E Diel, 1 Nëntor 2026

“Studentët dhe intelektualët e ’90, ‘havelizmi’ shqiptar që rrëzoi diktaturën”

26-12-2011 / Gazeta 55

Humbja e Vaclav Havel, vizionarit evropian

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi kontributin e çmuar të vizionarit evropian, disidentit çek Vaclav Havel në rrëzimin e regjimeve diktatoriale.
Duke iu referuar funeralit shtetëror, për përcjelljen për në banesën e fundit të “evropianit të madh”, Berisha tha se Havel u nderua nga e gjitha bota e lirë dhe demokratike. “U përcoll me nderimet më të mëdha. Havel nga 2003-shi e këndej s’ka qenë president i Çekisë, por u përcoll me nderimet më të mëdha. Ai u bë simbol i një morali, forcë, të një transformimi epokal të vendit të tij, frymëzues dhe për popujt e shtypur kudo në botë. Havel dhe Saharov ishin dy disidentët që nuk u larguan nga vendi i tyre. Fatkeqësisht disidentët largoheshin dhe dilnin në perëndim për të vazhduar betejën. Havel në çeki dhe Andrei Saharov në ish BS, iu nënshtruan të gjitha përpjekjeve të persekutimit, por kurrë nuk u pajtuan me regjimin. Mbeteshin si zërat e ndërgjegjes së kombeve të shtypura”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë kujtoi se lëvizjet studentore dhe të intelektualë në vitin ’90-ë, u bazuan pikërisht në vlerat dhe parimet e Havelit, për rrëzimin e regjimit pa gjakderdhje. Sipas Berishës, studentët të rinjtë dhe të gjithë shqiptarët, u frymëzuan nga vepra jetike e Havelit. Për kryeministrin Berisha, Vaclav Havel ishte pro shqiptar dhe luftoi për çlirimin e Kosovës nga barbaritë serbe.
“Në Shqipëri, në dhjetor të ’90-ës ky burrë i madh ka qenë i pranishëm më shumë se kushdo tjetër në sheshet e Tiranës, në lëvizjen studentore. Ne s’kishim Havel, sepse në Shqipëri, disidenca pushkatohej, varej dhe ekzekutohej. Ushtrimi i veprimtarisë disidente, çonte në pushkatim. 20 vite më pas, bindem se ai grup intelektualësh dhe ata studentë që shmangën konfliktin dhe adaptuan havelizmin, bënë shërbimin më të madh për vendin. Habvel ishte një pikë e madhe referencë e jona. Regjimi shqiptar në vitin ’90 ishte shumë ambig dhe ishte i gatshëm ta përdorte dhunën. Pasi u hoq ligji për tradhti të lartë për kalim kufiri, u ekzekutuan në kufijtë e Shqipërisë 83 të rinj dhe të reja. Regjimi ishte përgatitur që hapjen ta përgjakte. Ne nuk kishim ‘havel’, por kishim një grup intelektualësh dhe studentësh që ecën me parimet e Havelit. Ne u frymëzuam nga ky burrë i madh, duke mbajtur besimin në shndërrimin paqësor si rruga dhe interesi jetik i shqiptarëve. Për shqiptarët, Vaclav Havel është dhe do mbetet një nga personalitet më të dashura dhe të respektuara. Në vitin ’99-ë, kur Millosheviçi po bënte barbaritë në Kosovë, mori penën e tij dhe shkroi ‘Unë jam Shqiptar’. Ai ‘luftoi’ për çlirimin e Kosovës dhe besoi tek e vërteta. Revolucionin e tij ai e besoi në sloganin ‘E vërteta dhe dashuria triumfojnë mbi gënjeshtrën dhe mashtrimin’”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›