Haliti flet kundër Haradinajt, pro Limajt, për dialogun …

Një nga themeluesit e UÇK-së, një nga figurat kryesore të PDK-së, i cili aktualisht mban pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në “Rubikon” me Adriatik Kelmendin, ka folur për largimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës; për dëmtimin e varrezave të serbëve në disa vende në Kosovë; për procesin e negociatave që po mbahen në Bruksel në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq; për Kongresin e PDK-së që pritet të mbahet në këtë fund javë; për pakënaqësitë e Jakup Krasniqit dhe të Fatmir Limajt; për mundësinë që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës si dhe për takimin e parë që e ka ndërmjetësuar në mes të Ali Ahmetit dhe Arbër Xhaferit. Si zakonisht Haliti edhe kësaj radhe ka folur haptas për këto dhe shumë çështje të tjera.
Fillojmë me ngjarjen e fundit, me Luginën e Preshevës. U hoq lapidari. Patën disa reagime edhe nga Kosova. Dhe tash po e shohim se ka reagime edhe konkrete të turmave të qytetarëve, të cilët dëshirojnë të bëjnë të njëjtën gjë, duke shembur varreza ose duke hequr lapidarë të Luftës së Dytë Botërore.
Si e shihni këtë?
Haliti: Konsideroj se është një gabim i madh politik dhe strategjik. Madje edhe armiqësor në drejtim të Kosovës veprimi për të rrëzuar qoftë lapidarë të Luftës së Dytë Botërore, të atyre që kanë rënë për idealët e veta në një luftë të koalicionit të madh kundër të ashtuquajtur mortajës të së keqes në Evropë.
Haliti: Ju e dini se kemi vuajtur shumë në të kaluarën nga një regjim i caktuar serb për 100 vjet. Por dua t’i kthehem prapë veprimeve të tilla, të cilat sot në Evropën e bashkuar luftohen më të madhe. P.sh edhe në Gjermani kemi lëvizje naziste dhe veprime naziste, të cilat vetë pushteti i lufton me të madhe. Në këtë rast është tepër e gabuar të mendoj dikush se po bën vepër patriotike, duke përdhosur varrezat e qytetarëve të Kosovës...
Janë të krahasueshme me nazistët?
Haliti: Janë veprime pothuajse të ngjashme. Unë nuk di se si t’i quaj ndryshe. Por më shumë kam prirje të besoj se këto janë provokacione të organizatave të ndryshme, respektivisht të shërbimeve serbe, të cilat veprojnë në Kosovë, të cilat si qëllim kanë ta nxisin një fushatë të re mediatike dhe politike kundër Kosovës.
Në Viti, ishin ish- ushtarët e UÇK-së, veteranët e luftës, që rrëzuan një përmendore.
Haliti: Po, është e vërtet që në Viti veteranët e luftës u shfaqen gabueshëm në qendër të qytetit. Besoj se revolta ka qenë e tyre, por vendimi për ta rrëzuar atë përmendore ka qenë i gabuar, nuk ka qenë i drejtë dhe do të duhej të reflektojnë ata që e kanë bërë atë veprim. Unë i kuptoj drejtë, e kuptoj drejtë revoltën, sepse në mesin e atyre, ka djem që kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, që kanë marrë pjesë në atë luftë, dhe e kanë pasur një vizion të caktuar, qëllim të caktuar: çlirimin dhe bashkimin e Preshevës me Kosovën. Ky qëllim nuk është arritur. Situata tash është krejt ndryshe nga koha kur ka ndodhur lufta në kufirin do të quaja në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në brendi të Luginës së Preshevës. Pra po them edhe njëherë se veprimet, ndoshta të cilat mund të konsiderohen patriotike, mund ta dëmtojnë Kosovën.
Ju thoni se këto veprime janë në kundërshtim me synimin e Kosovës? Nuk është dashur fare të reagohet, që t’i jepet shancë Serbisë...
Haliti: Unë po flas në kuadër të rrethanave që kemi. Jo me emocione. Ne kemi një shtet, i cili quhet Kosovë, dhe kemi një kufi që quhet administrativ, i cili është i përcaktuar edhe me marrëveshje ndërkombëtare. Të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën, bashkësia ndërkombëtare është përcaktuar kundër ndryshimit të kufijve. Ashtu siç janë përcaktuar që Kosova nuk do të bashkohet as majtas e as djathtas, as me Shqipërinë e as me Serbinë. Kjo çështje nuk mund të ndryshojë për kohën. Në të ardhmen ndoshta po. Ne po lexojmë analiza të CIA-s, të shërbimeve ruse, të cilat pas 30 vitesh parashohin krejt diçka tjetër për Kosovën, parashohin krejt diçka tjetër për rajonin e Ballkanit, dhe parashohin krejt diçka tjetër edhe për Evropën . Parashohin edhe Italinë e ndarë në dy shtete, parashohin edhe Poloninë e copëtuar dhe ribashkimin e pjesëve të saj me Gjermaninë. Ashtu siç parashohin ndryshime edhe në Ukrahinë. Pra këto janë parashikime të shërbimeve të ndryshme. Dhe këtyre parashikimeve në raport me politikën e sotme nuk mund t’iu besojmë, se mund të ndodhin pas 30 vitesh. Nuk mund ta konsiderojmë si politikë të SHBA-ve.
Por, ju thatë se mund të jenë reagime emocionale... a mund të jetë kjo si kundërpërgjigje ndaj veprimeve gjysmake të institucioneve?
Haliti: Unë po besoj se institucionet lokale të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit do të duhej të merrnin vendim shumë më herët lidhur me këtë çështje, dhe do të duhej të ndërtonin raporte vërtet konkrete me vetë qeverinë serbe, të cilën do duhej ta njoftonin se do ta vendosnin lapidarin.
Ju thoni se ka qenë gabim që e kanë bërë për pa u konsultuar?
Haliti: Nuk e di a kanë marrë vendim paraprakisht para se ta vendosin lapidarin. Kam dëgjuar, në fakt kam lexuar dy variante dhe nuk dua t’i akuzoj...
Por ka qenë kryetari i komunës, Ragmi Mustafa...?
Haliti: Kryetari i komunës nuk mund të marrë vendim i vetëm. Për ta vendosur një përmendore duhet të vendos Kuvendi Komunal. Dhe ai e ka pasur shumë të lehtë që një vendim të Kuvendit Komunal ta mbroj së bashku me deputetët dhe bashkë me qytetarët. Dhe ka ndodh diçka që të gjithë kanë pritur që do të mbrohet ai lapidar, por askush nuk ka dalur për ta mbrojtur. Kjo është e vërteta. Ne e kemi parë në ekrane televizive, dhe nuk kemi pse ta fshehim.
Edhe pse pak hapësirë kishin lënë, për të dal dikush me 200 xhandarë ta armatosur...
Haliti: Mirë 200, por në Luginë janë 30 mijë banorë. Kështu që nuk janë të barabartë. Por është mirë që nuk ka ndodhur diçka e keqe, që nuk janë shkrepur armët, sepse pasojat do të ishin më të rënda...
