E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania: Përkrahim aspiratën e Shqipërisë

 

Britania mbështet publikisht hapin e ndërmarrë në fillim të kësaj jave, ku Shqipëria paraqiti kërkesën për aplikim në BE. Zëdhënësi i qeverisë së Londrës theksoi në një njoftim për shtyp se Britania përkrah Shqipërinë, teksa shtoi se integrimi i vendit në BE nuk është një proces që ndodh për një ditë, por do të gjykohet lidhur me progresin që do të bëjë vendi. “Britania përkrah aspiratat e Shqipërisë për në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Por ky nuk është një proces që do të ndodhë brenda natës dhe ndryshime të mëdha ende duhen bërë para se Shqipëria të plotësojë të gjitha kriteret. Çdo aplikim për anëtarësi në BE gjykohet në merita individuale dhe përballet me kritere të qarta”, tha zëdhënësi i qeverisë britanike. Ndërkohë dje, pas kthimit nga Praga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha tha se anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për në BE janë vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria. “Shqipëria në prill 2009 përjetoi 2 arritjet më historike që nga pavarësia e saj: Anëtarësimi i vendit në NATO dhe Aplikimi i Shqipërisë për Anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto dy akte janë vlerësimi më brilant i reformave të mëdha dhe të suksesshme të ndërmarra nga kjo qeveri dhe nga kjo maxhorancë. Këto dy akte janë arritje madhore, historike për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike”, theksoi Basha. “Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian kanë mirëpritur aplikimin e Shqipërisë nisur tërësisht nga suksesi i reformave të saj.”, vijoi më tej kreu i diplomacisë shqiptare. Basha kritikoi në të njëjtën kohë qëndrimin e opozitës, e cila pasi kishte deklaruar fillimisht se aplikimi duhej bërë pas zgjedhjeve, dy ditë më parë tha se aplikimi ishte i vonuar. “Rama dhe zëdhënësit e tij duhet, së paku, të heshtin sot sepse në mënyrë të përsëritur, gjatë 2 muajve të fundit, kanë kërkuar që Shqipëria të mos aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Me interpretimin elektoral që i bën Z. Rama datës së aplikimit, dëshmon se nuk njeh ABC-në e integrimit Evropian”, përfundoi Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›