E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tryezën e mazhorancës nis diskutimi i emrave për presidentin e ri

Berisha me aleatët

Brenda pak orësh Berisha ka thirrur një mbledhje të dytë të aleatëve. Ende publikisht mazhoranca nuk ka një kandidat të propozuar për president, por në takimin e dytë të Berishës me aleatët e koalicionit qeveritar është lakuar emri i Xhezair Zaganjorit.

Por publikisht emri pritet të bëhet gjatë negociatave mazhorancë-opozitës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, do tia paraqes kandidaturën kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi.

Xhezair Zaganjori

Zaganjori ka lindur në Shkodër në vitin 1957. Ai është lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador në Gjermani. Në vitin 1993 merr gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike dhe në vitin 2009 Profesor. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

*    *    *

Në përfundim të takimit të partive të koalicionit qeveritar, u bë e ditur se në orët e ardhshme do të publikohet lista e kandidatëve për President të Republikës. Krerët e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Republikane dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet pritet mesa duket në këtë takim kanë marrë në shqyrtim emra konkret por ato ende nuk janë berë publike.

Pas takimit, Meta u shpreh se Shqipëria mund të zgjedhë presidentin që nesër që do të thotë se mund të ketë kandidat që merr 84 vota.

Emrat do të përzgjidhen nga fusha politike, drejtësia dhe diplomacia. Nuk e kemi ende listën, pasi nëse do ta kishim do ta komunikonim, por po punojmë për këtë, dita nuk ka përfunduar dhe nata gjithashtu është para, tha kreu i LSI-së.

Takimi i Berishës me Metën, Mediun dhe Idrizin vjen në një kohë kur nesër pritet të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit.

Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit do të mbahet në orën 10:00 ndërkohë një orë më parë pritet të mblidhet komisioni i ligjeve për të përcaktuar procedurën dhe për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet.

Emrat nuk janë për raundin e parë por për tu diskutuar në vijim për të arritur një konsensus më të gjerë, është shprehur Mark Marku, deputet i PD-së në emisionin Tonight. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›