Brengat për kryeqytetin e Dardanisë
Disa ditë nuk u pa Lulia në Kodrën e Trimave. Nuk pyeta për te, kur ktheva dy herë në dyqan. Ndjeja zbrazëti shpirtërore pa qasjet e saj origjinale për të gjitha temat; nuk merrja vesh për ngjarjet politike, të komentuara në mënyrë të veçantë nga ajo; isha shkëputur nga gazetat; gjuha e televizionit më irritonte, prandaj përpiqesha sa më rrallë ta hapja ekranin. Lulia m’i kompensonte të gjitha këto boshllëqe me ligjërim të veçantë, të ngjeshur me emocione, pasthirrma dhe me sharmë. Zëri i saj melodik mi zbuste nervat. Por kësaj radhe sikur ta lëshonte toka. S’shihej gjëkundi. Mu duk edhe lagja frymonte ndryshe pa te.
Kur e takova pas një jave, ende pa më përshëndetur, në cep të banakut mu zbrazë: - Në Shkup dhe disa fshatra përreth janë duke kaluar një fazë të çuditshme. Shqiptarësia është zëvendësuar, ose është në fazën e zëvendësimit me islamizëm mesjetar, të pa ngjarë ndonjëherë më parë. Në vend te krenarisë kombëtare, kultivohet përulja fetare. Është i theksuar kompleksi i vogëlsisë ndaj të gjithë jo shqiptarëve. Shqiptarësia është në thumb të të gjithëve, kundër janë edhe një pjesë që flasin shqip, ndërsa mendojnë barbarisht. Të le pa mend kjo frymë e mykur, - fliste e rrëmbyer si të kishte mësuar përmendesh një fjalim politik. Nuk shihja armiq, as publik gjëkundi. Mos është gjë Lulia nën ndikimin e ndonjë makthi, mendoja më dyshim. Por ajo mi ndërpreu përsiatjet dhe dyshimet: -Nëse vazhdon kështu, pas disa vjetësh në Shkup e në rrethinë do të mbeten enklavat shqiptare, të rrethuara gjithandej me sllav e turq maqedonas. Kështu, do t’i quajnë ata që po kthehen nga shqiptarë në myslimanë, - fliste e shqetësuar. Nuk u besoja veshëve. Kush e kishte helmuar vajzën e Kodrës së Trimave me këtë gjuhë, nuk e kuptoja. Do të binte në bela me gjuhën e ashpër.
Me të zbrazur breshërinë e mllefit, ma hoqi mëdyshjen, kur me tregoi se bëri ca net të mikeshat e saj në kryeqytetin e Dardanisë, sikurse e quante ajo Shkupin sipas emërtimit të vjetër. Pra e paskan mbushur mllef shoqet nga Shkupi. Nuk qe kjo gjuha e Lulisë. Pasi mori frymë thellë dhe hetoi efektin e fjalëve të veta, pa me lënë mundësi të bëja ndonjë ndërhyrje për apo kundër kushtrimit të saj, ajo me tregoi që pas Shkupit, vazhdoi shtegtimin në Tetovë. Më hodhi një grusht mizash dhe tash me rrëfen për përjetimet e tjera. - Mos mendon që jam bërë vajtore si fejtonet e gazetave e librat e historisë të cilat vetëm disfatat shënojnë, duke numëruar varret, sa të fusin në depresion, pa gjetur ndonjë rrugëdalje, - me habiste ajo me mprehtësinë me të cilën analizonte historinë kombëtare të mbledhur në kapakët e librave tona. Librat për bëmat e heronjve e joshnin më shumë.
Dhe vazhdoi aty ku ngeli. Ashtu si herën e kaluar kërkonte politikanët. “I ka lodhur ramazani”, i thanë miqtë e mikeshat që i bënë shoqëri gjatë gjithë kohës. “Gjithë ditën agjërojnë, gjithë natën rrinë nëpër çajtore dhe bëjnë intriga politiko-fetare”, ia sqaruan mungesën e përfaqësuesve shqiptar në zyre. “Nëpër çajtore”, i treguan shoqet Melka dhe Teuta “rrinë gati gjysma e djemve të Shkupit, të cilët pastaj vërdallosjen e natës e kompensojnë me gjumë të ditës”. “E puna?”, i pyeti Lulia e padjallëzuar. “Shumica e tyre nuk punojnë. Marrin ca ndihma të shoqatave të kallirit: hurma e fiq për iftar dhe kjo u mjafton. Punët private presin për një muaj”, ia kthyen përgjigjen. Ajo me tregoi për Tetovën. Megjithëse politikanët shqiptar fshehtas e pinin rakinë, publikisht rrinin shtrëngueshëm pas fesë. Kështu mendonin t’i mashtronin pleqtë që nuk dëgjonin mirë, dhe nuk e kuptonin me kë kishin të bënin. Në fushatat zgjedhore u premtonin pleqve të shkretë xhami, por nuk u premtonin kopshte fëmijësh, apo shkolla prindërve të fëmijëve që kishin rënë në hall me fëmijë nëpër këmbë, më rrëfente ajo nga pelegrinazhi patriotik kuq e zi në kryeqytetin e Dardanisë.
