Bërthamoret, Koreja e Veriut gati për bisedime 6-palëshe
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut ka deklaruar se vendi është gati për t'iu kthyer negociatave gjashtëpalëshe të mbetura pezull, në lidhje me programin e saj bërthamor. Ajo ka përsëritur edhe thirrjen e saj për bisedime të drejtpërdrejta me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një vend që konsiderohet si armik për kombin komunist. Muajin e kaluar, lideri Kim Jong-il tha se mund të merrej në konsideratë rikthimi në bisedimet bërthamore, të cilat më parë ishin deklaruar të mbyllura, pas bisedave të drejtpërdrejta me Uashingtonin. Por komentet e fundit, bëjnë të kuptohet se bisedimet mund të rifillojnë. Sipas deklaratës, u bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara për të bërë lëvizjen e radhës. "Konkluzioni tek i cili kemi arritur, është që palët direkte, që janë Koreja e Veriut dhe SHBA-ja, duhet të jenë të gatshme të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje racionale", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, citimi i të cilit bëhet publik nga agjensia e lajmeve KCNA. Tani që ne kemi treguar bujarinë dhe vullnetin për të patur bisedime shumëpalëshe, përfshirë edhe negociatat me gjashtë fuqitë e medha, është momenti që Shtetet e Bashkuara të marrin një vendim", shtoi zëdhënësi. Ndërkaq Departamenti amerikan i Shtetit thotë se nuk ka vendosur ende nëse do të pranojë ftesën e Pyongyangit për një vizitë të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së në Korenë e Veriut, Stephen Bosworth. Në komentet e saj të fundit, Koreja e Veriut tha se do të vijojë rrugën e saj, në qoftë se Uashingtoni nuk pranon dialogun.