Policia e Vlorës pezullon 90 leje drejtimi automjetesh për gjoba të pashlyera
Të paktën 90 leje drejtimi të automjeteve u pezulluan nga Policia e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Vlorës, pasi nuk kanë shlyer detyrimet e prapambetura ndaj gjobave të vendosura për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Burime zyrtare të Policisë së Qarkullimit Rrugor të Vlorës bënë të ditur se këto ditë ka nisur një aksion për të vjelë gjobat e prapambetura dhe të pashlyera nga drejtuesit e automjeteve të ndëshkuar në periudha të ndryshme për shkeljen e rregullave të qarkullimit. Gjatë tre ditëve të fundit, janë pezulluar 90 leje drejtimi të automjeteve për personat debitorë, të cilët mund t'a përfitojnë sërish dokumentacionin e bllokuar pasi të shlyejnë gjithë detyrimet përkatëse. Që nga fillimi i vitit, efektivat e policisë rrugore kanë pezulluar më shumë se 230 leje të drejtimit të automjeteve, ndërsa kanë zbatuar gjoba dhe masa të tjera administrative për personat që kanë shkelur rregullat e qarkullimit. Aksioni i nisur javën e kaluar do të vazhdojë, me objektiv shlyerjen e të gjitha gjobave të prapambetura dhe të efekteve të tjera financiare, që rrjedhin nga vonesat e pagesës. Gjatë vitit 2008, për të njëjtat motive u pezulluan rreth 1.500 leje të drejtimit të automjeteve, u bllokuan rreth 1.200 automjete për mangësi në dokumentacionin përkatës si dhe për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.
...