E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania dhe Rusia kërkojnë pajtimin

Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, theksuan sot se vendet e tyre mund të gjejnë qëndrim të përbashkët për çështjet globale, përkundër dallimeve, të cilat kanë tendosur dukshëm marrëdhëniet mes Moskës dhe Londrës.

Miliband, Ministri i parë i Jashtëm i Britanisë, i cili vizitoi Moskën në pesë vitet e fundit, theksoi se Britania do të vazhdojë të angazhohet për drejtësi, në lidhje me vrasjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko, i cili u vra në Londër, në nëntor të vitit 2006, por shtoi se ekzistojnë fusha, në të cilat Britania dhe Rusia mund të bashkëpunojnë.

Ekzistojnë fusha të rëndësishme në të cilat mund të gjejmë qëndrim të përbashkët, krahas fushave në të cilat ekzistojnë dallimet dhe ne nuk do të bëjmë kompromis në fushat në të cilat ekzistojnë dallimet, gjatë kërkimit të qëndrimeve të përbashkëta në fushat tjera, tha Miliband, pas takimit që zhvilloi me Lavrovin.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Britanisë ranë në pikën më të ulët që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, pas vdekjes së Litvinenkos, si pasojë e helmimit me polonium radioaktiv në Londër.

Rusia ka refuzuar që ta dorëzojë të dyshuarin kryesor për këtë vrasje, Andrei Lugovoin, një ish-agjent i shndërruar në milioner, duke theksuar se kushtetuta e Rusisë nuk e lejon ekstradimin e shtetasve rusë. Lugovoi tani është deputet në parlamentin e Rusisë, të kontrolluar nga Kremlini.

Lavrov dje përsëriti refuzimin e Rusisë për të dorëzuar Lugovoin, duke theksuar se kërkesa e Britanisë për ekstradimin e tij është e barabartë me kërkesën për ndryshimin e kushtetutës së Rusisë. Ai theksoi se Rusia është e gatshme që të ndjekë penalisht të dyshuarit e përfshirë në rastin Litvinenko, nëse autoritetet britanike ofrojnë dëshmi.

Miliband u përgjigj, duke theksuar se autoritetet britanike tashmë i kanë dorëzuar informata të mjaftueshme autoriteteve ruse për rastin Litvinenko.

E veja e Litvinenkos, Marija, ishte mjaft e hidhëruar për shkak të vendimit të Milibandit për të vizituar Moskën, pikërisht në trevjetorin e vrasjes së bashkëshortit të saj.

Përderisa pranuan dallimet ekzistuese mes dy vendeve, Lavrov dhe Miliband tentuan të nënvizojnë fushat e interesit të përbashkët, siç janë bashkëpunimi për ti dhënë fund grindjes bërthamore me Iranin dhe përpjekjet për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Lavrov theksoi se Rusia pret që Irani të pranojë planin e OKB-së, me të cilin kërkohet që Teherani pjesën më të madhe të uraniumit të vet të pasuruar ta dërgojë për përpunim të mëtutjeshëm jashtë kufijve të vendit, më saktësisht në Rusi dhe Francë.

Irani ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në lidhje me këtë ofertë. Miliband shprehu shpresën e tij se vizita në Moskë do të ndihmojë në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shtuar se Britania dhe Rusia duhet të bashkëpunojnë, për tu përballur me sfidat e përbashkëta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›