat Ministri i Jashtëm Lulzim Basha.
Më tej Basha, duke u ndalur në procesin e pajisjes me pasaporta t e reja biometrike, bëri të ditur se, në këtë drejtim, “qeveria do të tejkalojë madje dhe ambicien që fundviti të shënoje 100 mijë shtetas që disponojnë dokumentin e sigurt të identifikimit. Momentalisht është 2 mijë pasaporta në ditë, ne i premtojmë ndërkombëtarëve që do të deri në fund të vitit, do të dyfishojmë numrin e qytetarëve me pajisjen e pasaportave biometrike”.
Ministri Basha komentoi më tej, garancitë dhe siguritë për liberalizmin e vizave, brenda një viti edhe për qytetarët shqiptarë.
“Gjuha e përdorur nga komisionarët evropian dhe vendosmëria e qeverisë shqiptare për të ecur përpara nuk lë vend për dyshime se angazhimet që kjo qeveri ka marrë për të lëvizur brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj mazhorance do të mbahet dhe do të realizohet plotësisht. Qartësisht Shqipëria dhe Bosnja janë dy çështje krejt të ndryshme dhe ju siguroj se në të gjitha komunikimet zyrtare dhe publike kriteri kryesor që Shqipëria duhet të përmbushe dhe të vërtetohet që është përmbushur është kriteri i pasaportave biometrike”, u shpreh midis të tjerave Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha.
I pyetur, në se do të lëvizin më qytetarët shqiptarë lirshëm në vendet fqinje si në Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, Ministri Basha garantoi se, nuk do të ketë ndryshim në regjimin e lëvizjes të qytetarëve shqiptar në drejtim të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ministri i Jashtëm saktësoi se edhe pas hyrjes në zonën “Shengen” të Maqedonisë dhe Malit të Zi, shqiptarët do të lëvizin njësoj pa probleme drejt këtyre shteteve.
“Nuk do të ketë asnjë ndryshim në regjimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt Maqedonisë, Malit të Zi apo Serbisë sepse procesi i liberalizimit të vizave i cili nisi për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kishte si synim kryesor përmirësimin e komunikimit të qytetarëve midis këtyre vendeve dhe BE, por dhe vetë ndërmjet vendeve” saktësoi Basha.