E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Statusi i Kosovës nga BE-ja në fillim të pranverës

Komisioneri Europian për zgjerimin Oli Rehn ka bërë të ditur se zgjidhja e statusit të Kosovës nga Bashkimi Europian do të shtyhet deri në fillim të pranverës. Deklarata e komisionerit për zgjerim Rehn erdhi për një të përditshme finlandeze ku theksoi gjithashtu se situata aktuale nuk është e qëndrueshme. “Zgjidhja duhet të gjendet sepse, situtata aktuale nuk është e qëndrueshme”, është shprehur Rehn. Komisioneri Europian megjithatë nuk ka dhënë arsyet për shtyrjen e një vendimi për çështjen e statusit të Kosovës. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pritet të zhvillojnë një takim më 28 dhe 29 mars në Slloveni e cila do të ketë presidencën e radhës së BE-së, ku dhe pritet të merret një vendim. Deklarata e komisionerit Oli Rehn erdhi pas vendimit të autoriteteve serbe për të caktuar datën 20 janar datë të zgjedhjeve presidenciale. Udhëheqësit politikë të institucioneve të Kosovës janë shprehur se zhvillimet e brendshme në Serbi nuk duhet të influencojnë çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Disa qarqe të bashkësisë ndërkombëtare kanë kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, që të mos shpallin pavarësinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Serbi, në mënyrë që mos t`u jepet rast për fitore të mundshme forcave radikale serbe.

14 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›