Parku i Antigonesë, “Shkolla Mësimore” për studentët e degës së Turizmit

Parku Kombëtar Arkeologjik i Antigonesë nga sot është kthyer në "shkollën" e praktikës 1-mujore për studentët, që përfundojnë këtë vit studimet në degën 4-vjeçare në fakultetin Ekonomi-Turizëm, në Universitetin “Eqrem Çabej”. Pedagogia e departamentit të Turizmit në Universitet, Daniela Qiqi, tha se praktika mësimore në teren për studentët e vitit të katërt të degës Ekonomi-Turizëm zhvillohet për herë të parë, pasi janë të parët që përfundojnë studimet në këtë degë. "Programi i praktikës mësimore parashikon monitorime, vëzhgime dhe tema studimore të vetë studentëve në disa rajone të rretheve të jugut, ku zhvillohet turizmi kulturor si dhe pranë zyrave të administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike kombëtare si Butrinti, Antigonea, Finiqi, qyteti i Gjirokastrës etj”, tha Qiqi. Gjatë qëndrimit në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Antigonesë, studentët po njihen me veprimtarinë e Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë, për kthimin e tij në vend të vizitueshëm për turistët dhe vizitorët. Studentët u njohën me disa prej dokumentave bazë, mbi të cilën mbështetet veprimtaria e Zyrës si Planin e Menaxhimit të Parkut, marrëveshjet vjetore me institucione të tjera si Ministria e Brendëshme, e Mbrojtjes së Mjedisit, strukturat e qeverisjes vendore, organizatat joqeveritare që veprojnë në fushën e nxitjes së turizmit, etj. “Studentët e degës së Ekonomi-Turizmit përcaktuan temat dhe drejtimet e bashkëpunimit sipas programeve të praktikave mësimore. Gjatë një muaji studentët do të bashkëpunojnë me pjestarët e stafit të Parkut, të vëzhgojnë ecurinë e deritanishme për menaxhimin e parkut dhe në përfundim, do të paraqesin një punim studimor me rekomandime për përmirësimin e menaxhimit”, tha Engjëllush Serjani, drejtori i Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Parku Kombëtar i Arkeologjik i Antigonesë shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarë brenda mureve rrethuese fortifikuese 4 kilometra të gjatë dhe me sipërfaqe të përgjithëshme prej më shumë se 90 hektarë, ku gjenden rrënoja të qytetit antik të Antigonesë, themeluar nga Mbreti Pirro i Epirit dhe Molosisë.
...