Britania e Madhe mbështet aspiratën për integrim të Shqipërisë në BE
Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Canon Obe
Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Canon Obe, me rastin e marrjes së detyrës. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen e suksese në detyrën e re, Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Nicholas Cannon Obe mirënjohjen më të thellë për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për të konsoliduar demokracinë e standardeve perëndimore, bazuar në ekonominë e tregut.
Ambasadori britanik e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu falënderimet më të përzemërta të qeverisë së Britanisë së Madhe, por edhe të tijën personale për bashkëpunimin e suksesshëm që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe me Britaninë e Madhe dhe në veçanti për kontributin personal të Kryeministrit Berisha në suksesin e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat.
Në këtë kontekst, u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i plotë i të dy vendeve dhe qeverive për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti në ato prioritare si integrimi Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe marrja sa më shpejt e statusit kandidat, por edhe në fusha të tjera si në atë të sigurisë, të mbrojtjes, në bashkëpunimin në shërbim të konsolidimit të stabilitetit e miqësisë në rajon, në thithjen e investimeve të rëndësishme britanike në Shqipëri, si dhe në sektorë si ai i turizmit, etj... Në këtë kontekst, ambasadori britanik vlerësoi arritjet e rëndësishme në bashkëpunimin midis dy qeverive në fushën e luftës kundër krimit, bashkëpunimin në kuadër të koalicionit në Afganistan, në fushën e mbrojtjes etj. Ambasadori Nicholas Cannon Obe i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe në përpjekjet e Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për integrimin në BE.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin për mbështetjen, duke i pohuar edhe një herë se për qeverinë shqiptare anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo masë, të kryejë çdo reformë për ecjen me shpejtësi përpara në këtë proces, të cilin e konsiderojmë një proces të bazuar në meritë.
Në fund të takimit, ambasadori Nicholas Cannon Obe u shpreh se ndjehej shumë i lumtur që e merr këtë detyrë në një vit jubilar për historinë e shtetit shqiptar dhe të mbarë kombit shqiptar dhe e garantoi Kryeministrin për angazhimin e tij e të ambasadës së Britanisë së Madhe për bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare, për të promovuar më tej imazhin e mirë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe për të afruar më pranë dy popujt e konsoliduar miqësinë midis tyre dhe dy vendeve.
Haxhinasto: Të vendosur për plotësimin e 12 rekomandimeve të Brukselit
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto takoi dje ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Cannon Obe. Biseda u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin në kuadër shumëpalësh dhe rajonal.
Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. Ministri shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin evropian të Shqipërisë dhe theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e prioriteteve kyçe, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në tetor të këtij viti. Haxhinasto kërkoi rishikimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, duke ofruar bashkëpunimin e plotë të palës shqiptare për adresimin e menjëhershëm të çështjeve që ndikojnë në një vendimmarrje pozitive në këtë drejtim.
Ambasadori Cannon Obe siguroi për vazhdimësinë e mbështetjes britanike e cila do të jetë e fokusuar në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, në nxitjen e investimeve britanike si dhe në bashkëpunimin intensiv në kuadrin rajonal dhe atë shumëpalësh.
Në takim u bisedua edhe rreth aktiviteteve dhe nismave të përbashkëta në kuadër të kryesisë së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës, të cilën Shqipëria e merr nga Mbretëria e Bashkuar në 23 maj të këtij viti.