Shtajnbah:Kosova ka përparuar pas shpalljes së pavarësisë
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Hans Diter Shtajnbah vlerësoi se Kosova ka përparuar që nga shpallja e pavarësisë dhe se stabiliteti në vend nënkupton edhe stabilitetin rajonal. Shtajnbah tha se angazhimet dhe investimet si ushtarake, politike e financiare tregojnë se Kosova gjendet lart në axhendën e Gjermanisë. Ambasadori Shtajnbah kujtoi se Gjermania është ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dyja vendeve do të forcohen edhe më shumë."Gjermania i kushton interes të madh stabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë. Ne konsiderojmë se stabilizimi i Kosovës nënkupton edhe stabilizimin e tërë rajonit dhe kjo gjendet lart në axhendën e shtetit gjerman", ka thënë ai. Ambasadori vlerësoi përparimin që ka bërë Kosova pas shpalljes së pavarësisë, por theksoi se institucionet e Kosovës duhet të përqendrojnë fuqitë në procesin e privatizimin, decentralizimin dhe sundimin e ligjit në gjithë vendin. Shtajnbah u shpreh se shteti i tij ka lobuar dhe po lobon që shtetin e Kosovës ta njohin dhe vendet e tjera, ndërkohë që i vjen keq që disa shtete të Bashkimit Europian ende nuk e kanë bërë këtë."Gjermania me partnerët e saj kryesorë po bën lobim për njohjen e shtetit të Kosovës nga e gjithë bota. Në të gjitha vendet e botës së bashku me partnerët tanë po mundohemi t'i bindim qeveritë politike të shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin sa më parë", është shprehur ai. Duke folur për integrimet europiane, ambasadori gjerman tha se Europa është e interesuar që Ballkani Perëndimor të jetë i qëndrueshëm, mirëpo vendet e tij duhet përmbushin kërkesat, të cilat janë të qarta për t'u integruar në këtë strukturë.