E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama padit Topallin në Kushtetuese për Kuvendin e ri

SHKRUAN: Fejzi Braushi 10-06-2011 10:42

Tiranë Dëshira e kryeparlamentares Jozefina Topalli për të ndërtuar një kompleks të ri parlamentar në vendin ku sot ngrihet Piramida ka hasur në një sërë pengesash, si ligjore ashtu edhe ekonomike. Përveç fondeve ende të pasiguruara, Kuvendit të Shqipërisë i duhet sot të përballet në një betejë ligjore edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku Bashkia e Tiranës e ka paditur për marrje kompetencash në nismën për ndërtimin e këtij kompleksi të ri parlamentar. Paraditen e sotme, Gjykata Kushtetuese pritet të mbajë seancën e saj plenare, ku do të dëgjojë palët në këtë konflikt të ri ligjor, Bashkinë e Tiranës dhe Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me ligjshmërinë e vendimit të këtij institucioni për ngritjen e godinës së re te Piramida. Në kërkesën e saj, Bashkia e Tiranës kërkon nga gjykata zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushtetit qendror - Kuvendit të Shqipërisë - dhe qeverisjes vendore - Bashkisë Tiranë. Gjithashtu, objekt i kësaj padie është dhe kërkesa për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.66, datë 21.10.2010 të Kuvendit të Shqipërisë “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”. Deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, Bashkia e Tiranës kërkon edhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi. Faktikisht, kërkesa duket se ka të bëjë me pretendimin se procedura për ngritjen e parlamentit të ri nuk mund të bëhej me një vendim të thjeshtë të Kuvendit, por duhej bërë në bazë të një ligji të veçantë. I njohur me një mangësi të tillë, institucioni i Kuvendit u përpoq t’i paraprijë një kërkese të tillë duke paraqitur në Kuvend një projektligj të posaçëm për këtë çështje, pavarësisht se faza e parë ajo e përzgjedhjes së firmës fituese, ishte bërë tashmë në bazë të vendimit që sot është objekt padie në Kushtetuese. Gjithashtu, pala ankuese pretendon se vendimi për të prishur Piramidën dhe për të ngritur aty godinën e re të Kuvendit përbën një shkelje të kompetencave të pushtetit vendor për të administruar territorin e vet. Sot pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë në seancën e parë plenare kërkesën e Bashkisë së Tiranës, prej nga pritet edhe një vendim për pezullimin e ndërtimeve, përsa kohë çështja është në proces. Godina e parlamentit të ri, në vendin ku ngrihet Piramida ka shkaktuar debate të shpeshta në politikën shqiptare dhe opinionin publik, fillimisht lidhur me prishjen ose jo të ish-mauzoleut të diktatorit Enver Hoxha. Përtej këtyre diskutimeve, pak javë më parë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli shpalli studion fituese të projektit të kompleksit parlamentar, fati i të cilit tashmë do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›