Të shtunën protestohet për Luginën

Solidarizimi me shqiptarët e Preshevës pritet të shfaqet të shtunën në ora 14:00, kur edhe është thirrur protesta mbarë popullore lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, përkrahja e protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje! po rritet. Disa organizata kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për këtë protestë; “Thirrjet e nënave”, “Vatra”, pensionistet, organizata nga Tetova, shoqata nga Presheva si dhe disa organizata studentore.
Kërkesat e kësaj proteste janë katër: respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm, ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë, kthimi i rezolutës së Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë që menjëherë do të sillte tek ndalimi i mallrave serbe në Kosovë si dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete për shtrirjen e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.
Protesta vjen pasi çështja e Luginës është riaktualizuar më shumë pas heqjes së lapidarit me emrat e ushtarëve të vrarë të UÇPMB-së, nga ana e qeverisë serbe.
Që prej heqjes së lapidarit, qytetarët e Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, kanë shprehur përkrahjen e tyre në forma të ndryshme për preshevarët. Janë organizuar disa marshe e protesta të vogla.
Sipas organizatorëve, protesta do të fillojë në ora 14:00 duke u takuar te Biblioteka Kombëtare për të vazhduar pastaj nëpër sheshin “Nëna Terezë” e deri te Teatri Kombëtar.
Kjo do të jetë protesta e parë mbarë popullore e thirrur për Luginën./Indeksonline/