Brenda muajit mars përfundon rikonstruksioni i aksit rrugor në qendër të Elbasanit

Rikonstruksioni i aksit rrugor nga rotonda tek "1 Maji” deri në sheshin para pallatit të sportit "Tomorr Sinani", i nisur në fillim të janarit, do të përfundojë brenda muajit mars. Rikonstruksioni në këtë aks rrugor, që vlerësohet si "zemra" e qytetit, po realizohet me investimin prej 34 milion lekë, përfituar nga grantet konkuruese të buxhetit të shtetit me bashkëfinancim me bashkinë e Elbasanit. kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini tha se "investimi i përfituar nga bashkia nëpërmjet grantit konkurues nga buxheti i shtetit me fondin prej rreth 25 milion lekë dhe 9 milion lekë nga Bashkia e Elbasanit, do t’i japë një tjetër pamje kësaj pjese së qendrës së qytetit". Rikonstruksioni i aksit rrugor brenda qytetit do të ndryshojë situatën e krijuar, pasi do të jetë një rrugë me dy korsi, me gjelbërim dhe nuk do të shërbejë më si shesh për furgonat. Pjesë e investimit është dhe lulishtja "Isuf Myzyri". Projekti i hartuar nga bashkia është pjesë e qendrës së qytetit të Elbasanit dhe pritet t’i japë pamje të re bulevardit dhe qendrës, nga teatri "Skampa", deri në kryqëzimin e shatërvanit. Në të ardhmen punimet do të vijojnë deri tek stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”.
...