Por, shumë kush, edhe nga reagimet siç po e shohim mendojnë se është tepër vonë për të bërë diçka, pasi që edhe në këtë studioi thoshnin se nuk do ta lejojnë të largohet ai lapidar, por siç e përshkruat ju nuk ishte asnjë njeri i gjallë që të mbronte.
Haliti: I kam parë se si janë shfaqur disa, dhe disa ditë përpara jam deklaruar se çka mund të ndodh dhe si duhej të silleshin. Megjithatë unë po them se ne duhet të mësohemi të sillemi mbi bazën e së drejtës që na takon, kudo që jemi. Pastaj nëse ne synojmë që të marrim më shumë të drejta, atëherë hajde të ulemi dhe të bisedojmë. Ata janë ulur një natë më herët dhe nuk kanë mundur të marrin asnjë vendim. Pra dikush i ka përçarë. Kush i ka përçarë? Kush e ka përçarë Kuvendin Komunal të Preshevës? Dhe kush i ka përçarë subjektet politike të Luginës së Preshevës për t’u marrë vesh dhe për të vendosur mbi bazën e një platforme të përbashkët të veprimit, pasi që ata po besoj se kanë pasur informacione se kur dhe si do të hiqet ai lapidar. Unë e kam pasur parasysh se serbët nuk do ta largonin lapidarin para se të ndodh takimi Thaçi – Daçiq në Bruksel, për arsye se do të ishte shumë më e vështirë që të ulshin për të biseduar. Deklarimet ultimative të të gjitha institucioneve serbe, ka lënë të nënkuptohen se ata nuk e kanë pasur ndërmend që të tërhiqen nga largimi i lapidarit.
Kjo i bie se është bërë gabim mënyra se si është vendosur lapidari?
Haliti: Unë nuk po dua të them se është bërë gabim. Por, është dashur të analizohet se ku është dashur të vendoset, dhe është dashur që vendosjes së këtij lapidari t’i paraprijë një vendim i Kuvendit Komunal. Dhe ky vendim pastaj të implementohet.
Por, edhe sikur të vendosej në këtë mënyrë nuk do ta dinim se cili do të ishte reagimi i pushtetit serb.
Haliti: E tani do ta shihnim.
E tani a është opsion që ai lapidar të zhvendoset dikund tjetër? Janë hedhur ide në varreza.
Haliti: Unë nuk di ku janë varrezat të them të drejtën...
Është ideja se lufta që ka bërë UÇPMB-ja, nuk ka qenë luftë fetare. Dhe sikur të ndërtohet ai lapidar në varreza merr konatacion tjetër?
Haliti: Presheva është komunë nën administrimin e Serbisë.
Por, disa herë kanë deklaruar se dëshirojnë të bashkohen me Kosovën.
Haliti: Nuk është Presheva komunë nën administrimin e Qeverisë e as të Kuvendit të Kosovës...
Shpesh herë po kemi komuna edhe brenda kufijve të Kosovës.
Haliti: Ky është një problem në vete. Është e vërtet kjo. Por, realiteti është ky. Ne e kemi një deputet nga ajo zonë që është në Kuvendin e Serbisë, kemi dy apo tre kryetarë komunash...
Po, a ka mundur të luaj Kosova rol më aktiv, pasi që kjo merret si një pamundësi për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve atje, pasi që kemi edhe procesin negociator, të cilit po i referohemi?
Haliti: Them se Kosova nuk ka mundur asgjë të bëj. Madje, konsideroj se është bërë gabim kur është deklaruar “që ne do ta mbrojmë...”, sepse fuqia, mundësia, kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi dhe e drejta kushtetuese e Kosovës për ta mbrojtur dikë jashtë kufijve është e limituar.
Dhe këtë po e thotë një nga themeluesit e UÇK-së, që ka luftuar kushtetutën, për të ndërruar gjithë rendin e atëhershëm dhe ia ka dal.
Haliti: Është e vërtet kjo. Sikurse që është e vërtet se ne e kemi pasur në projektet tona fillestare bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. I kemi pas ndarë edhe tri zona të luftës.
Por, tash po thoni se keni hequr dorë dhe se ata janë në Serbi?
Haliti: Është e vërtetë që kemi heq dorë, sepse përndryshe nuk do të merrnin mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Administrativisht po them, hapni cilën do hartë të Evropës dhe e shihni se cilët janë kufijtë e Kosovës dhe të Serbisë. Tjetër gjë është se çka do të bëhet në të ardhmen.
Pavarësisht se janë pakicë dhe jeton në Serbi, Kosova është një shtet e cila do të duhej të kujdesej njësoj siç po kujdeset Serbia për qytetarët e vet në Kosovë. Në negociata që po zhvillohen në Bruksel po bëhet fjalë vetëm për serbët në Kosovë.
Haliti: Emocionalisht jemi të lidhur se secili territor. Realisht sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Shqipërisë i takon.
Por, kjo po duket sikur hedhje...
Haliti: Jo, jo Shqipërisë sipas kushtetutës i takon, sepse ne nuk e kemi në kushtetutë të sanksionuar se ne do të përkujdesemi për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve, do të jetojmë dhe punojmë për bashkim e shqiptarëve.
Historikisht Kosova ka qenë më e afërt me Preshevën, edhe me lidhje familjare.
Haliti: Historikisht po. Ne kemi shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, të cilët janë të shpërngulur nga atje dhe sot jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Ne kemi obligim ndaj tyre. S’po them se nuk kemi obligim moral për t’i mbrojtur. Por ne duhet së bashku të ndërtojmë një strategji ...
Sa ka hapësirë për të hartuar një strategji të përbashkët, kur po e shohin se përfaqësues nga Lugina po trokasin nëpër zyra në Prishtinë me kërkesa konkrete?
Haliti: Kanë trokitur nëpër zyra të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve, dhe kanë mbajtur takime me ta. Unë nuk e di se ka pasur ndonjë marrëveshje...
Pikërisht pasi që nuk janë dakorduar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Kërkesat kanë qenë konkrete nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.
Haliti: Nuk mund të dakordohet dikush për diçka që nuk ka mundësi e as fuqi.
Aq të pafuqishëm jemi?
Haliti: Po, shumë të pafuqishëm jemi në atë drejtim.
Kemi një proces negociator që mvaret edhe nga performanca e Prishtinës, dhe ajo që asnjëherë nuk po ngritët është çështja e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Haliti: Nuk e besoj se nuk është ngritur. Nuk e besoj se nuk është biseduar. Është biseduar për shqiptarët e Preshevës edhe në Rambuje...
Por jo në këto negociata.
Haliti: Besoj se edhe tash. Nuk është e thënë që të gjitha të jenë të publikuara në media. Unë po besoj se është biseduar edhe në takimin e fundit në mes të Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel. Ne duhet të ecim me hapa të sigurt dhe t’u ofrojmë të mundshmen shqiptarëve që veprojnë në Preshevë dhe jo që tani të bëjmë edhe fushata elektorale, mediale se kush do të jetë patriot më i madh, se kush do të rrënoj përmendore, që nuk është mirë.
