E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, fluks klandestinësh nga Tunizia e Libia

Pika kufitare në Gjirokastër, “portë” tranzit për klandestinët nga vendet në konflikt, të cilët tentojnë Europën Perëndimore

Gjirokastër Gjatë ditëve të fundit, specialistët e Policisë Kufitare në Gjirokastër kanë konstatuar me shqetësim një rritje të numrit të klandestinëve nga vendet e treta, që udhëtojnë ilegalisht nga Greqia për në Shqipëri. Sipas burimeve në Policinë Kufitare në Gjirokastër, bëhet fjalë për persona nga vende të përfshira në konflikte, si Tunizia, Libia apo Afganistani, të cilët udhëtojnë si klandestinë nga Greqia për në Shqipëri, duke e përdorur vendin tonë si tranzit në drejtim të vendeve perëndimore. “Gjatë javëve të fundit, në stacionin kufitar të Kakavijes apo përgjatë vijës së gjelbër të kufirit me Greqinë ka patur raste kur ne kemi ndaluar emigrantë klandestinë nga këto vende, ndërsa tentonin të hynin ilegalisht në Shqipëri”, - thonë specialistët e policisë kufitare në Gjirokastër. Sipas efektivëve të kufirit, klandestinët nga Tunizia, Libia apo Afganistani, pasi hyjnë ilegalisht në Greqi, nëpërmjet rrugëve të ndryshme tentojnë që të kalojnë në Shqipëri, për të udhëtuar më pas në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian. “Bëhet fjalë për emigrantë ekonomikë, pjesa më e madhe e të cilëve kërkon një jetë më të mirë në Europë, por ka edhe nga ata persona që kërkojnë të bashkohen me familjet e tyre”, - thonë specialistët e policisë kufitare në Gjirokastër. Pjesa më e madhe e tyre, pasi janë ndaluar në kufirin me Greqinë, u janë nënshtruar procedurave të kthimit për në vendet e tyre të origjinës. Duke qenë se mes tyre ka pasur raste kur klandestinët tunizianë, libianë apo afganë kanë qëndruar për disa ditë edhe në Gjirokastër, efektivat e kufirit kërkojnë nga banorët që të informojnë pranë Policisë Kufitare çdo rast kur ata konstatojnë emigrantë klandestinë nga vendet e treta. “Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të Qarkut të Gjirokastrës që, në rast se konstatojnë shtetas nga vende të treta, si Tunizi, Liban, Afganistan etj., të vendosin në dijeni organet e Policisë Kufitare dhe të mos ndërmarrin veprime të tjera, sepse ligjvënësi është shprehur qartë dhe do të përballen me pasoja ligjore”, thonë specialistët e Policisë Kufitare në Gjirokastër. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›