E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania Shqiperia me ndryshime te medha pozitive e mjaft perparim

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Lordin britanik Riçard Best, Presidentin e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC), i cili shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam.

Topi theksoi se “Britania e Madhe është për Shqipërinë një vend mik dhe një aleate e fuqishme në plotësimin e aspiratave integruese të popullit shqiptar”.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë me Britanisë e Madhe, kryetari i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve shqiptare, sidomos për mbarëvajtjen e proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë.

“Pas anëtarësimit të vendit në NATO, Shqipëria gjendet përballë një tjetër sfide të cilën ne kemi bindjen se do e përmbyllim me sukses, sfidën e integrimit në Bashkimin Evropian”, - vuri në dukje Presidenti Topi, duke nënvizuar se “ne jemi të vetëdijshëm për reformat dhe standardet që duhet të përmbushim në këtë drejtim, po aq sa besojmë në mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë për t’ia arritur këtij qëllimi”.

Nga ana e tij, Presidenti i Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC), Lordi britanik Riçard Best e falënderoi Presidentin Topi për pritjen dhe vuri në dukje ndryshimet e mëdha pozitive dhe përparimin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit.

Lordi Best, shprehu mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe për përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Ai e informoi Presidentin Topi lidhur me projektet e përbashkëta rajonale për të zgjeruar rrjetin e kërkimeve shkencore dhe për t’u dhënë mundësi studentëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike.

Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi për të gjithë mbështetjen institucionale në realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme arsmore dhe shkencore, duke nënvizuar “nevojën që ka brezi i ri për t’u arsimuar sa më shumë dhe pajisur me mendësi të hapur e bashkëkohore, në mënyrë që të ndihet vërtet një brez qytetarësh modernë evropianë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›