Lëvizja Vetëvendosje , forcë politike në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se ky është momenti për t’i dhënë fund edhe bisedimeve, për shkak se Serbia po sillet në mënyrë jodemokratike edhe me qytetarët shqiptarë në Luginë.
Haliti: Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar se nuk e njeh realisht Kushtetutën, marrëveshjen e Ahtisarit dhe është në opozitë. E drejta e Lëvizjes Vetëvendosje është që të flas çfarë të dojë, sepse nuk ka asnjë përgjegjësi institucionale në këtë rast.
Ka, ka, është në Kuvendin e Kosovës.
Haliti: Apsulutisht. S’ka lidhje që është në Kuvendin e Kosovës. Le ta qesin ata në Kuvendin e Kosovës, për ta votuar këtë çështje dhe po e shohim a po fitojnë apo jo. Këtu është një problem, sepse ne në fund të fundit edhe mund ta votojmë në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj...
Në Kuvendin e Kosovës po votohen gjëra, si p.sh jo të flitet me Beogradin për çështje të brendshme të Kosovës, por në raundin e fundit që po e përmendim është biseduar me kryeministrin e Serbisë për veriun e Kosovës.
Haliti: Unë jam që të bisedohet me të gjithë faktorët e rëndësishëm, të cilët kanë ndikim që të zgjidhet kjo nyje( veriu), e cila po na mundon të gjithëve.
Ky është ndryshim i qëndrimeve nga ajo që është thënë me herët, se nuk do të bisedohet me Beogradin për çështje të brendshme.
Haliti: Nga kush është thënë?
Nga kryeministri i Kosovës, nga Kuvendi, është Rezoluta e Kuvendit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Haliti: Por, kanë ndryshuar rrethanat. Dhe është obligim, sepse ose duhet të luftojmë për ta çliruar një pjesë të vendit ose duhet t’i harxhojmë të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë qëllim.
Atëherë pse të shkohet me rezoluta në Kuvend të Kosovës?
Haliti: Nuk do të thotë se gjithmonë ia qëllon Kuvendi i Kosovës pse e voton një rezolutë. Një rezolutë nuk është ekzekutive, por nëpërmjet tyre janë dhënë rekomandime. Me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës janë mbështetur dhe po mbështetën bisedimet e z. Thaçi me Qeverinë e Serbisë.
Por, ka edhe pika tjerë që thonë se me Beogradin për çështje të brendshme të Kosovës nuk mund të flitet.
Haliti: Shiko, nuk mund të mos flasësh kur ato janë çështje. Kur kontrabanda bëhet në veri, kur veriun Serbia e ka mbushur me armatim. Ajo realisht po i financon dhe po i mbështet mekanizmat...
Kjo gjendje është që 13 vite.
Haliti: Po mirë de, pse ne të mos bëjmë përpjekje që në vitin e 14-të t’i heqim këta.
Në këtë mënyrë do të hiqen?
Haliti: Po shpresojmë. Tani ne nuk kemi shkuar të vetmuar në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje siç ka ndodhur dikur që kanë shkuar atje dhe kanë nënshkruar një marrëveshje lokale, për çështje krejt të parëndësishme do ta quaja dhe preferike që nuk është realizuar asnjëherë. Ka pasur kontakte të tilla në të kaluarën me Beogradin. Tani ne kemi një proces të cilin e ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare dhe po bëhen me ndërmjetësimin e saj dhe me mbikëqyrjen e SHBA-ve. Mbase është kështu, ne duhet të jemi më të qetë. Nuk ka nevojë të mërzitet dikush se pse po takohet z. Thaçi me Daçiqin. Të dyja po besoj se do t’i mbrojnë interesat e shteteve të tyre.
A mund të ekzistoj që të dyja palët t’i mbrojnë interesat e shteteve të tyre, pa bërë një kompromis?
Haliti: Po, sigurisht. Të dyja palët do të përpiqen që të fitojnë sa më shumë për interesa të tyre , por në fund...
Do të ketë një kompromis...
Haliti: Mund të ketë një kompromis. Por, cili është kompromisi në këtë rast? Ne e dimë se kompromisi më i mundshëm dhe më i dhimbshëm ka qenë pakoja e Ahtisarit. Brenda pakos së Ahtisarit mundësitë janë të ndryshme. Hapësira për të arritur një marrëveshje edhe për serbët është pozitive, sepse ne nuk po kërkojmë që serbëve t’ua nxijmë jetën dhe t’i dëbojmë nga Kosova, jo, jo ne po kërkojmë që edhe ata të jetojnë në Kosovë. Për këtë jemi garant ne, është edhe bashkësia ndërkombëtare. Ne po përpiqemi që ta bindim edhe bashkësinë ndërkombëtare se ne nuk jemi revanshistë, nuk duam që të futemi në konflikt me qytetarët tanë, por duam që edhe atyre t’u afrojmë kushte më të mira. Prej Serbisë po kërkojmë të veprojnë, nëse do publikisht ose jo publikisht, që ta demilitarizojë veriun, ta tërheq armatimin dhe forcat e veta që i ka në veriun e Kosovës.
Dhe pastaj si të rregullohet? Si të integrohet veriu?
Haliti: Tani këtu është një problem në vete. Si të rregullohet kjo çështje? Ato janë tre komuna dhe kemi një vendim që të themelohet edhe komuna veriore e Mitrovicës.
Kjo është brenda pakos së Ahtisarit.
Haliti: Po, po. Lë të themelohet kjo komunë, nuk ka ndonjë problem. Mirëpo ne e kemi edhe të drejtën e asocimit të komunave me pakon e Ahtisarit.
Por, nuk është njësoj me një pjesë që nuk kontrollohet nga Prishtina...
Haliti: Po pse ne e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës, i cili funksionin.
Pushteti i Prishtinës nuk ka arritur të depërtojë në veri dhe të jetë prezentë...
Haliti: Ne po përpiqemi që me mjete paqësore, edhe nëpërmjet bisedimeve në Bruksel të vendosim kontrollin institucional edhe në veri, duke i garantuar ata që çdo gjë do të jetë në rregull për qytetarët serb në atë pjesë. Duke e çmontuar gjithë atë propagandë që vjen nga Beogradi për t’i frikësuar serbët edhe në veri edhe në jug. Duke e çmontuar edhe propagandën që vjen nga elementë të tjerë të kontrabandës dhe të veprimeve të tjera të elementeve të krimit.
Kështu flet Prishtina se si dëshiron ta shoh gjendjen. Por ne kemi një platformë të Serbisë e cila ka marrë vota maksimale, e cila parasheh bukur shumë ndryshime, madje edhe autonomi për serbët e veriut të Kosovës.
Haliti: Ne biseduam edhe për rezolutat e Kuvendit të Kosovës. Beogradi është e vërtet se e ka sjell një platformë, por ajo nuk e obligon Kosovën. Ne jemi dy shtete.
