Një intervistë e pagëlltitshme
Është fjala për intervistën e paralajmëruar të E. Ramës me gazetarin Alfred Peza. Kjo kuptohet që në titull të shkrimit. Është nga të paktat raste që ky farë i intervistuari, nuk guxon të fyejë drejtuesin e emisionit. Me një gjakftohtësi që vihej ré - dhe të shoqëruar me një ironi të hollë, - intervistuesi e bëri të kuptojë atë që kishte përballë se nuk mund të sillej si mjaft herë të tjera, me ato fyerjet pa kripë, kur nuk përgjigjej dot, me “të fala Sandrit”, që duhej zbërthyer: “nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”. Edhe më keq akoma: kur e portretizonte gazetaren pyetëse me vajzën e semaforëve (!).
Edhe në këtë rast, intervista tregoi inatçillëkun e fshehur keq të të intervistuarit. Zërin e shtroi artificialisht, por buzëqeshjen e kishte jo në kohën e duhur. Shpesh kjo dukej si një ngërdheshje. Viktor Hygoi ka shkruar romanin „Njeriu që qesh“. Dikujt, për analogji, do t’i mbushej mendja se mos kishte në veprat letrare tonat ndonjë, me titullin „Njeriu që nuk di të qeshë“! Edi Rama është politikan i militantëve mediokër të aradheve të tij, tashmë të kategorisë së përkujtimoreve të Pezës! Pra, është përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i sektit enverist në vendin tonë. Si bir i një funksionari të lartë të diktaturës, kërkon të implikojë edhe kunërshtarët e tij, duke e cilësuar dr. Berishën si sekretar të komitetit të partisë në atë kohë, në vend të sekretarit të byrosë së një institucioni shëndetësor. Çka janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Tiparet e tij të manipulatorit e bëjnë ER-në zanatçi në këto punë. Paçka se është shprehur që nuk është politikan. Pastaj ndërroi mendim, si haxhi pishmani. Megjithatë mbase ka kuptuar, ndonëse duke qenë megaloman i sëmurë, se vizionar do të ishte një mburrje e shpërpjesëtuar. Dhe nuk do t’i shkonte aspak për shtat.
Shumëkujt i duket se ka bërë karrierë për hir të zërit të tij buçitës. Enriko Karuzo, në krye të një jurie për seleksionim të këngëtarëve, pyetet nga njëri prej tyre se të ç’kategorie e kishte zërin: A ishte tenor, apo bas, ose bariton. – Tellall, biri im! - i paskësh thënë këngëtari i famshëm i jurisë. Kështu edhe i intervistuari i tanishëm i mesnatës së datës 23 për 24 dhjetor, sikundër edhe në librin “Kurban”, na bindi se kishte bërë emër për hir të zërit, jo të arsyetimit racional. Se e filloi ligjërimin me “na vodhën votat!”. Një refren që po bëhet gjithmonë e më bajat... Kështu tani të gjithë janë të bindur se duhet të jetë fitues, që votat të jenë të vlefshme! Pyetja për rikthimin e të larguarve në PS, pati këtë përgjigje: “Bota politike shqiptare është e tkurrur. Propaganda qeveritare u takon regjimeve hibride. Rasti në fjalë kuptohet nga anketimet që kemi bërë”. Por nuk kuptohen ata mbiemrat “e tkurrur”, “hibride”. Është etja e pashuar për t’u bërë origjinal që e bën të panatyrshëm. Njëri nga huqet e “oratorisë” së tij që ka vetëm tingëllim, por eja e merre vesh, të lutem! Aq më keq, nuk e kuptojnë fare fanatikët e tij të indoktrinuar, që e miratojnë në tym... I pyeturi në studio s’ka ditur kurrë të jetë i thukët: as me shkrim, as me gojë. S’e ka për gjë t’i shmanget kurdoherë temës, duke u përgjigjur tjetër për tjetër. Për shkeljet analoge të B. Blushit, A. Malajt, A, Harasanit, G. Ruçit... që përbëjnë 14 “kundërvajtës”, e fillon pyetjen me “ te PS-ja kemi liri demokratike”. Veçse kjo “liri” për të përjashtuar personalitete si K.Islami nuk është gëlltitur dot as nga ish-presidentët, as nga D. Agolli! Për KLSH-në e fillon me “prania (në parlament) dhe vota janë detyrime” (Për disa po, për të tjerë jo?). I vetmi e paska thyer K. Islami (të tjerët nuk e thyen?), që vendosi të largohet nga grupi parlamentar (gënjen!). Është fare e qartë (aspak e qartë) se çfarë nënkupton mosrespektimi i një vendimi politik (tani vazhdon me moralizime?). Pastaj vijon me një frazë kakofonike që përmban tri herë fjalën sebep: “Është një sebep që e krijoi vetë K.I. dhe unë nuk hyj fare (si Pilati). Ndërsa ky (Kastrioti) donte një sebep, krijoi një sebep!” (I djeg miza që përmend vetveten?). Pastaj vazhdon me shembujt lëvdues: Ky kishte gruan sëmurë dhe erdhi. Ai tjetri la operacionin pa bërë. Një i tretë humbi biletën e avionit...
