E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania jep mbështetje për sferën e punësimit

Me ftesë të Rrjetit Social Evropian (ESN) me seli në Brighton, një delegacion i Ministrisë së Punës, që kryesohet nga zv/ministri Fatmir Shurdhaj po qëndron në Britani të Madhe, ku po zhvillojnë një sërë takimesh me zyrtarë britanik të fushave të shërbimeve sociale dhe punësimit.

Fillimisht ata janë pritur nga Rhidian Hudghes, udhëheqës i Qendrës Inteligjente të Fuqisë Punëtore (CFWI), me seli ne Londër. Gjatë këtij takimi u shqyrtuan mundësitë dhe u shpreh gatishmëria e kësaj qendre që të ketë një bashkëpunim me MPMS në realizimin e projekteve të përbashkëta nga fondet e BE-se për regjistrimin e fuqisë punëtore të vendit tonë, shkruan Express.

“Delegacioni nga Kosova u prit edhe nga përfaqësuesit e Shkollës Ekonomike të Londrës (LSE), ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me këtë shkollë për aftësimin e studentëve dhe ekspertëve të fushës së shërbimeve sociale dhe të punësimit, të cilët do të merren me hulumtime dhe zhvillimin e politikave të këtij sektori. Shkolla Ekonomike e Londrës ka një departament të veçantë që merren me ngritjen e kuadrove në fushën e politikave sociale dhe të punësimit”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Po ashtu, delegacioni i Kosovës është pritur edhe nga John Holloran, udhëheqës i Rrjetit Social Evropian, organizatë ku MPMS-së tanimë është anëtare nga viti i kaluar. “Me këtë rast u shpreh gatishmëria e vazhdimit të bashkëpunimit me Rrjetin Social Evropian, me fokus të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta me mbështetjen e fondeve të BE-së për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e shërbimeve sociale”.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite është zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Institutit për Studime të Punësimit me seli ne Brighton të Britanisë së Madhe, ku është prezantuar roli i këtij instituti në zhvillimin dhe hulumtimin e politikave të fushës së punësimit. “Me ketë rast u shpreh gatishmëria e përfaqësueseve të këtij institutit për të bashkëpunuar në fushën e hulumtimit, trajnimeve dhe realizimit të projekteve të përbashkëta”.

Si pjesë e kësaj vizite ishte edhe takimi me udhëheqësit e një ndërmarrje sociale, e cila përmes mbështetjes fillestare nga grantet e Qeverisë së Britanisë së Madhe, ka arritur që të angazhoj punëtorë me aftësi të kufizuar dhe të vetëfinancohet nga aktivitetet që zhvillon. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›