Kosovën as platformat e Kuvendit nuk e obligojnë.
Haliti: Platformat dhe rezolutat e Kuvendit të Kosovës e obligojnë Qeverinë e Kosovës. Dhe Qeveria e Kosovës e ka marrë një autorizim për të biseduar me Serbinë.
Por nuk e ka marrë bllanko?
Haliti: Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Deklaratat formale të përfaqësuesve të subjekteve politike, që bëhen sa për konsum elektoral janë krejt diçka tjetër. Unë po them se nuk ka nevojë që të debatohet shumë për çdo centimetër, ose për çdo hap që bëhet në këtë proces. Thaçi ka raportuar pas çdo takimi që ka mbajtur në Bruksel.
Z. Haliti , si e shihni ju përfundimin e këtij procesi? Vërtet besoni se do të mbetët në fuqi pakoja e Ahtisarit?
Haliti: Unë besoj në të drejtën e Kosovës, në garancitë që i ka dhënë bashkësia ndërkombëtare për mosndryshimin e kufijve të Kosovës, dhe besoj se për çdo çështje do të këtë transparencë.
Çka na duhet transparenca?
Haliti: Unë nuk jam profet për të ditur se cila do të jetë marrëveshja që nesër do të nënshkruhet.
Nga analiza e juaj si njohës dhe pjesëmarrës i ngjarjeve, si pjesëmarrës i shumë negociatave çka mund të prisni?
Haliti: E kam thënë shumë kohë më herët, besoj edhe në këtë studio me ju, që nuk do të jetë një marrëveshje që do të na kënaq të gjithëve...
Pra, duhet pritur që...
Haliti: Më së paku do të jenë të kënaqur serbët me qëndrimin që do të mbaj bashkësia ndërkombëtare dhe me kërkesën ndaj tyre për ta nënshkruar marrëveshjen.
Serbët e Beogradit?
Haliti: Po. Ata nuk do të kenë mundësi që ta ndajë territorin e Kosovës.
Frika është mos do të kenë mundësi që ta bëjnë jofunksionale Kosovën?
Haliti: Në Kosovë ka interesa të ndryshme, ka qëndrime të ndryshme politike, ka kërkesa të ndryshme edhe për veriun. Ka ndoshta edhe gatishmëri të ndryshme, herë patriotike... por ky është një realitet, i cili na ka hap perspektivën të dyja shteteve, të dyja kombeve, që të orientohemi drejt Bashkimit Evropian.
Në fund të procesit a do ta marrin një ulëse në OKB. Kjo është i gjithë investimi. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë çka na duhet?
Haliti: Tani ulësen në OKB po e kërkojmë. Kjo nuk mund të realizohet lehtë për shkak të qëndrimit që kanë dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por ju e dini edhe një rast tjetër, atë të Palestinës e cila ka kaluar pa dëshirën e një apo dy shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Palestina nuk është anëtare me të drejta të plota.
Haliti: Me të drejta të plota nuk do të bëheni as ne shpejt jo. Ne e kemi deklarimin publik edhe të Rusisë edhe të Kinës, të cilat thonë se në qoftë se arrihet një marrëveshje në mes të Serbisë dhe Kosovës, ne nuk kemi asgjë kundër që çështja e Kosovës të zgjidhet në KS të OKB-së. Por ne kemi edhe një veprim tjetër shtesë, të një fuqie të caktuar, ose të një shërbimi të caktuar, të atij rus, i cili vepron në veri të Mitrovicës dhe i cili menaxhon politikisht një pjesë të ekstremit serb dhe u thonë se ju vazhdoni me protesta dhe barrikada, sepse do të fitoni. Ne e kemi këtë informacion.
Dhe kjo i bie se nëse pajtohet Serbia, njëkohësisht pajtohet edhe Rusia?
Haliti: Po, ky është qëndrimi zyrtar i Rusisë. Por të mos harrojmë se segmente të caktuara, politika ruse, qëllimet e saj që kanë qenë më herët për të dal në ujera të nxehta, për të ushtruar influencë këndej është që ta mbaj nën tutelën e vet Serbinë dhe të mbajë probleme të cilat janë ende aktuale në rajon. Si do qoftë ne jemi të vegjël që të përcaktojmë politikat e të mëdhenjve, sepse ata bashkëpunojnë në situata të nxehta në mes vete, dhe po besoj qe edhe për Kosovën do të ketë kusuritje në mes të atyre.
A do duhet të ketë një afat për këtë proces negociator që po e shohim?
Haliti: Besoj se ka një afat. Unë nuk kam ndonjë informacion, por besoj se përafërsisht qershori duhet të jetë një afat i cili do të sjell një marrëveshje, ndoshta jo për të gjitha çështjet, por për një pjesë të problemeve të cilat po e pengojnë Serbinë të orientohet nga Evropa dhe Kosovën po e pengojnë që të merr drejtimin e duhur nga institucionet evropiane dhe të orientohet për të marrë kërrigën në OKB. Për këtë çështje po zhvillohen bisedimet dhe për këtë çështje po i mbështesin këto bisedime edhe SHBA-të edhe BE-ja. Unë besoj që ne nuk duhet të pretendojmë tani të dalim jashtë qëndrimeve të tyre, sepse nuk ka kuptim.
Kongresi i PDK-së
Z. Haliti siç e paramendova edhe në fillim të këtij emisioni në këtë fundjavë do të mbahet Kongresi i PDK-së, ku pritet të votohen organet e reja. Ka pasur pikëpamje të ndryshme edhe për këtë proces. Z. Jakup Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i partisë, realisht ndoshta numri dy i partisë ka kërkuar që të shtyhet për shkak të mungesës së z. Limaj. Por, kjo kërkesë nuk u përfill nga pjesa tjetër. Si e vlerësoni ju se do të shkojë ky kongres?
Haliti: Së pari unë për këtë çështje jam informuar nga portalet e lajmeve. Më vonë doli se z. Krasniqi nuk i kishte shkruar letër z. Thaçi, por i kishte kërkuar me gojë që ta shtyjë kongresin. Dhe ky nuk do të thotë se është një qëndrim i z. Krasniqi për të sabotuar kongresin. Por, është një kërkesë krejt legjitime, që mund ta bëj secili anëtar i Kryesisë apo të Këshillit Drejtues. Nuk e besoj se mund të ketë të papritura të cilat dëshirohen nga segmente të caktuara nga opinonistë, të cilët kanë proklamuar se ku me ditë çka mund të ndodh në PDK.
Mirë, kanë folur edhe vetë anëtarët e PDK-së, dhe nuk është një situatë relaksuese, pasi që edhe vetë numri tre i partisë edhe me vota edhe me fuqi, ndodhet në paraburgim dhe do të ishte më së e logjikshme që të arrihet një kompromis...
