E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania redukton zyrtarët e EULEX-it në Kosovë

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po planifikon të reduktojë numrin e zyrtarëve për misionin e EULEX-it në Kosovë. Shkak për këtë është bërë rritja e aktiviteteve të saj paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës nëpërmjet OKB-së dhe BE-së. Megjithatë, siç theksohet në një komunikatë për shtyp dërguar nga ambasada britanike në Prishtinë, ky reduktim nuk ndryshon angazhimin e Britanisë së Madhe për Kosovën. "Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur buxhetin për misionet paqeruajtëse për 2009-10 i cili është 556 milionë stërlina. Që nga prilli Mbretëria e Bashkuar përballet me një rritje të madhe në kontributet e detyrueshme të saj për aktivitet paqeruajtëse nëpërmjet OKB-së dhe BE-së të shkaktuara nga rënia në vlerë e stërlinës britanike dhe gjithashtu nga rritja e aktiviteteve paqeruajtëse në vende si Sudani dhe Republika Demokratike e Kongos. Kjo ka ndikuar në shumën e fondeve diskrecionale në dispozicion për aktivitete të tjera paqeruajtëse duke përfshirë edhe kontributet për misionet e ESDP-së. Në Kosovë efekti është që Mbretëria e Bashkuar do të reduktojë numrin e zyrtarëve që ajo siguron për misionin e EULEX-it", thuhet në këtë komunikatë. Por njoftimi për uljen e numrit të zyrtarëve nuk ndryshon besimin e fortë të Britanisë së Madhe se BE duhet të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›