Britani, protestuesit kërkojnë largimin e Papës
Një grup manifestuesish janë mbledhur përpara katedrales katolike të Uestminster në Londër për të kërkuar dorëheqjen e Papa Benediktit XVI, i akuzuar për “Mbulimin” e abuzimeve seksuale të bëra nga priftërinjtë ndaj fëmijëve. Sipas koalicionit “Protesto of Pope”, Papa është fajtor që ka lejuar që shumë priftërinj pedofilë t’i shmangen drejtësisë, ndaj për këtë arsye vizita e tij në Britaninë e Madhe e programuar për në shtator nuk është e mirëpritur. Peter Tatchell, një nga aktivistët që kanë organizuar manifestimin ka akuzuar Papën se ka organizuar mbulimin e abuzimeve me një urdhër drejtuar peshkopëve katolikë të gjithë botës në vitin 2001. “Nuk ka lejuar që priftërinjtë që kanë dhunuar dhe ngacmuar seksualisht të rinjtë të denoncoheshin në polici. Për këtë arsye nuk është i mirëpritur në Britaninë e Madhe në shtator”, ka deklaruar Tatchell. Ndërkaq, në një intervistë dhënë për BBC-në, kreu i kishës katolike në Angli dhe Uells, arqipevshki Vincent Nichols, ka pranuar se zemërimi dhe tronditja ndaj mbulimit të skandaleve nga ana e disa klerikëve është e drejtë, por akuzat ndaj Papës janë krejtësisht të pabaza. Ai kujtoi gjithashtu ndryshimet në ligj bërë nga Papa Benedikti i XVI për mbrojtjen e fëmijëve.
#