Haliti: Është e vërtet se ne do të duhej të bënin gjithçka që së pari z. Limaj.. që po besoj se është në burg dhe jam i bindur që është i pafalshëm për të dy akuzat që i bëhen që të lirohet sa më shpejt që është e mundshme. Por, në të njëjtën kohë kjo kërkesë është dashur të bëhet shumë më herët...
Por, nuk është e paraparë...
Haliti: Para se të vendoset koha se kur do të mbahet kongresi, që të ketë mundësi që të shtyhet.
Mirë, ky është arsyetim, sepse PDK di të mbaj kuvende edhe brenda jave, siç ishte kuvendi i fundit.
Haliti: Në bazë të informatave të mia, z. Limaj do të jetë kandidat për të gjitha funksionet e PDK-së dhe nuk do të ketë anashkalim.
Por, a pajtoheni se pozicioni nuk është i njësoj me dikë që është i pranishëm dhe me dikë që ndodhet në paraburgim?
Haliti: Tani ky është një realitet. Dhe unë mendoj se nuk duhet të mos mbahet kongresi për këtë arsye.
Pavarësisht që është kërkuar nga numri dy i partisë?
Haliti: Unë të paktën nuk kam marrë pjesë në një mbledhje, në të cilën është trajtuar kjo çështje.
Aq më keq.
Haliti: Kërkesat duhet të bëhen në organe të partisë. Për ta shtyrë ose jo kongresin, mund të vendos Këshilli Drejtues i cili ka marrë vendim për ta mbajtur kongresin. Unë mendoj se as z. Thaçi nuk ka të drejtë ta shty kongresin personalisht në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues. Në qoftë se është kërkuar që të mblidhet Këshilli Drejtues dhe të shtyjë kongresin për një kohë, dhe ka të dhëna se procesi gjyqësor ndaj Limajt mund të përfundojë për një ose dy muaj, ka pasur mundësi edhe të shtyhet. Personalisht mendoj se nuk i kish prish asnjë punë PDK-së në qoftë se do ta shtynte për dy muaj kongresin.
Por, ka edhe një mendim tjetër, që z. Krasniqi dhe Limaj janë renditur në një anë që ka qenë kritike ndaj menaxhimit të proceseve të brendshme dhe...
Haliti: Është e vërtet kjo. I kam dëgjuar deklaratat e tyre. Ato i ka dëgjuar edhe publiku dhe nuk mund të futem tash unë në atë problematikë, sepse ata e kanë ngritur dhe ata e kanë mbrojtur.
Dhe ju keni një opinion?
Haliti: Unë kam opinionin tim, i cili më bën që t’i lus të gjitha palët që në këto rrethana në të cilat jemi, pakënaqësitë duhet t’i mënjanojmë dhe të punojmë që kongresi të jetë i suksesshëm. Duhet të punojmë shumë që ta demokratizojmë dhe institucionalizojmë PDK-në më mirë...
Pikërisht brenga është aty. Z. Krasniqi ka thënë se demokracia ka vdekur...
Haliti: Kongresi i partisë ka mundësi që ta shqyrtojë edhe problematikën e ngritur nga z. Krasniqi dhe nga z. Limaj.
Është vonë atëherë.
Haliti: Jo, nuk është vonë fare. Kongresi do të zgjat dy ditë, mund të zgjas edhe më shumë, sepse ne do të miratojmë një statut. Dhe po ashtu do të duhej të ndërtonim një sistem i cili e obligon secilin para statutit dhe jo ta shkelim çdo ditë atë.
Pikërisht këtu qëndron problemi se si të vazhdojë kongresi kur njëri nga ta nuk do të ndodhet fizikisht aty, pasi e ka të pamundur...
Haliti: Po mirë de, janë edhe 550 delegatë në kongres. Dhe nëse ata e shohin vetën në PDK me siguri se nuk rrinë, askush nuk i ka obliguar...
Ka paralajmëruar z. Krasniqi se mund ta lërë fare PDK-në.
Haliti: Unë nuk besoj. Z. Krasniqi e takoj çdo ditë dhe asnjëherë nuk është deklaruar se do të del nga PDK-ja.
Ju e keni dëgjuar edhe nga kjo studio.
Haliti: Pakënaqësitë i ka shprehur publikisht dhe unë nuk dua që të hy në problematikën, nëse kanë konflikte personale apo institucionale.
Janë konflikte parimore, siç shprehet z. Krasniqi.
Haliti: Sa i përket raporteve të brendshme në PDK, dua të them me përgjegjësi se z. Thaçi, z. Krasniqi dhe z. Limaj kanë qenë bashkëpunëtorë dhe ndër kreatorët kryesor të politikave të PDK-së. Dhe unë nuk mund të them tash, se ndoshta z. Thaçi si kryetar nuk e ka anashkaluar qoftë Krasniqin, qoftë Limaj, qoftë ne si kryesi...
Qoftë ju? Jeni ndier ju ndonjë herë i anashkaluar?
Haliti: Sigurisht se edhe unë jam ndier i anashkaluar...
Nga z. Thaçi...
Haliti: Por, z. Thaçi është kryetar i partisë dhe duke qenë edhe kryeministër dhe duke qenë se informacionet kombëtare dhe ndërkombëtare janë më të koncentruar te ai, shumë herë ndoshta është detyruar që të merr vendime pa i shqyrtuar aq thellë në organet e partisë.
Dhe këtu pastaj lexohet nga disa kjo mungesa e demokracisë?
Haliti: Po them në vende të rajonit, nuk po shkoj më larg, partitë që e kanë pushtetin gjithmonë çalojnë në organizimin partiak, për shkak se ata e kanë pushtetin...
Mirë, nga kjo që po deklaroheni po mundoheni t’i arsyetoni veprimet e z. Thaçi, përderisa pakënaqësitë kanë qenë të forta nga dy njerëzit e dytë të partisë?
Haliti: Unë e di se ka pakënaqësi. Këtë e dini, e dinë edhe qytetarët, sepse ata janë shprehur publikisht. Unë z. Thaçi e arsyetoj për shumë veprime që i ka bërë me guxim të madh, veçanërisht për fillimin e bisedimeve, që nuk e ka pasur të lehtë. Dhe po ashtu e vlerësoj për hartimin e strategjisë për t’i fituar zgjedhjet. Dhe për arritjen e tij për ta bërë një koalicion të qëndrueshëm, të paqëndrueshëm, varësisht nga vlerësimet që janë bërë. Dua të them se ka qenë edhe një moment që z. Thaçi është përball edhe me shkarkimin e qeverisë nga vet PDK-ja dhe vet i ka fituar zgjedhjet...
Kjo ka qenë e menaxhuar...
Haliti: Në rregull, por kjo është forca e PDK-së.
Kjo i jep kredibilitet Thaçit, fuqi Thaçit?
Haliti: Sigurisht se është kryetar i partisë dhe ka qenë udhëheqës i fushatës.
Dhe ju thoni se z. Krasniqi dhe z. Limaj nëse nuk pajtohen dhe ndahen të pakënaqur edhe mund të shkojnë?
