Kriza, qeveria “zgjidh qesen” për KESH-
Ndihma e Financave për KESH-in do të jetë në formë huaje. Ajo do të jetë vetëm për një vit dhe do të shkojë nga 3 deri në 5 miliardë lekë
Ervin Koçi
Kriza energjetike dhe nivelet e ulëta të arkëtimeve nga ana e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e kanë vënë këtë të fundit në një krizë të vërtetë financiare. Në një kohë që kjo Korporatë po shkon drejt një privatizimi të pjesshëm, falimenti është më i pranishëm se kurrë. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Financave ka nisur menjëherë manovrat për ta financuar KESH-in, duke i kaluar kësaj korporate fonde nga ato që janë akumuluar gjatë vitit 2007 si pasojë e mosrealizimeve të disa investimeve. Deklarimet janë bërë nga vetë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili ka thënë se paratë për Korporatën do të jepen nga qeveria në formën e një huaje nga fondet e akumuluara nga investimet e parealizuara. Edhe pse muajt e fundit qeveria kishte deklaruar se KESH-i nuk do të përfitonte financime nga fondet e buxhetit, pasi ai nuk kishte realizuar në masën e duhur akumulimin e të ardhurave dhe arkëtimeve, frika nga një falimentim i mundshëm bëri që të ndodhë e kundërta.
Financimi
Ministria e Financave ka rishikuar buxhetin aktual për të mundësuar gjetjen e financimeve të domosdoshme për KESH-in. Nga rianalizimi dhe kontrolli i të ardhurave në buxhet, ka rezultuar se investimet dhe shpenzimet në mjaftë zëra, sidomos në infrastrukturë nuk janë realizuar duke bërë që të ketë teprica në fonde, të cilat do të akumulohen në një të vetëm për t’iu dhënë KESH-it. Në këtë mënyrë paratë që do të jepen nga Financat për KESH-in në formën e huas, do të jenë vetëm për një vit dhe llogaritet që të shkojnë nga 3 deri në 5 miliardë lekë. “Paratë janë gjendur dhe ne si Ministri Financash do ta financojmë me një fond të konsiderueshëm korporatën, e cila është në një periudhë krize për shkak të mosgrumbullimit të arkëtimeve dhe shpenzimeve të shumta të blerjes së energjisë së shtrenjtë nga importi”, - ka deklaruar zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Por zëvendësministri Shehu ka lënë të kuptohet se këto para që gjithsesi janë të buxhetit të shtetit, edhe mund t’i falen më vonë Korporatës.
Situata
Situata e ardhshme për KESH-in paraqitet më optimiste, kjo përsa i takon vitit të ardhshëm, ku sipas të dhënave një pjesë e Korporatës dhe më konkretisht Divizioni i Shpërndarjes, do të privatizohet. Po kështu, në pjesën e dytë të vitit 2008 do të kemi edhe një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët, çka do të kompensojë disi sasinë e madhe të parave të shpenzuara për blerjen e saj. Këtë mendim ka patur edhe vetë zëvendësministri i Financave, Shehu, i cili është shprehur se “vitin që vjen situata hidrike në vend do të jetë akoma më e mirë dhe niveli i reshjeve do të shtojë sasinë e energjisë së prodhuar në vend, që është me një kosto më të mirë se ajo e importuar”. Kjo gjë, sipas zëvendësministrit Shehu, do të bëjë që bilancet për Korporatën të jenë disi më të mira duke menduar se do të ritet edhe niveli i arkëtimeve.
14 Dhjetor 2007