E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bridge ia kthen shpinën Anglisë

Wayne Bridge është tërhequr nga Kombëtarja e Anglisë, duke theksuar se prania e tij mund të shkaktonte përçarje në ekip. Mbrojtësi i Manchester Cityt të enjten publikoi një komunikatë të shkurtër për shtyp, duke lënë selektorin Fabio Capello në mungesë të dy zgjedhjeve të para për pozitën e mbrojtësit të majtë për miqësoren kundër Egjiptit të mërkurën. Vendimi erdhi pas bërjes publike të aferës së ish të dashurës së Bridge, Vanessa Perroncel me mbrojtësin e Chelseas, John Terry.

Terry humbi shiritin e kapitenit të Anglisë nga Capello, i cili më herët gjatë javës ishte shprehur optimist se Bridge do të vazhdojë të luajë për ekipin kombëtar. Mirëpo, 29 vjeçari ndien se rrethanat aktuale ia bëjnë të pamundur që ai të luajë. “Gjithmonë ka qenë nder të luaj për Anglinë. Mirëpo, pas mendimeve të kujdesshme, besoj se pozita ime në ekip tani është e papërmbajtshme dhe mund të shkaktojë përçarje”, tha Bridge.

Capello ishte i vetëdijshëm se kishte marrë vendim të ndërlikuar kur vendosi të mbajë Terryn në ekip, pasi ia mori shiritin e kapitenit. Italiani shpresoi se Bridge do të mbetej i përfshirë në ekip dhe kishte planifikuar t’i përcjellë të dy futbollistët në Stamford Bridhet ë shtunën, kur Chelsea e pret Manchester Cityn. Edhe menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, kishte shprehur besimin e tij se Bridge do të jetë pjesë e Anglisë, por vazhdimisht qarkulloi ndjenja se mbrojtësi ka mendim tjetër.

Së fundi spekulohej se ai nuk do t’i japë dorën Terryt para ndeshjes në fundjavë, duke përjashtuar mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre. “Fatkeqësisht, për hir të ekipit dhe asaj që mund të shkaktojë pengesë të pashmangshme, kam vendosur të mos vihem në dispozicion për përzgjedhje. Kam menduar shumë rreth pozitës time në Kombëtaren e Anglisë, pas njoftimeve të javëve të kaluara dhe ngjarjeve të fundit, ndërsa tani kam njoftuar stafin e Kombëtares për vendimin tim.

Ekipit i uroj gjitha të mirat në Afrikën e Jugut”, përfundoi Bridge në komunikatën e tij për shtyp. Capello tani duhet të gjejë një alternativë tjetër për mbrojtës të majtë, pasi Ashley Cole do të qëndrojë tre muaj jashtë fushës pas frakturës në nyjën e këmbës. Vëmendja do të bie mbi mbrojtësin e Evertonit, Leighton Baines, i cili ende nuk ka asnjë paraqitje me ekipin senior, por ka treguar paraqitje të shkëlqyeshme për klubin e tij. Kandidat tjetër është mbrojtësi i Aston Villas, Stephen Warnock.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›