Haliti: Unë po besoj se z. Krasniqi duhet të merr pjesë sipas statutit në Kongresin e PDK-së, dhe duhet të konkurroj dhe të zgjidhet në organet e partisë, bashkë me z. Limaj.
A kemi deri më tash ndonjë kundërkandidat të z. Thaçi për kryetarin e PDK-së?
Haliti: Jo deri më tash jo.
Do të mund të ketë?
Haliti: Jo nuk e besoj. Sikur të besonte dikush në vetveten e tij se do t’ia dal ta mund z. Thaçi në kongres, besoj se do të konkurronte, sepse nuk është e ndaluar.
Pra është i pakonkurencë?
Haliti: Aktualisht është i pakonkurencë z. Thaçi për të qenë kryetar i PDK-së.
Fuqia e Kadri Veselit, i cili hyri në PDK. Hyri pra siç u tha si anëtar i thjesht, por po e shohim se bukur shumë po merr përgjegjësi partiake, madje edhe me prurje të reja. Kjo të bën të kuptosh se nuk është bash anëtar i thjesht.
Haliti: Z. Veseli është shoku ynë. Ka qenë me ne gjatë gjithë kohës, edhe gjatë luftës. Por nuk ka qenë zyrtarisht në strukturat e partisë.
Zyrtarisht jo. Jozyrtarisht po.
Haliti: Jo nuk ka qenë apsulutisht. Miqësia është miqësi. Por, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të partisë asnjëherë.
Por, në vendimmarrje shpesh ka pasur fuqi.
Haliti: Po interpretimet, pastaj a ka marrë pjesë në vendimmarrje pas kuluareve, këtë nuk e di dhe nuk mund ta them, sepse nuk e kam dëgjuar asnjëherë duke i thënë z. Thaçi, sikurse nuk na ka thënë as ne anëtarëve të Kryesisë së PDK-së se merrni këta apo atë vendim.
Pra mirë, atëherë si tërë kjo fuqi?
Haliti: Nuk po e shoh se ka aq fuqi. Ai është anëtarësuar në parti dhe ka nevojë që të promovoj vetën edhe mediatikisht si njëri i partisë. Vullneti i Kryesisë së PDK-së dhe i disa degëve ka qenë që të marrë pjesë z. Veseli në disa tubime publike që janë mbajtur në Kosovë. Është krejtësisht normale që një njëri normale që aderon në një parti publike që të komunikon me publikun, që ta njoh publiku dhe ta njoh anëtarësia e partisë.
PDK-ja e ka edhe një anëtar të ri, ish- kryeministrin Agim Çeku, që papritmas dhe që deri para dy –tre muajsh e mohonte katergorikisht kalimin në PDK, madje deklaronte se është propagandë e PDK-së, tash u bë anëtar i PDK-së. Si e shihni këtë?
Haliti: Unë nuk e di. E kam lexuar para dy-tre muaj tek portali Indeksonline informatën se Agim Çeku do të aderojë në PDK. Dhe në atë moment kam menduar se çka donë ai në PDK kur është kryetar i një partie, i PSDK-së. Nuk është shumë komode që të futësh në një parti, ku je i obliguar që të konkurosh... sidoqoftë Agim Çeku ndoshta ka reflektuar, nuk e ndien vetëm si të majtë dhe pasi që PDK-ja në këtë kongres do të profilizohet si qendër e djathtë i është bashkuar partisë.
Është vetëm çështja programore?
Haliti: Po, besoj se po, sepse nuk di që ka pasur ndonjë konflikt të brendshëm në PSDK.
Ka zgjedhur që të jetë i dyti në shehër sesa i pari në katund. Por shehri shumë i fortë.
Haliti: Është problem i tij. Unë nuk e di. E kam mik të mirë, por nuk e kam takuar pas vendimit të tij të fundit. Por, besoj se e ndien vetëm mirë, pasi që me ne një kohë ka qenë bashkë, edhe në pjesën e luftës pas Rambujes. Pastaj ka drejtuar disa institucione, edhe qeverinë...
Dhe kalimi ndodhi pak para mbajtjes së kongresit. Prisni që të merr edhe ndonjë post?
Haliti: Do të varet shumë se kush do të jetë në Këshillin Drejtues dhe a do të konkuron për të qenë pjesë e Kryesisë apo jo. Në rast se konkuron për të qenë pjesë e Kryesisë dhe i fiton votat pse jo. Dhe në Kryesi mund ta propozoj kryetari i partisë për ndonjë post tjetër për të qenë pjesë e menaxhimit të partisë. Nuk e di nëse ka edhe ndonjë marrëveshje... kjo janë çështje për të cilën do të bisedojmë në parti.
Ju nuk jeni pjesë e ekzekutivit, por po vazhdojnë përflitet se do të këtë një ndryshim të koalicionit, do të ketë ndërrim të kryeministrit. z. Haradinaj mund të bëhet kryeministër me një koalicion me PDK-në.
Haliti: Nuk besoj se z. Haradinaj mund të jetë kryeministër, pasi që përqindja, fuqia e votave që ka ai nuk përkon me pozitën e të qenurit kryeministër. Me z. Haradinaj ne duhet të hyjmë në koalicion. Unë kam qenë për një koalicion të tillë edhe pas zgjedhjeve që janë mbajtur. Vlerësoj se duhet të ketë një koalicion PDK-AAK dhe të tjerët, dhe që të merren vendime të caktuara, ku pjesëmarrës do të jetë edhe z. Haradinaj. Pra të krijohet një ekip që vendos dhe jo një mekanizëm ose autoritet i cili vendos për gjithçka dhe për të gjithë.
Pra që jo. z. Haradinaj të jetë kryeministër?
Haliti: Për hir të bindjeve të mia po flas, se nuk e di dhe nuk kam një informacion se ka një ofertë nga PDK-ja që z. Haradinaj të jetë kryeministër i vendit. Unë besoj dhe jam i bindur se as z. Thaçi nuk mund të merr vendim i vetëm për ta bërë z. Haradinaj kryeministër.
Edhe nëse do z. Thaçi?
Haliti: Z. Thaçi nëse do mund ta propozoj në parti, në Kryesi dhe në qoftë se pajtohem pse jo.
A jeni optimist se do të ndodh një gjë e tillë?
Haliti: Sinqerisht po them se nuk jam shumë optimist se mund të ndodh kjo. Ne jemi në një fazë tranzicioni do ta quaja sa i përket ndryshimit të kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje. Kemi filluar të hyjmë në vitin e fundit të legjislacionit. Po besoj se në vitin 2014 do të ketë zgjedhje të reja, dhe nuk e besoj se PDK-së do t’i binte mirë nëse nuk udhëheq me qeverinë. Është e palogjikshme për mua që AAK-ja të udhëheq me vendin. Është krejtësisht normale që të bashkëqeverisim.
