Britani, pritet vendimi për ekstradimin e Asanzhit

Julian Asanzh / Foto arkiv
Gjykata Supreme e Britanisë pritet të vendosë sot nëse do të miratojë vendimin për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks-it, Xhulian Asanzh, në Suedi.
Asanzh ka bërë përpjekje gati dy vjet duke luftuar për kërkesën e tij që ta bllokojë ekstradimin në Suedi, ku ai kërkohet nga prokurorët suedezë për t’u marrë në pyetje mbi akuzat e krimeve seksuale, të bëra nga dy gra suedeze.
40-vjeçari australian, i cili ka zbuluar qindra dokumente sekrete amerikane në faqen e tij, WikiLeaks, i mohon akuzat dhe shprehet se përpjekja për ta ekstraduar është e motivuar politikisht.
Nëse Asanzh humb betejën e tij, ai mund të ankohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila në të kaluarën ka vonuar ekstradimet e profilit të lartë për periudha të gjata kohore. / REL