E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania mbështet pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën

Kryeministri britanik, Gordon Braun gjatë një fjalimi në parlamentin britanik është shprehur se Londra mbështet pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. “Ne besojmë se Kosova duhet të shkojë drejt pavarësisë së mbikëqyrur. Nuk ishte e mundur të arrihej një marrëveshje mes kosovarëve dhe serbëve”, ka deklaruar Braun. “Ne besojmë se Bashkimi Europian duhet të ofrojë mjetet e veta për të barazuar mjetet ndërkombëtare që janë aktualisht në Kosovë dhe ne shpresojmë se mund të shkojmë drejt asaj që ne e quajmë pavarësi e mbikëqyrur. E thënë me fjalë të tjera, që të përmbushen të drejtat e kosovarëve, me kusht që të mos ketë dhunë,” shtoi ai. Kryeministri britanik tha se kjo çështje do të diskutohej nga BE-ja sepse siç tha ai, statusi i Kosovës është përgjegjësi e Bashkimit Europian. Më tej kryeministri britanik theksoi rëndësinë e gjetjes së “zgjidhjes së duhur” për Kosovën dhe popullin e saj. “Kjo është zona e fundit e Ballkanit ku ne duhet të zbatojmë në praktikë mekanizmat që do të siguronin paqe dhe stabilitet në të ardhmen”, ka theksuar Braun para deputetëve. “Unë personalisht besoj se serbët janë të interesuar të punojnë me Bashkimin Europian dhe ne duhet t’i bindim që ta bëjnë një gjë të tillë, por unë mendoj se çështja më rëndësi është që ne të mbështesim pavarësinë e mbikëqyrur të popullit të Kosovës,” shtoi ai. Kryeministri britanik tha se Serbisë dhe Rusisë po i dërgohet “haptazi dhe qartë” mesazhi se kjo është rruga që dëshiron të ndjekë BE-ja dhe Britania e Madhe. Ai kërkoi mbështetjen e gjithë spektrit politik në vend për këtë. “Shpresoj se për hapat që ne po ndërmarrim për këtë, do të ketë mbështetje nga të gjitha partitë”, është shprehur kryeministri britanik.

Rajs: Kosova dhe Serbia, jo më bashkë

Rrezikohet destabiliteti nëse Rusia nuk pranon realitetin se Serbia dhe Kosova nuk do të jenë përsëri një, është shprehur Sekretarja amerikane e Shetit Kondoliza Rajs. “Eshtë fakt që Kosova dhe Serbia kurrë nuk do të jenë një dhe ky është realiteti”, ka deklaruar Rajs. Më tutje ajo vijoi se nëse “ju nuk e keni parasysh realitetin, ju vetëm do të shkaktoni pakënaqësi të konsiderueshme dhe destabilitet të konsiderueshëm”. Rajs ka theksuar se “Kosova dhe Serbia duhet të shkojnë përkrah të ardhmes së tyre, të ardhme të ndara por të ndërlidhura. Për të arritur këtë Serbia duhet të ketë perspektivë të fuqishme europiane”, është shprehur Sekretarja amerikane e Shtetit Rajs. Sipas Rajs vëmendja është drejtuar nga Këshilli i Sigurimit dhe Kosova i plotëson detyrimet e saj sipas planit Ahtisari duke përfshirë këtu mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe të monumenteve fetare sepse në këtë moment nuk është i mundur vazhdimi i negociatave.

Përgatiti: Blerina OLLDASHI

14 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›