Lufta e UÇK-së në Maqedoni. Takimi i parë i Ali Ahmetit me Arbër Xhaferit
Të kalojmë në një çështje që ka kohë që planifikojmë ta bisedoj me ju. Filluam me çështjen e UÇPMB-së. Përmendem se keni pasur rol, pra ndër kryesorët në organizimin e luftës së UÇK-së. Kurse në një libër që ka dal përafërsisht një vit më herët të z. Veton Surroi, flitet për rolin e juaj në UÇK-në, pra kombëtare në Maqedoni. Ai iu përmend ju se keni qenë personi që e keni kontaktuar me porosinë që shokët janë të interesuar që të flasin diçka me të.
Haliti: Ali Ahmeti ka qenë anëtar i Sektorit të Veçantë, dhe ne kemi qenë bashkëpunëtorë, bashkëveprimtarë dhe e kemi pasur një obligim të përbashkët. Dihet se unë kam qenë në krye të atij sektori.
Te UÇK-së para luftës?
Haliti: Para dhe pas luftës, derisa jemi përlarë . E kemi pasur një konflikt më shumë politik sesa diçka tjetër. Maqedonia në përcaktimet tona të mëhershme politike ka qenë Zona e Dytë Operative e UÇK-së, mirëpo pas ndryshimeve, pas ribërjes së nënzonave që kanë ekzistuar në Kosovë dhe shndërrimit të tyre në zona, dhe pasi që ne u tërhoqëm nga ideja që të hapin një front, i cili nuk ishte realist për ne...
Fronti për bashkimin e trojeve...
Haliti: Një front në të gjitha anët e trojeve shqiptare. Do të duhet që të kishin vërtet Amerikën me vete ose Evropën që të na furnizonte me ushtarë që të luftojmë në të gjitha këto fronte...
Por, Amerika tha vetëm në Kosovë?
Haliti: Jo, nuk është puna, por ndodhi diçka që as Aliu nuk ka qenë iniciues. Ndodhi konflikti i Tanushës, i cili mbi bazën e informatave u zbulu një bazë e armëve të cilat ishin planifikuar nga ata që të fillojnë luftën. Unë me Ali Ahetin jam takuar disa herë para se të fillojë kjo. Jam takuar edhe në shtëpinë time, dhe i kam thënë se nuk është mirë, sepse nuk keni fuqi. E kam lutur Aliun dhe Fazli Veliun që t’i bashkohen procesit demokratik në Maqedoni, forcave politike, në këtë rast Arbër Xhaferit për t’i fituar të drejtat e tyre të cilat do të duhej të ishin të garantuara me kushtetutë. Megjithatë ndryshoi situata.
Ndryshoi rastësisht apo qëllimisht?
Haliti: Jo, ka qenë do të thoja e planifikuar nga...
Nga Ali Ahmeti dhe Fazli Veliu?
Haliti: Nuk është shumë me rëndësi. Promotor i të gjithave ka qenë Kryesia e LPK-së, derisa ka ardhur ai konflikti i famshëm i 1998 ku edhe Kryesia e LPK-së ka pasur përçarje dhe nuk ka qenë më vendimmarrëse për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë. Do të thotë ka ndërruar ai grupi vendimmarrës. Kur filloj lufta, normalisht se duhet të komunikoja me Ali Ahmetin- Abazin, dhe në të njëjtën kohë komunikova edhe me disa segmente të diplomacisë të huaj që ishin në Prishtinë. Më kujtohet Devis Line( ish shef i Zyrës Britanike në Kosovë) me të cilin kemi biseduar në tarasen e hotel Grandit, dhe unë pa fol me Aliun ia paraqita platformën e mundshme për t’u ndërpre konflikti në Maqedoni. Ai më tha, se pse unë po përzihem. I thash se unë nuk po përzihem, por po e them një mendim timin, të cilin po besoj se do të miratojnë edhe ata.
Dhe ju nuk e kishit biseduar?
Haliti: Jo, jo nuk e kisha biseduar fare me Aliun. Dhe herën e parë jemi takuar këtu në Prishtinë, ku rrinte Aliu gjysmë -ilegal dhe kemi biseduar për mundësitë që i kanë...
Pasi që kishin filluar përleshjet e para?
Haliti: Po, po. Pastaj jemi takuar edhe me Musa Xhaferin. Pas një kohe Aliu ka filluar që të merr përsipër me komunikata veprimet në Maqedoni, ta orientoi luftën politikisht. E di që kanë shkuar në takime edhe z. Surroi, Blerim Reka, Ylber Hysa bashkë me ndërkombëtarët. Edhe Ramiz Lladrovci ka shkuar me disa të interesuar...
Por, ju ishin një lloj ndërmjetësuesi dhe për t’i vënë në kontakt edhe me z. Surroi, siç e përshkruan edhe z. Surroi?
Haliti: Po, unë i kam kërkuar z. Surroi që t’ju ndihmoj disa herë. Ai ka shkuar disa herë. Nuk jam unë kompetent që të vlerësoj kontributin e z. Surroi. Besoj se Aliu dhe Vetoni e dinë se deri ku kanë arritur. Por, ka qenë një situatë, ku unë jam përpjekur që ta ndihmoj Aliun për t’i dhënë zgjidhje paqësore luftës dhe kam komunikuar me disa qendra të vendosjes në atë kohë. Po ashtu kam ndihmuar, pra sistemin që e kemi pasur në Evropë dhe Amerikë për të mbledhur ndihma, ia kam dhënë të gjitha mundësitë, të gjithë njerëzit Musa Xheferit, i cili ka qenë në lëvizje jashtë Maqedonisë. Dhe e kemi organizuar takimin e parë në mes të Arbër Xhaferit dhe Ali Ahmetit me Fatos Klosin dhe Ilir Metën në Tiranë.
Por, fillimisht keni organizuar takimin në mes të Arbër Xhaferit dhe Ali Ahmetit në Prizren, i cili ka ndodhur në një furrë...
Haliti: I cili ka ndodhur në Tiranë, në villen 31. Mua me kanë marrë me një helikopter në Kukës dhe kemi shkuar në villen në Dajt ku ishte Ilir Meta në pushim. Pastaj në takimin që është mbajtur në Tiranë, unë nuk kam dashur të marrë pjesë, sepse ideja ime ishte se mund të merreshin vesh në mes vete. Të nesërmen kam fjetur me Ali Ahmetin dhe më ka treguar se takimi ka qenë mjaftë i mirë dhe frytdhënës.
Pra në atë takim ka qenë Ali, Musa Xhaferi...?
Haliti: Jo, jo ka qenë vetëm Ali Ahmeti, Arbër Xhaferi dhe Ilir Meta. Nuk e di a ka qenë brenda Fatos Klosi apo jo. Më kanë lutur që të hy në takim, por për arsye të ndryshme nuk kam dashur.
Pastaj në furrë e keni organizuar takimin?
Haliti: Po, po, pastaj është dekonspiruar takimi... pastaj ne e kemi vendosur pikën e takimit në furrën e Qamil Binajt në Prizren. Takimet i kemi mbajtur edhe në shtëpinë e Qamilit. Qamili e ka çikën e axhës time për grua, dhe e kam pasur këtë afërsi.