Ndërkaq, pjesa tjetër e banorëve shqiptar në Shkup e Tetovë i grahnin nëpër kafene më ndonjë gotë birrë për ta zbutur vapën e ditës. Dhe pastaj ankoheshin për mendësinë orientale. Lulinë e indoktrinuan keqas ata që nuk e donin orientin në qytetin e tyre. “Perëndimi u përftonte përtej Vardarit”, i thoshin ata me keqardhje, orienti primitiv po e pushton pjesën e madhe të qytetit. Lulia nuk i kuptonte metaforat, por ashtu si i dëgjoi, ashtu m’i tha. - E di ti çfarë lajmi nxjerrin gazetat e përditshme shqiptare të Shkupit në faqe të parë? Rrudha me supe. S’mbaja në mend kur e pata në dorë ndonjë gazetë shkupjane, megjithëse dikur njërën prej tyre e pëlqeja shumë. -Filan franceze u bë myslimane! Dhe pastaj e komentojnë si të ishin në qiellin e shtatë - shkupjanët e shkretë, thua ti francezja të qe konvertuar në shqiptare dhe tash të gjithë ata ishin rrëmbyer nga euforia nacionaliste. Ajo me rrëfente për sikurse thoshte- dramën e shkupjanëve të cilët mbeten jetimë. - Në shekullin XXI janë në kërkim të identitetit, - habitej ajo në euforinë nacionaliste të bashkimit kombëtar. - Përpiqen t’i ngjitën babait të gabuar në kontinentin tjetër, pushtues i dikurshëm dhe nënës së rrejshme përtej urës që me ta sillet si njerkë, - flakërinte e mllefosur. E shihja dhe më vinte keq që e kishte marr kaq për zemër. Por ajo nuk me la shumë kohë për keqardhje. Kishte marr shënime edhe për shqiptarët katolik, banorët më të vjetër të Shkupit. Lulia alarmonte se ata gati janë shuar. Kishën ua morën. Një pjesë e tyre u shpërngulën në Kosovë, një pjesë ikën në Kroaci. Disa flasin me frikë shqip e më shumë sllavisht. Lulia në frymën kuq e zi alarmonte: Shkupin e vjetër, qendrën e Dardanisë, ku gjithnjë është folur vetëm shqip ua lanë atyre që erdhën nga Maqedonia e Egjeu apo nga Maqedonia e orizit, - e përkthente ajo emërtimin Maqedonia e Pirinit. Ishte dëshpëruar veçanërisht, sepse, sipas saj lagja e shtëpia ku lindi e jetoi deri në moshën 16-vjeçare Nëna Terezë është rrënuar. Kisha e vjetër katolike, ku u pagëzua ajo, nuk është më, s’i ka mbetur nam as nishan. Për herë të parë e pash Lulinë me një dozë të theksuar pesimizmi që nuk ishte në natyrën e saj energjike dhe nuk i shkonte euforisë dyngjyrëshe të flamurit. Rrezatonte mllef të pakuptueshëm. Në adresë të kujt e drejtonte, nuk e dija, nuk e kuptoja as pse digjej nga zjarrmia, por ajo me natyrën shpërthyese nuk me la kohë të gjatë të pres e të hamendësojë. -Shkupjanët dhe gjithë shqiptarët e Maqedonisë pesëdhjetë vjet i kishin sytë nga Prishtina, kryeqytetin e tyre frymëzues; pesëdhjetë vjet edhe Prishtina, megjithëse e okupuar, u përkujdes për të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi. Erdhi koha kur pushteti dhe opozita në Kosovë, nuk e kishin Serbinë as Jugosllavinë mbi kokë, sakaq i harruan bashkëkombësit jashtë kufijve. U bënë shpirtngushtë. Kur shkojnë në Shkup politikanët tonë takohen vetëm me zyrtar sllav!, - gati përflakej Lulia pa m’i hedhur sytë, thua i fliste honit. Ishte politizuar sa nuk e njihja si ta kishin ndërruar me dike tjetër. Nuk ishte më vajza gazmore e dafrungave buzë detit Adriatik e Jonit. -Mos me kundërshto, - mu hakërrua, megjithëse s’më shkonte mendja t’ia veja në dyshim këtë fjalim patetik- patriotik.
Deshta t’ia zbusja gjithë tensionin me një ndërhyrje të vogël: “Hë, nuk do ta bëjmë Shkupin kryeqytetin e Dardanisë dhe të gjithë shqiptarëve?”, por e kapërdiva batutën, druaja do të ma kthente shpinën me përbuzje, ndërsa unë më së paku e doja përbuzjen e saj. Pastaj heshti. Heshta edhe unë. Sikur e ndjeja vetën fajtor për këtë gjendje të cilën ma dha me dramaticitet heroina ime emocionale e shpirtbutë, ajo vuante edhe për pyjet e Llapit e të Gollakut, kur i shkretonin bashkëvendësit, e lëre më për bashkëkombësit që sipas saj ishin në një fazë kritike.