Nuk mund të gjendet një motivim më vulgar e absurd për të përligjur një gjë që nuk gjeti përkrahje në ajkën e PS-së. Tjetër punë që i thonë “amin” trushkulurit dhe fanatikët, që nuk janë të paktë në PS! Ku janë grumbulluar nostalgjikët e regjimit të perënduar? Pyetja për një rikthim të mundshëm të K. Islamit është me spec, - ç’është e vërteta. Thuajse provokuese. Përgjigjja: -“Cilido ka mundësinë për të fituar mundësinë e dytë” (mundësi e mundësisë, ... në katror!”.). Kujton se ka të bëjë me një qole që ta joshë që të ushqejë shpresat një personalitet, siç ishte Kastrioti, ndër më të aftët e organeve drejtuese, kur ky parvënyja i binte maces me lugë. Pasi arbitrarisht e zhveshi nga çdo ofiq, tani i jep kurajë (që ta ngopë me lugë të zbrazët) për ta paraqitur veten si shpirtmadh!
-A keni gabuar me Seserin? -Do ta pranoj, nëse do të kisha gabuar (Kjo do të ishte e mjaftueshme me një “Jo”: por ai nuk e di atë shprehjen e urtë se përgjigjem gjatë se nuk di t’i bie shkurt! “Ajo (Seseri) është një personalitet për t’u kthyer në personalitet të rëndësishëm” (personbalitet në katror!). Por pati probleme që zgjatën. Ajo dha dorëheqjen në mirëkuptim (Me vullnet apo iu kërkua? Këto nuk mund t’i supozoje dëgjuesi!). Më tej i përmendet deklarata e z. Meidani, që thotë se nuk është pyetur në Këshillin e të Urtëve): - Jam në dijeni të një sërë opinionesh... (Zëre se s’u përgjigj. Apo s’di të përgjigjet konkretisht, pa rënë në abstraksione!). -A do të pranonit ndryshimin e Sistemit Zgjedhor? -“Nuk ka më kohë dhe mundësi për të ngrënë arra”! Pastaj i duket se jep përgjigje. Të vjen mos të dëgjosh as përgjigjen! Futet në partitë e vogla. “U lodh” sw shtiruri nga dashuria për votën e këtyre, ndonëse Hysni Milloshi ia përplasi, copë, se E. Rama ia kishte vjedhur votat, jo Berisha! -A do ta bëni reformën dhe si? -Nuk e kompromentojmë (komprometojmë) procesin. Këtë gabim drejtshkrimor e shohim edhe te “Kurbani”). Pastaj flet për përshtatje me Europën (përmes rrugës së 16 shtatorëve të Pezës?). Për vlerat e F. Nanos: Thotë se as F. Nanon, as dikë tjetër nuk e ka fyer në librin e tij(!). Në fakt, është vetë libri që e përgënjeshtron. Flet për shoqërinë civile,....por zëre se iu përgjigj pyetjes! -A do të pranoni një aleancë me partinë e Topit? -Dua të flas për politika, për zgjidhje që i duhen vendit dhe për rrugët që i duhen vendit për t’u ribashkuar me Europën.... Ne do të paraqesim një program...(Dëgjuesi duhet të ketë durim, të presë e të presë... derisa të harrojë se cila ka qenë pyetja, që s’ka marrë ende përgjigje! Është një dredhi që t’i shmanget përgjigjes, nëse do ta pranonte një aleancë me Topin, po a jo.).
