Këshilli i Sigurimit hedh poshtë vazhdimin e negociatave për Kosovën
Përfaqësuesit e SHBA-ve dhe të shteteve të Bashkimit Europian në Këshillin e Sigurimit kanë hedhur poshtë propozimin e deklaratës presidencale të Rusisë për vazhdimin e negociatave për Kosovën. “Qëndrimi ynë dallon në mënyrë fondamentale në raport me atë rus”, ka deklaruar ambasadori amerikan Zalmaj Khalilzad. Sipas tij negociatat për Kosovën kanë përfunduar dhe duhet të ecet më tej për këtë proces. “Ne dhe europianët konsiderojmë që procesi negociator është shteruar. Është koha që Këshilli i Sigurimit të vendosë dhe nëse nuk miraton vendimin, duhet kërkuar mënyra që zgjidhja e problemit të gjendet jashtë Këshillit. Për shkak të këtij dallimi fondamental, qëndrimit tonë se negociatat janë shteruar dhe atij rus se një zgjidhje me marrëveshje është e mundshme, nuk ka pasur bazë për marrëveshje për deklaratën presidenciale. Për Kosovën gjithsesi do të bisedojmë më 19 dhjetor”, ka theksuar ambasadori amerikan Khalilzad.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që do të zhvillohet më 19 nëntor mësohet se do të marrin pjesë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i sapozgjedhur Hashim Thaçi. Në këtë takim do të shqyrtohet raporti përfundimtar i Treshes negociatore lidhur me bisedimet shqiptaro-serbe. Ky lajm është bërë i ditur nga mediat kosovare sipas të cilave Sejdiu dhe Thaçi do të jenë prezentë në këtë mbledhje por nuk dihet ende nëse do të kenë të drejtën e fjalës. Ndërkohë, qeveria e Kosovës, ka deklaruar se ka ardhur koha për shpalljen e pavarësisë. Zëdhënësi i qeverisë, Avni Arifi, është shprehur pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, se Ekipi i Unitetit dhe të gjitha forcat politike në Kosovë duhet të orientohen drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kërkesës për njohjen ndërkombëtare të saj. Ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka përsëritur sërish shqetësimin e Rusisë për pavarësinë e Kosovës. Sipas Lavrov një hap i tillë, do të vendoste një “precedent të rrezikshëm” në Ballkan, këtë pjesë të paqëndrueshme të Europës. “Pasoja e dukshme e kësaj është se ligji ndërkombëtar do të pengohet në mënyrë brutale dhe do të vendoset një precedent jo vetëm për Ballkanin. Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, sigurisht Serbia dhe ndoshta edhe disa vende të tjera, do ta ndjenin ndryshimin”, është shprehur Lavrov.
14 Dhjetor 2007