Sërish pra ju keni përcaktuar për logjistikën?
Haliti: Jo logjistika, se me logjistikë nuk jam marrë, nuk jam marrë as me Kosovën, e kam ndihmuar, por nuk kam qenë i ngarkuar.
Por, ju keni vendosur ku mund të ketë siguri?
Haliti: Po siguri dhe përgjegjësi. Sepse së pari besimi fillon te njerëzit që i njeh. Në furrën e Qamilit në katin e dytë ka qenë një dhomë, në të cilën ai ka banuar me familjen e tij. Aty jemi takuar edhe me ndërkombëtarë, kam qenë edhe unë prezent herë pas here. Edhe me Aliun jemi takuar, edhe me Musa Xhaferin. Kemi ecur së bashku në proces. Tani unë drejt t’u them e kam pasur një mendim timin, duke qenë edhe në procesin e mëhershëm të Kosovës, që duhet të zgjidhet ajo çështje. Sugjerimet e mia i ka akceptuar shumë herë, mos të them çdo herë Abazi.
Por ju keni qenë në cilësinë private aty?
Haliti: Nuk kam pasur asnjë funksion, as funksion të PDK-së në ato takime. Por, kam ndier obligim për shkak se kam qenë i interesuar që të zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni, por dua të them se kam qenë edhe shok i Ali Ahmetit.
Por, shkuan edhe atje duke u modifikuar kërkesat. Kur filloi lufta flitet se shqiptarët i kanë kapur armët për të ndarë Maqedoninë. Pastaj u arrit marrëveshja e Ohrit.
Haliti: Jo, nuk ka qenë kurrë mendim i Ali Ahmetit që të ndajë Maqedoninë. Ne kemi diskutuar edhe për atë opsion. Pra nuk ka qenë qëllimi që të ndahet Maqedonia, edhe pse në një periudhë kohore programi ynë ka qenë që Kosova dhe viset tjera shqiptare të bashkohen në një shtet të vetëm, që Vilajeti i Kosovës të jetë ai i vjetri, që i bashkon të gjitha viset shqiptare në ish- Jugosllavi. Pastaj e kemi ndryshuar edhe këtë opsion në proces. Mendoj se kam ndihmuar t’i jap një zgjidhje paqësore çështjes së luftës në Maqedoni.
Dhe sa ishte e vështirë të binden, pasi që përmende edhe takimet me përfaqësuesit e huaj. Pas luftës në Kosovë, shqiptarët hapen edhe dy fronte.
Haliti: Po, është e vërtet. Ka qenë një plan që edhe në Mal të Zi të filloj lufta. Kanë burgosur edhe atje disa djem, të cilët e kanë pasur një plan të tillë. Por, këto kanë qenë plane të grupeve të veçanta. Unë nuk e kam ditur as që ka për të filluar lufta në Maqedoni. Po them se kontributi im ishte për t’i dhënë zgjidhje paqësore kësaj çështje, konform zgjidhjes të së drejtës së shqiptarëve atje. Po e përsëris se Vetonit i kam kërkuar t’i ndihmojë për arsye se e kam njohur dhe gjatë kohës në Konferencën e Rambujes dhe mendoj se e kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe shumë kontribuues edhe në raport me ndërkombëtarët në situata të caktuara.
Sikur mos të përfshiheshit ju, Veton Surroi dhe të tjerët si vlerësoni se do të ishte...
Haliti: Nuk do të thoja se sikur të mos përfshihesha unë, nuk do të zgjidhej çështja e shqiptarëve në Maqedoni. Unë konsideroj se kam ndihmuar diçka. Njerëzit që e kanë kontaktuar Abazin përmes meje i kanë dhënë një zgjidhje procesit.
Për shikuesit që nuk e dinë, Abazi ka qenë Ali Ahmeti?
Haliti: Po, ai ka qenë Abazi, unë Zeka. I kemi pasur edhe disa pseudonime tjera nëpër procesverbal, por kur të hapen arkivat e shohim. Nuk e kam pasur të lehtë. Njeri edhe me të huaj shpesh herë nxehet duke debatuar. Unë e kam pasur të ndalur hyrjen në Zvicër, pasi për një vendim të tillë ka votuar parlamenti zviceran, për shkak të implikimit në luftën në Maqedoni. Dikush e ka kërkuar këtë, dhe dikush ka denoncuar pa argumente, kështu që për 10 vjet derisa më ka hequr vetë parlamenti atë ndalesë, e kam pasur të ndalur të hynë Zvicër për pa e lajmëruar shtetin dhe për pa më jep leje. Unë nuk e qaj vetën për pasojat e mia, por e qaj atë xhelozinë që është në mesin tonë, nuk janë në gjendje një pjesë e njerëzve që t’i analizojnë situatat në hapësirë dhe në kohë. Unë ia kam afruar dy mundësi bashkësisë ndërkombëtare: ja ku e keni problemin ose zgjidhni ose kaloni në anën e atyre që donë t’i shtypin shqiptarët.
Dhe mundësia ka qenë...?
Haliti: Mundësia, me pas dashur ata kanë pasur mundësi që ta asgjësojnë UÇK-në. Asgjësimi i një ushtrie në embrion është më i lehtë, sesa i një ushtrie që krijohet pastaj në vazhdimësi. Më vonë ata nuk kanë mundur. Ka pasur pastaj situata kur kryeministri i Maqedonisë ka qenë në Bruksel dhe ka pasur dëshirë që ta paraqes konfliktin e përfunduar, por rezistenca ka vazhduar në atë pjesën shqiptare përmbi Shkup, në Haraçinë dhe nuk i ka ndez ajo ide.
Ajo ka qenë për të dhënë sinjalin se nuk vendos ti kur përfundon kur përfundon konflikti?
Haliti: Jo, qëllimi ka qenë se pa një marrëveshje me shqiptarët dhe pa garancinë e bashkësisë ndërkombëtare nuk përfundon konflikti.
Dhe vlerësoni se është arritur ajo për çfarë kanë luftuar shqiptarët në Maqedoni?
Haliti: Jo. Shikoni ne e kemi Kosovën shtet dhe po ankohemi se nuk kemi arritur asgjë. Prapë ka zëra që dalin e thonë tradhti kjo, tradhti ajo, tradhtar ky, tradhtar ai. Kemi ne një lloj terpie, dhe po ashtu kemi njerëz që ushqehen duke baltosur të tjerët. Megjithatë ky është fati ynë, ky është vendi ynë dhe kemi pavarësinë e Kosovës dhe po ecim jo me hapa të dëshiruar për t’u bërë pjesë e Evropës së qytetëruar. Ne nuk mund t’i arrimë ata as për 10 vjet, as për 50 vjet, sepse edhe ata ecin me trende bashkëkohore, por nëse bashkohemi do të na ndihmojnë edhe ata që përafërsisht të jemi afër tyre. Ky ishte kontributi im që kam dhënë për shqiptarët e Maqedonisë.
Faleminderit.