***
Që është proliks gjer në humbje të durimit të lexuesit, këtë ER-ja e ka provuar, tanimë me shkrim (“Kurbani”) dhe me gojë (në këtë intervistë). Kam dëshmitar Alfredin që Edi ka bërë apoteozën e vetvetes si “i apasionuar obsesiv i gjuhës shqipe”. Meqë mund të provohet e kundërta, do të doja që këtë pohim të ER-së ta shprehte si miratim edhe ai që e njeh vërtet gjuhën, Ardian Klosi. Çuditërisht Ardianit i ka dalë emri vetëm në palën e ballinës dhe nuk është as redaktor, as recensent i këtij libri. Që të ketë mendimin e sinqertë të Klosit, për pasionin “obsesiv” për standardin gjuhësor të “Kurbanit”, kjo më duket e pamundur. Sepse ER-ja është “obsesiv” (tërë ankth) edhe kundër çdo mendimi që s’përkon me të vetin. Është njëri ndër shkaqet që e ka bërë përçarës të skajshëm të partisë së tij. Meqë s’pranon asgjë, ka gjetur sinonimin dasí për të paditur të tjerët si përçarës të partisë së tyre, kur ata kanë mundësuar kohezionin, jo përçarjen apo dasínë në partinë e tyre.
Por, meqenëse e kemi fjalën te “pasioni për standardin gjuhësor”, le të shprehet Ardian Klosi nëse është dakord (nëse “dakordësohet(!)” do të thoshte sajuesi i neologjizmave të shpifura) me këto fjalë të nxjerra nga kovaçhania e ER-së: interaxhinj telendarë; shumëxhelozia e...(237); llukashenkizmi i...(239); shushunjëpolitikës fiskale (253); së shumëhimnizuarës taksë; (257); i dorëstërvituri...;(258); i mendjetërhequr prej sherrit (258). Plaçkurina të tjera “gjuhësore” kam renditur edhe në shkrime të tjera ts mwparshme. Veöse mezi po i shtyj faqet e “Kurbanit”, gjersa të arrij te fundi.
Por ka edhe renditje të fjalëve-zinxhir që e zvetënojnë shijen e lexuesit dhe ia humbasin atij durimin e të lexuarit: a mund të vihen 17 folje, që fillojnë në f. 268 dhe mbarojnë në f. 269, si në “frazën” që po ju ofroj për lexim: “Jeta është një mrekulli që duhet jetuar me gëzimin e madh për mundësinë që të shohësh, mendosh, dëgjosh, ecësh, vraposh, humbasësh, korrigjosh, ndryshosh, ringrihesh, të kesh nënë, babë, grua, burrë, fëmijë, motër, vëlla, miq, të njohur, [shtesë “për lezet(!)”: kushërinj të parë, të dytë... të shtatë] botën të gjithë aty, para teje [shtesë: pas teje, anës teje, lart teje, posht teje...], krejt historinë e saj të mbushur me ëndrra të bëra realitet, pasione sugjestive, guxim drithërues, përparime fantastike, ringjallje e amanete që mësojnë se, duke harruar për sa shkurt jemi në këtë botë, jo vetëm s’dimë më pse jetojmë, por harrojmë në fakt të jetojmë (Uuuuh, ç’m’u mor fryma!). Rrjedhojë e atij mësimi të paçmueshëm jete ishte (ishin) edhe imuniteti, qetësia, distanca e sigurt higjienike që fitova nga e përditshmja ime (tepër “e qartë”, kjo!), vështirësitë, ngatërresat, vogëlimat, akuzat, shpifjet, shantazhet, frikërat e ndrojtjet që politika i kishte kallur brenda meje për dukjen, për deformimet e të vërtetave të mia, për çartjet e pasionit tim për të jetuar, shkelur tabu, guxuar aty ku të tjerët rëndom këshillojnë stepje, gjëra që deri kur e pashë vdekjen të më bëhej hije e gjallë para syve më shqetësonin e turbullonin vazhdimisht së brendshmi, duke krijuar shumë, gabimisht edhe te shumëkush, përshtypjen se trembesha nga presionet e mjedisit, po që në fakt s’kishte të bënte gjëkundi me frikën po vetëm me pështjellimin e ngurrimin e provokuar prej pisllëkut, mediokritetit, meskinitetit akut të jetës politike.
Po e mbyllim me një porosi: Që këto bukuri stilistike mos t’u jepen për deklamim atyre që vuajnë nga bronkiti akut (këtë fjalë të fundit ia vodha autorit) i astmës bronkiale, ose shpirrës, se mos i çojmë në atë ... botën tjetër !...