Iku Lulia me mend dhe me trup magjistrales Shkup-Ohër, duke lënë anash Maqedoninë Perëndimore. Mendova se më këtë përmbyllje dramatike do t’i jepte fund paraqitjes së problemeve të shqiptarëve. Por jo. Kur i përmendi fshatrat e Rekës së keqe dhe Mavrovën mendja më shkoi të Qendra e njohur rekreative, ku thuhej se kishte blerë pronë edhe një ish kryeministër shqiptar. Por ajo nuk u mor me thashetheme. Nuk i dinte, apo mbase nuk i interesonin. Tiparet e Lulisë morën pamje të trishtë. - Nuk e kupton çfarë drame ka ndodhur në këtë pjesë, ku dikur pati shqiptarë ortodoks, të cilët qe nga sundimi i Perandorisë Turke ishin më të arsimuarit e Shqipërisë së Mesme. Po ku janë sot? Pjesa më e madhe e tyre, me të braktisur fshatrat e humben gjuhën dhe kombësinë. Brenda pak kohësh u bënë sllavë. Arritën kulmet e karrierës profesionale e politike falë arsimit e shkathtësisë, sepse sllavët qenë më pak të arsimuar. Por kusht për këtë karrierë kishin mohimin e kombit, - më tregonte Lulia e Kodrës së Trimave dramën e bashkëkombësve. I kishin përmendur miqtë shumë emra të jetës publike e politike me prejardhje shqiptare, por tash, e heshtnin përkatësinë e tyre. Me la të pikëlluar me këtë rezyme. Sot kishte vendosur te më mbushte helm.
Lulia zakonisht rrezatonte shkathtësi për të te futur në vorbullën e mobilizimit kuq e zi. Kësaj radhe me cyti kujtime të hidhura. Më ktheu në verën e vitit 1981, në qytetin slloven Shkofja Lloka. Me kujtohej eprori jugosllav Todor për të cilin thuhej se është sllav nga Maqedonia. Mbetëm rastësisht vetëm unë dhe ai. Në atë mes kohë, ai më tha se quhet Teodor e jo Todor, është shqiptar e jo sllav, nëna e tij Parashqevia pos shqipes nuk dinte asnjë gjuhë tjetër. Kurrë nuk dëgjova dramë më të fuqishme për pesë- gjashtë minuta sa dramën e Teodorit. Kurrë nuk pata rastin të bisedoja më me te: unë isha ushtar i mobilizuar, ai epror i lartë. Kurrë nuk e takova në jetën civile. Teodori, oficeri që e çmonin për guximin e qëndrimin prej ushtaraku sikur frikësohej mos do ta dekonspiroja. Mbajë në mend kur e pyeta i entuziazmuar: mos jeni nga krahina e Josif Bagerit? “Jam nga fshati i tij”, ma ktheu i pikëlluar, sikur ndjente vrasje ndërgjegje.
Këtë nuk ia thashë Lulisë, do ta bëja helm edhe më.
Nuk dija si ta zbusja këtë mllef e shpresë humbje të Lulisë. Më dukej triviale t’i thosha bëhet mirë. E dija që do të gdhinte net pa gjumë. Por nuk qe çdo gjë e zezë fut. Për Strugën me foli me entuziazëm e dashuri, si të ishte lagja e saj-Kodra e Trimave, por duke shpresuar se me këtë përkushtim ndaj qytetit buzë liqenit e skaj Drinit të Zi, nuk e tradhtonte vendlindjen. Prespa i dukej vend i përrallave e mbrëmjeve romantike. Vetëm bregdeti Jon i afrohej, me tha e emocionuar. Ajo ma pranoi në mirëbesim se këtu mendonte ta kalonte muajin e mjaltit. Ndjenjën me miq deri në orët e hershme të mëngjesit, me kitare, pije, këngë e të qeshura që e mbushnin heshtjen e natës dhe gumëzhimin e gjinkallave me një atmosferë të veçantë, të papërsëritshme, ma përshkoi me ngjyra romantike të moshës së saj. Prapë shpërtheu në vrushkuj romantizmi: - Shqiptarët e Prespës, të Strugës e fshatrat përtej Livadhis deri në Pogradec e kishin natyrën e bukur, rrezatonin energji e dashuri ndaj përkatësisë. Ligjëronin si zogjtë: këndshëm e butë. Lulia shpërthente si shiu i verës, sa ma nxiu horizontin pak më parë me hallet e shkupjanëve e të banorëve të Rekës së keqe, ma ndriçoi qiellin e murrëtuar me rrëfimin e dytë për struganët e prespanët.