E Hënë, 2 Nëntor 2026

Britani, dita e së vërtetës

05/05/2005  “Eshtë pikërisht mosthënia e të vërtetës që e bën politikën të duket negative, që i bën njerëzit të mendojnë se të gjithë politikanët gënjejnë”, deklaroi kryetari i konservatorëve. Të martën, ai deklaroi se qëndrimi i tij në lidhje me shërbimet publike është që “t’u besoj profesionistëve, jo politikanëve”

Zoti Bler ka bashkuar edhe një herë forcat me Kancelarin Gordon Braun, në një përpjekje për t’u siguruar që votuesit laburistë të rikthehen edhe një herë në mbështetje të partisë

Britanikët do të shkojnë sot në kutitë e votimit për të zgjedhur qeverinë që do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme, ndërkohë që partitë në garë kanë bërë dje përpjekjet e fundit për të bindur votuesit. Të gjithë partitë janë lëshuar dje furishëm në etapën e fundit të garës elektorale, duke i lënë më pas stafetën votuesve britankë, të cilët sot, në kutitë e votimit, do të zgjedhin mes një mandatit të tretë për Toni Blerin, apo një rikthim në pushtet të konservatorëve, të cilët prej vitit 1997, kur John Major u largua nga pushteti, kanë parë nga pozicioni i opozitarëve Toni Blerin dhe laburistët teksa marshonin njëri mandat pas tjetrit.

Kryeministri britanik ka vazhduar me paralajmërimet e tij për konservatorët, duke thënë se, nëse do të vijnë në pushtet, ata do të vënë në rrezik ekonominë e vendit si edhe investimet në sektorin publik.

Ndërkohë, udhëheqësi i konservatorëve, Michael Howard, ka përfituar nga një miting elektoral, ndër të fundit në këtë fushatë, për të premtuar që partia e tij mund t’i sjellë shpresën një Britanie, të cilës i ka “shaluar” një qeveri e dështuar. Ndërkohë, Charles Kenendy, kandidati tjetër, paralajmëroi se dita e sotme do të shënojë një “hap të madh përpara të liberaldemokratëve”.

Vota postare

Sondazhi i fundit, i realizuar nga Times/Populus, ka treguar se avantazhi ndërmjet laburistëve në pushtet dhe konservatorëve në opozitë si edhe liberaldemokratëve është thelluar. Kështu, sondazhi i ka dhënë 41% të votave partisë së Toni Blerit, 27 për qind konservatorëve të Howard dhe 23% liberaldemokratëve. Kjo ka qenë edhe pika më e ulët e shifrave për konservatorët gjatë kësaj fushate elektorale, por partia insiston se në rajonet e mëdha panorama është krejtësisht e ndryshme nga ajo që paraqesin sondazhet.

Udhëheqësit e partive janë lëshuar dje në një tjetër blitc, pikërisht për këto vende në Parlament, të cilët është shumë e vështirë të parashikohet fituesi. Edhe pse dita e zgjedhjeve nuk kishte ardhur ende, përfaqësuesit e partive u lejuan të mbikëqyrnin komisionerët zgjedhorë, teksa këta kontrollonin vlefshmërinë e votave tashmë të mbërritura.

Redaktorja politike e BBC, Martha Kearny, tha se një prej këshilltarëve laburistë kishte deklaruar që numri i votave postare të mbërritura linte të kuptohej se partia mund të humbiste disa vende marxhinale. Zoti Bler ka bashkuar edhe një herë forcat me Kancelarin Gordon Braun, në një përpjekje për t’u siguruar që votuesit laburistë të rikthehen edhe një herë në mbështetje të partisë. Toni Bler pyet, gjatë një interviste, në lidhje me besimn e njerëzve tek ai, pas zbulimeve të fundit në lidhje me dërgimin e trupave britanike në Irak.

Kryeministri panoi se kjo përbënte një problem, duke thënë: “Nganjëherë është më e lehtë të luash njeriun, sesa topin”. Më tej, zoti Bler deklaroi se dëshiron që të jetë ai në qendër të reformimit të shtetit të mirëqenies për shekullin 21 dhe argumentoi se, pasi ka kaluar dy mandate në detyrë, është më shumë në gjendje t’i ofrojë vendit një “të ardhme të mirë dhe të sigurtë”.

Votë proteste

Sekretarja e Tregtisë, Patrisia Hjuit, tha se shumë më tepër njerëz do të votojnë sot për Hauard, nga sa kanë votuar për Uilliam Hag në vitin 2001. “Ekziston një rrezik real, që njerëzit këtë herë të mos fokusohen në zgjedhjen mes laburistëve dhe asaj që mund të bëjnë konservatorët”, tha ajo. Laburistët kanë qenë në ankth gjatë të gjithë ditës së fundit të fushatës, pasi nuk kanë dashur që e gjitha të eklipsohej nga argumentet në lidhje me Irakun.

Konservatorët kanë përdorur reklama në katër gazeta kombëtare dje, për të “parashtruar planin e tyre në rast se fitojnë”. Ata kanë thënë se votuesit janë ngopur, duke u vënë në lojë nga politikanët, si dhe kanë caktuar një datë, kur konservatorët do të shpallnin tetë prioritetet më të rëndësishëm.

Hauard ka vizituar tri zona të shumë kontestuara, ku ka theksuar planet e tij për imigrim të kontrolluar, spitale më të pastër, disiplinë në shkolla, taksa më të ulëta dhe më shumë policë. Ai tha për një televizion se kishte dashur t’i kalonte orët e fundit të fushatës duke folur për atë, që ai do të ishte në gjendje të bënte si Kryeministër, por në vend të kësaj është përballur me akuzat e Blerit për “gënjeshtra” të konservatorëve.

“Eshtë pikërisht mosthënia e të vërtetës që e bën politikën të duket negative, që i bën njerëzit të mendojnë se të gjithë politikanët gënjejnë”, deklaroi kryetari i konservatorëve. Të martën, ai deklaroi se qëndrimi i tij në lidhje me shërbimet publike është që “t’u besoj profesionistëve, jo politikanëve”. Në fund, ai ka akuzuar laburistët se kanë çuar dëm paratë e taksapaguesve, pa arritur rezultate të rëndësishme.

Udhëheqësi i liberaldemokratëve, Kenedi tha se në këto zgjedhjet e sotme, votuesit do të caktojnë se çfarë lloj vendi duan të kenë në të ardhmen. “Liberaldemokratët kanë qenë pozitivë dhe kanë parashtruar zgjidhje reale ndaj problemeve me të cilët përballemi sot”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›