E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bride wars" shfaqet në Millenium

Të bukura, bjonde e brune, do të donin të thoshin "Po" në një ditë pranvere brenda salloneve luksoze të hotel Plaza. Kate Hudson dhe Anne Hathaway janë mike për kokë në komedinë njujorkeze të regjisorit Gary Winick që reflekton me komicitet rreth "ditës më të bukur të jetës" dhe miqësisë femërore. Mike dhe armike, nuse dhe shoqëruese, të gëzuara e të hidhëruara, Ema e Liv ëndërrojnë që të vogla martesën e tyre. "Filmi të lejon të hedhësh një vështrim ironik mbi gratë dhe ditën e martesës së tyre. Personalisht mendoj se dasma është sfondi ideal për të ndërtuar një komedi, pasi ka shumë stereotipe mbi të cilat mund të ngresh situata të forta." -shprehet aktorja Kate Hudson në një konferencë për shtyp gjatë premierës së filmit. Livia dhe Ema janë shoqe të ngushta dhe që nga fëmijëria kanë planifikuar deri në detajet më të imta, dasmat e tyre. Në krye të listës janë gjëra e "domosdoshme" si përshembull ceremonia në vendin më të ëndërruar për të gjithë amerikanet, hotel Plaza mes luksit dhe modës së fundit. Në moshën 26 vjecare, të dyja janë gati për tu martuar, për të realizuar ëndrrën e tyre dhe për të jetuar të lumtura e të kënaqura për gjithë jetën. Ose ndoshta jo.... kur një gabim mbivendos datat e dasmave të tyre pikërisht brenda një dite! Mjafton ky detaj "I vogël" që të vërë në provë të vështirë miqësinë e një jete dhe të kthejë dy mikeshat në rivale të forta. Dy protagoniste femra dhe nje temë që pushton 100 për 100 femrat janë të mjaftueshme për ta etiketuar "Bride Wars" si një komedi rozë, ose femërore. Këtë fakt duket se e kanë pasur shumë për zemër të dyja aktoret të cilat nuk mungojnë ta shprehin simpatinë e tyre për këtë gjini që kohët e fundit ka filluar të gjallërohet në kinematografi. "Më në fund një komedi rozë-thotë Anne, - Unë dhe Kate urojmë që të jemi fillimi i një zinxhiri prodhimesh që e shohin gruan më në fund si një protagoniste të fortë në film". Përforcon këtë ide edhe Kate Hudson:"Besoja shumë tek ky film saqë pranova të luaja dhe ta prodhoja njëkohësisht. Nuk ndodh shpesh në Hollivudi, të lexosh një komedi në të cilën protagonistet kryesore janë dy femra".Në fakt nuk filmat e fundit nuk e kanë lënë pas protagonisten femërore dhe mjafton të përmendësh "Sex and the City" apo dhe filmin "Rachel getting married" me të cilin Anne Hathaway është kandiduar për Oskar për të kuptuar se kinematografia hollivudiane po rishikon një tjetër venë të harruar të trupit të saj. "Bride Wars" vjen nën Regjinë e Gary Winick . Një Komedi romantike e sjellë përmes lojës së shkëlqyer të Kate Hudson, Anne Hathaway, Bryan Greenberg, Chris Pratt, Steve Howey

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›