E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kolegji zgjedhor të vendosë drejtësi

Ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendos të rivlerësojë 403 vota të kontestuara, Kreu i partisë socialiste Edi Rama ka përsëritur sërish apelin drejtuar Kolegjit Zgjedhor për të vendosur drejtësinë në vend. Edi Rama deklaroi se fatet e demokracisë shqiptare tanimë janë në dorë në Kolegjit zgjedhor.
 

“Saliu thotë se pse nuk i kemi animuar ne këto fakte e shifra. Në fakt ankesa për çfarë ka ndodhur e çfarë po vazhdon të ndodhë në KQZ po merr përmasë ndërkombëtare. Nuk ka mbetur jo vetëm qytetar i ndershëm i këtij vendi por edhe mik e partner i këtij vendi ka ngritur zërin për aktin e paligjshëm të KQZ. Ne e kemi bërë publik faktin se u jemi drejtuar prokurorisë duke i vënë në dispozicion të gjitha provat e një krimi që nuk është thjesht administrativ por mirëfilli penal. Sigurisht presim që prokuroria të veprojë për ta zbardhur me themel gjithë çka ka ndodhur duke deformuar në mënyrë spektakolare vullnetin e qytetarëve të Tiranës me qëllim përmbysjen e fitores në tavolinë dhe grabitjes së mandatit të Tiranës”, theksoi Rama

Gjatë bashkëbisedimit javor me gazetarët, z.Rama tha se KQZ-ja po ekzekuton projektin e kryeministrit Berisha për të vjedhur fitoren në Tiranë.
 

"Vendimi i Kolegjit nuk është thjesht një domosdoshmëri për të legjitimuar një rezultat që e panë të gjithë, por edhe për të mos rritur koston për vendin dhe njerëzit, të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët, përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu që për fat të keq është kryeministri i këtij vendi, i cili nuk ka pranuar kurrë humbjen dhe që nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin", tha Rama.
 

Kreu i selisë rozë tha se opozita do të mirëpresë kontributin e Komisionit të Venecias dhe çdo kontribut tjetër për të ndalur produktin e deformuar të kanibalizmit elektoral.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›