E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brigel: E fillova gjithçka nga zero

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ndeshet me Poloninë me 27 maj në Rojtlingen dhe për të njohur sa më mirë kuqezinjtë, faqja e internetit lokale, "gea.de", ka vendosur të intervistojë Hans Peter Brigel. Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare ka një eksperiencë të gjatë në stolin kuqezi, ku ka qëndruar për tre vjet, duke regjistruar disa rezultate që do të hyjnë në historinë e futbollit shqiptar. Por duket se Brigel ka harruar shumë gjëra nga e kaluara e tij, duke e nisur pikërisht nga ecuria e kuqezinjve.

"Ne e filluam nga zero. Në të kaluarën, emri i këtij vendi gjendej gjithmonë në vazon e gjashtë gjatë shortit të turneve ndërkombëtarë. Tani ky emër është në vazon e katërt", deklaroi Brigel, duke ndryshuar paksa historinë, pasi kuqezinjtë vazhdojnë të gjenden në vazon e pestë në shortet e turneve të ndryshëm. Në këtë shkrim kujtohen sukseset e kombëtares shqiptare nën drejtimin e Brigel, duke filluar nga suksesi 3-1 ndaj Rusisë dhe më pas triumfi historik 2-1 ndaj Greqisë që sapo ishte shpallur kampione e Evropës. "Në atë periudhë nuk kishte thuajse asnjë qendër stërvitore dhe vetëm 3-4 lojtarë luanin në skuadra të huaja", kujton Brigel, i cili harron një kontingjent relativisht të madh me futbollistë që aktivizoheshin në kampionate të ndryshme evropiane si Strakosha, Beqaj, Çipi, Aliaj, Murati, Hasi, Haxhi, Skela, Vata, Lala, Bellai, Rraklli, Tare apo Bogdani, të gjithë futbollistë që ai i ka gjetur në grupin kuqezi në momentin kur mori drejtimin e skuadrës. Por tani "shumë gjëra kanë ndryshuar". Në shkrim raportohet se tani në Tiranë ka një qendër stërvitore të shkëlqyer dhe shumë talente, të cilat aktivizohen në kampionate të ndryshme si: Ukrainë, Itali, Gjermani apo Angli.

Sipas Brigel, problemi më i madh i kësaj kombëtareje është numri i vogël i futbollistëve cilësorë dhe mungesa e alternativave. "Shqipëria ka 14-15 lojtarë shumë të mirë, por nëse ata mungojnë, nuk ka alternativa të vlefshme. Për më tepër, i mungon një golashënues i mirëfilltë", deklaroi Brigel, i cili harroi në këtë mënyrë se si la jashtë kombëtares sulmuesin Erjon Bogdani në vitin më të mirë të karrierës së tij në Itali. Megjithatë, ish-trajneri i përfaqësueses e kujton me nostalgji kohën kur drejtonte Shqipërinë dhe sidomos raportin me futbollistët. "Për ta kishte një vlerë shumë të madhe të luajë në ekipin kombëtar", tregon Brigel, i cili shprehu dëshirën që të kthehet përsëri në Shqipëri në të ardhmen. "Por vetëm si një turist", saktësoi ai, duke lënë të kuptohet se nuk e synon më stolin e përfaqësueses kuqezi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›