E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasnik: “Samiti i BE-së do të japë sinjal të fuqishëm për Kosovën

Liderët europianë në Samitin e Lisbonës do të japin një sinjal të fuqishëm dhe të bashkuar për angazhimin e BE-së në Kosovë. Kjo ka qenë deklarata e Ministres së Jashtme të Austrisë Ursula Plasnik e cila ka theksuar gjithashtu se pavarësia e mbikëqyrur është e vetmja zgjidhje reale për Kosovën. “Mundësitë për arritjen e marrëveshjes së negociuar janë shteruar, pavarësia e mbikëqyrur siç ka propozuar i dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari është e vetmja zgjidhje reale”, është shprehur Plasnik gjatë fjalimit të saj në Parlamentin e Austrisë. Duke folur për Samitin e liderëve të vendeve të Bashkimit Europian në Lisbonë, ajo tha se do të jepet shenjë e fuqishme dhe e bashkuar e angazhimit europian në të mirë të Kosovës. “Jemi në një fazë mjaft të rëndësishme rreth çështjes së Kosovës. Korniza kohore 120 ditëshe për Treshen ndërmjetësuese është mbyllur”, ka deklaruar Plasnik në një takim me gazetarë në Vjenë. Ajo ka theksuar se brenda Bashkimit Europian është i forcuar uniteti dhe baza për misionin e ardhshëm të Bashkimit Europian në Kosovë do të jetë Rezoluta 1244. “Bashkimi Europian është i gatshëm të marrë përgjegjësitë e veta”, ka thënë me këtë rast Plasnik duke shtuar se Austria aktivisht do të organizohet në Kosovë dhe paralajmëroi dërgimin e 33 ekspertëve policorë austriakë. “Njerëzve në Kosovë u nevojitet qartësia sepse mungesa e zgjidhjes së statusit është jo vetëm faktori i pasigurisë, por edhe frenuesi i zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik.

14 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›